Bota

Dorëhiqet Sekretarja e Punës në SHBA, ministrja e tretë që lë qeverinë

Gazeta Si – Sekretarja e Punës së SHBA-ve, Lori Chavez-DeRemer, njoftoi dorëheqjen e saj të hënën. Ajo nuk dha një arsye, por ka shumë të ngjarë që vendimi të rrjedhë nga skandalet e fundit në të cilat është përfshirë.

Chavez-DeRemer është Sekretarja e tretë që largohet nga qeveria që nga fillimi i mandatit të dytë të presidentit Donald Trump.

Në muajt e fundit, Trump kishte shkarkuar Sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem dhe më së fundmi, Prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi. Ai gjithashtu shkarkoi më parë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Mike Waltz.

Rasti i Chavez-DeRemer është i ndryshëm nga të tjerët sepse, të paktën zyrtarisht, ishte ajo që dha dorëheqjen, jo Trump që e shkarkoi.

Në realitet, ajo kishte qenë nën presion të madh brenda qeverisë për njëfarë kohe, për shkak të një hetimi disamujor për sjellje të dyshuara të pahijshme në vendin e punës.

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Punës, po e heton atë pas një padie anonime që pretendon se Chavez-DeRemer kishte një lidhje me një anëtar të ekipit të saj të sigurisë dhe përdorte burimet e departamentit për udhëtime personale.

Dokumentet e hetimit, të parë nga “New York Times”, pretendojnë gjithashtu se Chavez-DeRemer konsumonte alkool në punë dhe ishte përfshirë në sjellje joprofesionale me anëtarët e stafit të saj.

Sjellja e bashkëshortit të saj, Shawn DeRemer, gjithashtu shkaktoi polemika. Ai u ndalua nga selia e Departamentit të Punës në shkurt pasi u akuzua për ngacmim seksual të punonjëseve femra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë