Gazeta Si – Dy personat kyç, që përfitonin kriptovaluta në Tiranë, duke i kthyer ato më pas në parà në pika të këmbimit valutor, janë Mateo Hoxha dhe Tedi Agstra.
Sipas dosjes hetimore, dy të arrestuarit me urdhër të SPAK, kanë përfituar përmes mashtrimit kompjuterik të mijëra qytetarëve europianë me “Call Center”, 8 milionë dollarë në formën e kriptovalutave.
Mateo Hoxha, 24 vjeç, sipas hetimeve, kishte përfituar 3.2 milionë dollarë, ndërsa Agastra, 23-vjeç, përfitoi 4.8 milionë dollarë.
“Të dy gjatë vitit 2024 kanë marrë vlera të konsiderueshme në adresa kripto dhe më pas i kanë transferuar në adresa të tjera kripto”, thuhet në dosje. Një veprim ky, sipas SPAK, për të humbur gjurmët.
Tedi Agastra, është hetuar më parë nga Prokuroria e Tiranës, në 2024-ën, në një çështje ku u lëshuan 19 urdhër-arreste për veprat penale të “Ushtrimi pa licencë të veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Alarmi nga Austria
Në dosje thuhet se është dokumentuar në hetimin e mëparshëm se, Tedi Agastra, në bashkëpunim me babain e tij, i cili ka një zyrë të këmbimit valutor në Tiranë, këmbenin kriptovaluta në para.
Në këtë zyrë të këmbimit valutor, nga muaji dhjetor i vitit 2024, punonte edhe Mateo Hoxha (i arrestuar në operacionin e të hënës (13 prill 2026).
Babai i 24-vjeçarit, A.A., është nën masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, për çështjen e mëparshme të 2024-ës.
Teksa Prokuroria e Tiranës kishte nisur hetimet prej 2024-ës për “Call Center”-at mashtrues, në janar të vitit 2025, austriakët njoftojnë se të tjerë qytetarë atje kanë bërë kallëzime të reja për mashtrim nëpërmjet telefonit nga këshilltarë të supozuar financiarë, të cilët i ftonin të bënin investime në platformën “imctrading”
Transaksionet janë kryer në data të ndryshme. Por një qytetare austriake e dëmtuar, ka kërkuar informacione në një kompani shkëmbimi kriptomonedhash, nga ku ka marrë përgjigje se transaksionet e saj lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me dy shqiptarët, Mateo Hoxha dhe Tedi Agastra.
Rolet e të tjerëve
I pari që u zbulua, ishte Eduard Dalla, 48 vjeç, i arrestuar. Numri i tij i telefonit ishte në një kontratë internet të lidhur me një shoqëri në Tiranë.
Kontrata ishte lidhur nga punonjëset e marketingut në rrugë dhe emri në kontratë ishte Jose Santos, për të cilin grupi hetimor zbuloi se ishte fiktiv, për të humbur gjurmët. Por elementi që i çoi tek 48-vjeçari, ishte pikërisht numri i tij i celularit.
Ndërkohë, Xhoni Hitaj 31 vjeç dhe Marsel Lami 29 vjeç, të dy në kërkim, me masë arresti me burg dhënë nga Gjykata e Tiranës, dyshohet se janë administratorët e “Call Center”-ave mashtrues që autoritetet goditën së fundmi në Tiranë.
Ndërsa i arrestuari tjetër, Xhoel Mekolli, sipas dosjes, rezulton të ketë punuar në periudha të gjata në këto “Call Center”, gati 3 vjet.
Operacioni i policisë
Sipas njoftimit të policisë, hetimi prej dy vitesh ka rezultuar në zbulimin e të paktën 12 hapësirave në funksion të këtij aktivitet.
Operacioni i koduar “Ghost call”, ka vënë në pranga 10 persona, ku u ekzekutuan dy masa sigurie për një shtetase, si dhe u shpallën në kërkim katër të tjerë, secili me role të ndryshme.
Sipas dosjes hetimore, alarmi është ngritur që në vitin 2024 nga autoritetet austriake, ku janë mashtruar mijëra qytetarë me një dëm prej më shumë se 30 mln euro.
Gjatë kontrolleve u gjetën 891.735 euro, 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera (HDD, DVR), të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje