Rend dhe Ligj

Dosja “339”, Vangjush Dako dëshmon 5 orë te Krimet e Rënda

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është pyetur në lidhje me atë që quhet “Dosja 339”, me përgjimet për dyshime për shitblerjen e votës në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017. TCH raporton se Dako është pyetur gjatë së ditës së enjte, nga ora 15 deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Praktikisht pesë orë i marrë në pyetje në lidhje me dyshimet si i përfshirë në shit-blerjen e votave në zgjedhjet parlamentare të para dy viteve të fituara nga Partia Socialiste.

Prokuroria e Krimeve te Renda

Deri tani, nuk ka asnjë detaj për dëshminë e tij para prokurorëve Vladimir Meçe dhe Dritan Premçi. Janë marrë në pyetje edhe drejtues të tjerë lokalë. Për shumë persona janë zbardhur mjaft përgjime, për sa kohë që siç tha Arta Marku, janë 700 CD të pazbardhura. Hetimet janë regjistruar për një sërë veprash penale, nga trafiku i drogës e deri te ato të lidhura me çështjet e zgjedhjeve. Në përgjime kanë dalë edhe gjyqtarë dhe prokurorë. Hetimet janë mjaft sekrete, por kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që është në dijeni.

Si u shmang Dako
Më 11 maj kryesia Partia Socialiste vendosi që Valbona Sako të jetë kandidatja Socialiste për Bashkinë e Durrësit. Kjo u dha fund edhe dilemave për emrat e propozuar për këtë garë ku përfliteshin deputetet Milva Ikonomi, Klodiana Spahiu, por edhe drejtori i Ujësjellësit, Spartak Kovaçi.

Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini

Por gjithcka duket se ishte vulosur që në 25 mars në Kongresin e Partisë Socialiste. Si Dako, ashtu edhe kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini u lanë komplet në hije gjatë këtij kongresi, ndërsa në kulisat e tij gëlonin emrat zëvendësues. Dako dhe Sejdini hynë për herë të parë në bashkitë respektive në pranverën e 2007 dhe e ruajtën karrigen e tyre në 2011, por edhe në 2015 me një territor akoma më të zgjeruar. 12 vite në pushtet i shndërruan në sinonim të qyteteve që drejtonin. Si elbasanasit ashtu edhe durrsakët thuajse e kanë harruar koha kur në krye të bashkive të tyre kishin emra të tjerë.
Por, më shumë se për zhvillimet që u dhanë qyteteve, dy kryebashkiakët do të mbahen mend për akuzat e dyshimet që kanë vërshuar vazhdimisht ndaj tyre.
Mbrëmjen e 25 shkurtit kryedemokrati Lulzim Basha do të deklaronte nga selia e PD se “po përgatitet arrestimi i Vangjush Dako por se kjo gjë nuk e shpëton dot kryeministrin Edi Rama nga përgjegjësia ligjore për vjedhjen e votave”. “Ajo që dua të ndaj me ju një paralajmërim i qartë dhe i prerë për Edi Ramën. Asnjë përpjekje fasadë nuk e shpëton nga përgjegjësia ligjore që ka. Është kapur duke vjedhur zgjedhje me bandat. Orët e fundit janë intensifikuar me lajme se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Dosja 339 faktoi se ai dhe zyrtarë të tjerë janë kapur duke vjedhur vota. Mos arrestimi me urdhër të Edi Ramës. Për të mos e arrestuar Rama flijoi Fatmir Xhafën. Arrestimi i Dakos duhet të ndodhë një orë e më parë por nuk e shpëton dot”, deklaronte Basha.

Dako, ose “Gjush Betoni”
Vangjush Dako, i lindur në Durrës më 29 nëntor 1966, u zgjodh kryetar i Bashkisë së Durrësit për një mandat në 2007. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës. Pas 1990 ka qenë i angazhuar për thuajse 10 vite në sipërmarrje private deri kur pas hyrjes në politikë ka mbajtur postin e Kryeinspektorit të Inspektoriatit Ndërtimor të Qarkut Durrës dhe atë të Drejtorit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për Qarkun Durrës.
Në 12 vitet e qeverisjes së tij në Durrës janë shumëfishuar ndërtesat shumëkatëshe, madje edhe në zona fare pranë detit, çka nga kritikët bëri që të pagëzohej me emrin “Gjush Betoni”. Nofka iu vendos edhe për shkak të akuzave e dyshimeve se pas dhjetëra lejeve të ndërtimit që jepeshin, qëndronte vetë kryebashkiaku i Durrësit.

Mes projekteve më të qortuara është një shumëkatësh të Shkëmbi i Kavajës, shtesa e të cilit në 2017 u shemb për shkak të materialit të dobët. Ndërtesa gjigante është ndërtuar vetëm pak metra larg bregut të detit.
Por jo vetëm kjo. Një tjetër projekt është ai i ndërtimit të Velierës, themelet e së cilës u bënë shkak për zbulimin e disa rrënojave që nga arkeologët dhe shoqëria civile u cilësuan si të periudhës romake. Përplasja përfundoi në gjyq dhe në përfundim të tij fitoi projekti i Bashkisë së drejtuar nga Vangjush Dako përballë zbulimit të rrënojave antike. Pavarësisht akuzave ai ja doli mbanë që të fitonte edhe në 2015.
Në dhjetor të 2016, lirohet nga burgu një nga emrat më të përfolur të botës shqiptare të krimit. Lulzim Berisha, i dënuar me 25 vite burgim edhe për akuzën e vrasjes. Vendimi ishte i Gjykatës së Durrësit që citonte arsyet shëndetësore të ish-kreut të bandës famëkeqe të qytetit. Por, roli i Bashkisë së drejtuar nga Vangjush Dako kishte qenë më shumë se plotësues në këtë vendim, që u bë shkas të citohej si arsye për reformën në drejtësi edhe nga ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Lirimi u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Vetë Dako mohoi akuzat se kishte ndikuar tërthorazi në lirimin e Lulzim Berishës.

Edi Rama dhe Vangjush Dako, gjate fushates zgjedhore 2017

Në 2017 Vangjush Dako përfshihet në fushatën e partisë për zgjedhjet qendrore. Pikërisht në këtë periudhë regjistrohet nga prokuroria në biseda telefonike me anëtarë të grupit të dyshuar kriminal të Shijakut.
Përgjimet, sipas Partisë Demokratike provojnë blerjen e votave dhe aleancën e qeverisë socialiste me krimin për manipulimin e zgjedhjeve. Vetë Dako nuk mohoi komunikimin me ta, por u justifikua se “fliste shumë në telefon me qytetarët e Durrësit, sidomos në fushatë elektorale”.
Justifikimi i tij nuk ka bindur Partinë Demokratike, që zbardhjen e dosjes 339 e ka kthyer në një nga shtyllat e protestës së saj sot, por duket se nuk ka bindur fillimisht as Edi Ramën.

Përgjimet e publikuara nga Zëri Amerikës
“Bomba” plasi kur dhjetra përgjime dhe dokumente të siguruara nga BIRN përmes dy hetimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u botuan nga Zëri i Amerikës, duke hedhur dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër.
Bisedat telefonike tregonin një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes Dakos dhe pjesëtarëve të bandës famëkeqe të Shijakut, vëllezërve Avdyli, kontributi i të cilëve në zgjedhje duket se ishte shpërblyer me akses pranë disa institucioneve kyçe në Durrës.
Në tetor 2018, prokuroria deklaroi se po hetonte edhe veprimtarinë e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako-por pa specifikuar konkretisht se për çfarë. Dako nuk i ka mohuar bisedat telefonike me vëllezërit Avdyli dhe i ka paraqitur komunikimet me ta si të barabarta me qytetarët e tjerë që e mbështesin në zgjedhje.

Transkript i pergjimeve te publikuara nga Zeri i Amerikes

Përgjimet e siguruara nga BIRN, të cilat janë pjesë e dosjes ende nën hetim 339/1, tregonin se Altin Avdyli, i njohur si Niçja, ka pasur komunikime të vazhdueshme telefonike me kryebashkiakun Vangjush Dako nga janari 2017 deri në shkurt të vitit 2018. Përgjimet tregojnë gjithashtu se dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli kanë drekuar të paktën dy herë me Dakon në fillim të vitit 2017. Lidhja e kryebashkiakut me Avdylajt kulmoi megjithatë në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku një bisedë e publikuar tashmë nga media, tregonte përfshirjen e grupit të Shijakut në procesin zgjedhor.
Mbrëmjen e 24 qershorit, Altin Avdyli është përgjuar teksa komunikonte me një person të panjohur, i cili i premton 6 vota dhe i kërkon që “t’i thotë Vangjushit që t’u japë ndonjë lek që të votojnë”.

Dy ditë pas zgjedhjeve, më 27 qershor 2017, Dako është përgjuar sërish teksa flet në telefon me Altin Avdylin dhe kërkon të takohet me të vëllanë, Astritin. Sipas transkriptit të zbardhur, Dako thotë “doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë…”.
Një prokuror në dijeni të hetimit, që foli me BIRN në kushtet e anonimatit tha se kreu i dyshuar i bandës, Astrit Avdyli komunikonte me kryebashkiakun Dako jo me telefonin e tij, por përmes personave të tjerë. Prokurori i tha BIRN se rrjedhja në media e lajmit se kryebashkiaku Dako ishte përgjuar në nëntor 2017 e dëmtoi hetimin. Por komunikimet u ndërprenë vetëm përkohësisht.

Në fund të janarit, gjatë emisionit “Opinion”, gazetarja Klodiana Lala e cila kishte qenë pjesë e publikimeve të BIRN dhe Zërit të Amerikës, zbuloi një tjetër përgjim nga dosja 339, pak orë pasi prokuroria kishte hapur hetime për rrjedhje informacioni dhe nxjerrje sekreti. Përgjimi tregonte një telefonatë mes Vangjush Dako dhe Astrit Avdylit. Sipas gazetares Lala, këtë herë ishte Dako ai që i kishte telefonuar Avdylit, duke e njoftuar për një favor në lidhje me detyrën.
“Pasi më ra rastësisht në dorë përgjimi, pikërisht aty pastaj mendova që duhet ta shoh temën në një këndvështrim tjetër. Është e njëjta dosje e Avdylajve, përgjimet të autorizuara me vendim gjykate. Ka shumë dokumenta, edhe të tjera. Unë kam dokumenta të tjera, ku Dako flet me Avdylin edhe për biseda që kanë të bëjnë me favore, përshembull në një rast është Dako që e merr në telefon Astrit Avdylin”, shprehej Lala në “Opinion”.
Dako: Niçe si je? I bëre gati letrat
Avdylaj: Po kryetar i bëra
Dako: Çoji te vendi se është bërë gati
Avdylaj: Faleminderit kryetar”

“Nuk kemi dashur të japim emra konkretë sepse kemi menduar të japim kontekstin e asaj që ndodh, që një zyrtar i lartë komunikon me persona me të kaluar kriminale”, u shpreh Lala.
Në tetor të vitit të kaluar, “Vol Vo 4”, megaoperacioni i Policisë së Shtetit në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar, rezultoi të ishte vetëm maja e ajsbergut në atë cka do të denoncohej ditët në vijim në media, ndërsa protoganist vijon të mbetet kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Arrestimi i Avdylajve në Shijak, zbuloi atë cka përflitej nën zë prej thuajse një viti, nga opozita por edhe biseda gazetarësh apo studio televizive.
Nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Policia e Shtetit në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, e shtriu operacionin në 12 qytete nga Hasi deri në Sarandë, ku u goditën anëtarë nga 4 grupe të skeduara kriminale, në kuadër të operacionit ”Forca e Ligjit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë