Dosje

Dosja e nxitësit të terrorizmit: Si u zbulua 56-vjeçari nga Kukësi dhe mesazhet e dyshimta në FB: Jam i ndjeshëm ndaj padrejtësive!

Gazeta Si - I zbuluar përmes këqyrjes dhe vëzhgimit të Antiterrorit, Ibrahim El Salih, një kuksian i besimit mysliman, do të përballet në gjykatë me akuzën e nxitjes dhe propagandës për qëllime terroriste.

Rrjeti i tij social u vëzhgua duke nisur nga shtatori 2021, thotë SPAK në kërkesën për gjykim, pasi mbylli hetimet që kulmuan gjatë majit me arrestimin e tij.

Në statusin e tij të parë të dyshimtë, ai shkruan, sipas dosjes që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al, thirrje kundër SHBA-ve dhe më tej përfshihet edhe në komente për luftën e nisur në Ukrainë

“Të burgosur e të prangosur në burgjet e Tagutave, por me dinjitet, me moral të lartë e të pathyeshëm në rrugën e ALLAHUT, këta janë Luanët që tronditën Amerikën dhe botën mbarë të zullumqarëve”.

Një postim i 56-vjeçarit nga Kukësi në Fb

Fëmijët në luftë, Shehidët dhe Xhihadi!

Duke përmendur luftërat e ndryshme gjatë tetorit, kuksiani nga fshati Shtiqën,  shkruan për fëmijët, por edhe për ata që vdesin në rrugën e Zotit.

“Mobilizohen fëmijët jetim kundër Hasadit dhe Rusëve në Syri Mashallah ALLAHU EKBER”. Në Bosnjë Hercegovinë, gjatë luftës fetare anti islame kundër pushtuesit serb, u mobilizuan fëmijët e moshës 14 e sipër dhe luftuan e u vranë dhe nuk u nënshtruan”.

“SHEHIDËT DHE XHIHADI NË RRUGËN E ALLAHUT. Kurrësesi mos i quani të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Jo, janë të gjallë, duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe gëzohem edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë martirë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për kë kanë lënë pas). Ata gëzohen me dhuntitë dhe mirësinë e Allahut, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve” .

Ky postim, ka marrë në total 7 pëlqime  dhe asnjë koment, bëhet me dije nga agjentët në procesverbalin e dosjes hetimore.

Lufta në Ukrainë

SPAK përmend se në janar 2022, për shkak të shkrimeve të shumta, Lekicës i bllokohet llogaria në Facebook dhe më pas sapo i kthehet, ai shkruan. 

10. Postimi i realizuar nga profili Ibrahim El Salih, më datë 29.01.2022, ora 4:44 MD (PM), saktësisht, me këtë përmbajtje:

“Pas një bllokimi të gjatë nga ana e FCB, sot u ba e mundur zhbllokimi i FCB për arsye të disa videove që kam postuar, që tregojshin vrasjen, burgosjen e myslimanëve dhe shpërnguljen nga vendet e tyre, duke pas për qëllim pasqyrimin e vërtetë të ngjarjeve që po zhvillohen në disa shtete islame të shkaktuara po rea Zullumgart Amerikan dhe ato Eropjan... O Allah, udhëzo umetin drejt devotshmërisë! Dhe drejt bindjes ndaj Teje! Dhe që të urdhërojnë në të mirë dhe të ndalojnë nga e keqja, amin”.

Por aktivizimi i të dyshuarit si ekstremist, bëhet më prezent sa i takon luftës në Ukrainë, me pyetje që konsiderohen nga SPAK si nxitje të urrejtjes.

Ibrahim El Salih Lekica

Postimi, bën me dije SPAK, publikohet nga i dyshuari në datën 3 mars 2022. “Vallë, a do të dënohen këta që shkojnë në luftë për Ukrainën për “Pjesëmarrje në luftëra të huaja”? Po Ambasada (Ambasadori) Ukrainas në Shqipëri, a do të dënohet me 18 vjet burg për “dërgimin e Shqiptarëve në konflikte të huaja”? Sigurisht që nuk do të dënohen ata që shkojnë të luftojnë në Ukrainë dhe as Ambasada Ukrainase nuk do të marrë madje as edhe ndonjë vërejtje. Sepse ata që u dënuan, u dënuan për shkak se shkuan të luftojnë për hir të Allahut dhe për një Shtet Islam me Sheriat. Por këta (kokat e kufrit), nuk munden të thonë se, “Ne nuk do të lejojmë askënd që të themelojë Shtet Islam”, ose “Ne nuk do të lejojmë askënd të ngrejë Shtetin Islam”, ose “Ne, do t’i burgosim ata që thërrasin në Xhihad”, ata nuk e thonë dot këtë, sepse në këtë mënyrë të gjithë Myslimanët do ta kuptonin se ky shtet (kufri) është armiku dhe te gjithë Myslimanët do ta kuptonin se këto shtete janë në luftë me Islamin dhe me Shtetin Islam. Kështu që, ata gjetën një pretekst për t’i mashtruar me “sy leshet prej Mëslimanëve... dhe thanë: “Kush ikën në konflikte të huaja, do ta burgosim”, ose “kush bën terrorizëm, do ta burgosim” etj... Edhe për fat të keq, një pjesë e Myslimanëve u mashtruan dhe vërtetë besojnë këto që thonë këta kufarë.

Dhe madje thonë, “Vetë e kanë fajin këta që hynë në burg”, ose “Mirë t’ju bëhet, çfarë ju duhet atyre të luftojnë në luftëra të huaja etj”. Një pjesë të mirë të fajit për këtë, e kanë sigurisht deviantet e ndryshëm, murrxhiet, rabijovcat dhe të tjerë. Këta e kanë ushqyer këtë pretendim të kufarëve [Se gjoja ata (shtetet e kufrit) nuk e luftojnë Islamin] dhe e kanë ushqyer madje, gjoja me argumente fetare. Dhe shpesh i dëgjon këta deviantë të thonë se, “Këto shtete (të kufrit) nuk e luftojnë Islamin, madje këta të lejojnë të bësh davet”... ose “Këto shtete janë të lira dhe demokratike, kjo të lejon ta praktikosh Islamin, e ata që janë burgosur e kanë fajin vetë! Allahu i vraftë këta deviantë, thirrës për në Xhehenem. Pra, a e kuptoni o Muylimanë se ju kanë mashtruar? Ata nuk kanë problem nëse lufton luftëra të huaja, nëse lufton për demokracinë në Ukrainë, orthodoksinë ukrainase, apo ndonjë fe e ideologji tjetër... Problemi i tyre është vetëm nëse bën xhihad për hir të Allahut. Atëherë ti je armik, terrorist, që lufton në luftëra të huaja dhe duhet të dënohesh!!! Pra a do ta lejoni mendjen tuaj të “përdhoset nga kufarët? Nga deviantet, rabijovcat apo murrxhiet. Nga #Elzi #Ibrahimi”, - shkruan në rrjetin e tij social Facebook, Lekica.

Një tjetër postim i Lekicës në rrjetet sociale

Nga Rusia, në Gjykatën e Hagës...

Në të njëjtin muaj, i dyshuari shkruan pyetje mbi dënimin e Putinit  e më pas nga Rusia dhe Ukraina kalon në Izrael.

“A do dënohen Hasadi dhe Putini për krime lufte në Siri nga gjykata ndërkombëtare e Hagës? Po SHBA, a do të dënohen nga gjykata e Hagës për krime lufte në Siri, Irak, Libi Afganistan, Jemen dhe Palestinë...”.

“Fytyra e vërtetë e pushtimit Izraelit! Allahu marrtë hak dhe e shkatërroftë Izraelin. Bota islame fle gjumë”.

SPAK thotë se antiterrori u bind për të kryer arrestimin pas shkrimeve të mësipërme dhe si fillim kreu një kontroll automjeti, duke përfunduar se nuk kishte sende të paligjshme.

“Nga tërësia e këtyre akteve dhe provave, ekziston dyshimi arsyeshëm mbështetur mbi prova, se nga i hetuari Ibrahim El Salih (Lekica), janë kryer veprime të kundërligjshme (konsistojnë në përdorimin nga autori, të fjalëve, shprehjeve, diskutimeve të ndryshme për të ndikuar që persona të tjerë të mbështesin aktet terroriste ose të financojnë terrorizmin), të cilat janë elementë të anës objektive të figurës së veprës penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, - thuhet në dojen e SPAK që iu tregua Gazetasi.al.

Shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive

I dyshuari, gjatë këtyre muajve që u hetua nën “arrest me burg”, këmbënguli se ishte i besimit mysliman dhe se praktikon çdo ditë ritet fetare.

“Jam shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive që u bëhen myslimanëve nëpër botë dhe për këtë arsye flas kundër padrejtësive”, - deklaroi i dyshuari, i cili nuk pranon se tentoi të shkaktojë urrejtje.

“Postimi në adresën e Facebook, ishin me qëllim sensibilizimin e njerëzve për luftën që u bëhet myslimanëve”, - këmbëngul i akuzuari, sipas të cilit, këto postime nuk janë bërë në asnjë rast me qëllim për të nxitur njerëzit për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, pasi nuk ka bërë në asnjë rast propagandë apo thirrje publike për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, por thjesht  ka shprehur mendimin e tij për çështjen e myslimanëve.

Gjatë masës së sigurisë, avokati këmbënguli se personi nën hetim ka marrë shkrime të ndryshme nga adresa e Facebook-ut, të bërë nga personalitete të ndryshme të botës myslimane dhe i ka postuar në adresën e tij në Facebook, pa bërë asnjë koment apo thirrje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.

Referenca me Imamin e Dijarbakirit në Turqi

Megjithatë Gjykata e Apelit, gjatë masës së sigurimit personal, i konsideroi thjesht opinione dhe për këtë iu referua çështjes turke të një zyrtari publik që punonte imam në një xhami lokale në Sur, në Distriktin e Dijarbakirit.

“Në qershor të vitit 2016, prokurori publik Dijarbakirit e akuzoi z. Üçdağ për përhapjen e propagandës në favor të një grupi terrorist, duke nënvizuar se përmbajtja e disa teksteve, të cilat kërkuesi i kishte postuar të vitet 2015-2016, përbënin propagandë në favor të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, organizatë e shpallur terroriste, të tilla që justifikojnë, lëvdojnë dhe inkurajojnë përdorimin e metodave nga kjo organizatë, si shtrëngimi, dhuna dhe kërcënimet.

Postimet për të cilat ai ishte vënë në akuzë, përmbanin dy fotografi (të individëve me uniformë të ngjashme me atë të anëtarëve të PKK-së dhe një turmë njerëzish, të cilët po protestonin në një rrugë publike përballë një zjarri), të cilat ishin shpërndarë edhe nga dy përdorues të tjerë të rrjetit social Facebook.

Kërkuesi u dënua me një vit, gjashtë muaj e njëzet e dy ditë burgim, të pezulluara me kusht.

Në këtë rast, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, gjeti shkelje të nenit 10 të KEDNJ-së, lirisë së shprehjes.

Ajo vlerësoi, se vendimeve të gjykatave turke, me të cilat kërkuesi ishte dënuar, iu mungonte arsyetimi i duhur për të shpjeguar arsyet se përse postimet në fjalë duhet të interpretoheshin sikur lavdëronin, justifikonin dhe inkurajonin metodat që përmbanin shtrëngim, dhunë dhe kanosje të kryer nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit.

Gjykata arriti në përfundimin se në dënimin e kërkuesit me akuzën e propagandës në favor të një organizate terroriste, nëpërmjet postimeve në fjalë në profilin e tij në rrjetin social Facebook, autoritetet vendase kishin dështuar për të mbajtur një balancë të drejtë ndërmjet mbrojtjes së lirisë së shprehjes së kërkuesit, nga njëra anë, dhe mbrojtjes së të drejtave të të tjerëve, sigurisë kombëtare, integritetit territorial, sigurisë publike si dhe parandalimin e krimeve dhe cenimit të rendit publik, nga ana tjetër.

Krahasimi me Shtetin Islamik

Për SPAK, ky vendim ishte i pabazuar dhe për këtë kujtoi ISIS-in.

“Referuar shkrimeve të publikuara nga personi nën hetim, Ibrahim El Salih (Lekica) dhe përmbajtjes së këtyre shkrimeve, në ndryshim me sa ka arsyetuar Gjykata në vendimin e saj (pikat 48-61) konkludojmë konsumimin e elementëve të kësaj vepre penale, pasi kundërligjshmëria e veprimeve të tij është manifestuar në këto rrethana: ka nxitur veprimet kriminale të kryera nga ushtarët e burgosur të ISIS-1 (Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut), organizatë e cila është shpallur terroriste nga Kombet e Bashkuara dhe ka bërë elozhe ndaj tyre, lidhur me veprimet e tyre (kanë tronditur Amerikën dhe mbarë botën), ka propaganduar, nxitur dhe bërë thirrje publike për mobilizimin në luftë të fëmijëve apo dhe vrasjen e tyre, të cilët, kanë luftuar e u vranë dhe nuk u nënshtruan (referuar luftës fetare në Bosnjë Hercegovinë); ka bërë thirrje publike, glorifikuar dhe propaganduar idetë e tij mbi xhihad- in si obligim për çdo mysliman (duke e konsideruar gabimisht si një nga shtyllat e Islamit); nëpërmjet publikimit të shkrimeve të një personi të tretë, propagandon shpalljen si legjitim të Shtetit Islam të Irakut, Shamit (ISIS-it), për shkak të veprimtarisë së tij dhe përpjekjen që duhet të bëjnë lexuesit që t’i japin fitoren dhe ta përkrahin me çdo mënyrë që të munden, duke dalë dhe në mbrojtje: ka shpërndarë shkrime, në të cilat bëhet thirrje publike, duke glorifikuar dhe përhapur idetë e tij për personat e vrarë apo që do të vriten në luftën e shenjtë xhihad” (përmes të cilit, tentojnë të legjitimojnë vrasjen e civilëve që nuk i nënshtrohen urdhrave të grupeve terroriste...); ka shprehur hapur mbështetjen për personat që shkojnë për të luftuar në krah të Shtetit Islamik të Sirisë dhe Irakut (ISIS), si dhe, ndaj një subjekti të dënuar nga autoritetet shqiptare të drejtësisë për terrorizëm dhe së fundi, rrjeti social Facebook, ka bërë bllokimin për disa muaj të profilit në këtë platformë të personit nën hetim, pikërisht për shkak të publikimit të shkrimeve dhe videove në të cilat mendojmë se nga përmbajtja e tyre, ekzistojnë dyshime të arsyeshme për konsumimin e elementëve të veprës penale (ndonëse shkrimet dhe videot respektive të publikuara nga personi nën hetim, për shkak se hetimet janë në zhvillim e sipër, mbeten për t’u përkthyer dhe interpretuar nga ekspertët e fushës)”, - specifikohet në dosje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë