Drejtësia

Ish-gjyqtari Admir Thanza kërkon t’i rikthehet banesa dhe dyqani i sekuestruar

Gazeta Si - Admir Thanza kërkon t’i rikthehet pasuria e bllokuar, pasi u shkarkua nga Vettingu, duke dalë jashtë sistemit të drejtësisë.

Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, i është drejtuar me rekurs kësaj gjykate, ku kërkon që t’i kthehet apartamenti dhe dyqani i sekuestruar.

Këto pasuri, Thanzës iu bllokuan nga SPAK me argumentimin se nuk i justifikonte me burime të ligjshme.

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë u mor nën hetim nga SPAK për fshehje dhe mosdeklarim pasurie.

Thanzës, me vendim të Gjykatës së Posaçme, iu sekuestruan 2 pasuri të paluajtshme në emër të tij. Konkretisht, një apartament 70 m2 dhe një dyqan 23 m2 në Tiranë.

Gjatë Vettingut, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit zbuloi një dënim prej 40 ditësh burg të Thanzës për një vjedhje në Itali ndodhur në vitin 1999.

Këtë dënim, ish-gjyqtari nuk e kishte përfshirë në vetëdeklarim.

Për akuzën e falsifikimit të formularit, ai u shpall fajtor dhe u dënua me 9 muaj burg, vendim i cili u konvertua në 1 vit e gjysmë shërbim prove.

Vendimi i shkarkimit të Thanzës u gjet i drejtë dhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Ish-gjyqtari e pranoi dënimin si fakt, por u justifikua se kishte marrë përsipër dënimin për një familjar të tij emigrant në atë shtet.

Ish-gjyqtari që ka qenë në krye të kupolës së drejtësisë si anëtar i Gjykatës së Lartë, për vite me radhë, ndoqi të njëjtën vijë mbrojtjeje edhe para komisionerëve e prokurorëve që e hetuan.

Ai këmbënguli se nuk ka vjedhur asnjëherë në jetën e tij dhe se e kishte pranuar këtë ngjarje për humanizëm për një familjar të tij.

Për shkeljen e dytë, atë të mos deklarimit në formular, Thanza pretendoi se posedonte një dëshmi penaliteti të pastër dhe se nuk ka fshehur asnjë krim.

Por edhe alibia e fundit është rrëzuar pas konfirmimit nga shteti italian i shpallur si fajtor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë