Ne rrjet

Zbulohet propozimi serb për shkëmbim territoresh me Kosovën

Nëse në Prishtinë dhe Tiranë zhurma e shkaktuar nga deklaratat e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për “korrigjim” kufijsh mbetet ende në fazë diskutimi, në Beograd kanë kaluar në një fazë tjetër; atë të heqjes së vijës së re kufitare që do të ndante shqiptarët e serbët në rast të një marrëveshjeje të mundshme.

Pas Qendrës së Studimeve Euro-Atlantike, në Serbi është publikuar së fundmi edhe një propozim i gjashtë ekspertëve serbë të mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Serbinë. Propozimi është siguruar nga gazeta Zëri në Kosovë dhe për autorësi ka Miladin Kovaçeviç, Dushan Gavriloviç, Dragan Popoviç, Milena Stevoviç, Liljana Sekuliç dhe Katarina Staniç.

Ajo që bie në sy edhe në këtë propozim të serbëve është fakti se shpërfillen deklaratat e Hashim Thaçit, që këmbëngul se me idenë për korrigjim kufijsh nuk nënkupton shkëmbim territori Luginë e Preshevës-Veriu i Kosovës.

Përkundrazi, jo vetëm që e marrin të mirëqënë faktin e shkëmbimit, gjithmonë nëse do të arrihet një marrëveshje, por bëjnë edhe përllogaritjet e përfitimeve ekonomike e sociale që do të pasonin këtë ujdi.

Sipas autorëve serbë, katër komunat veriore të Kosovës, Zveçani, Leposaviçi, Zubin Potoku dhe Mitrovica Veriore duhet t’i bashkangjiten Serbisë. Këto katër komuna kanë pak më shumë se 42 mijë banorë në total, sipas raportit.

“Komunat e mësipërme de facto janë të integruara në sistemin ekonomik të Serbisë dhe zbatimi i këtij skenari nuk pasona trazira shoqërore, etnike dhe në qeverisjen vendore”, vërejnë ekspertët serbë në raportin e tyre.

Kosovës propozojnë që t’i kalojë vetëm Komuna e Preshevës, me një popullsi rreth 30 mijë banorë dhe jo Medvegja e Bujanoci, megjithëse prezenca e shqiptarëve në këto dy komuna është e konsiderueshme.

Në raport përllogariten edhe përfitimet që do të kishte Serbia në rast të zbatimit të këtij skenari.

“Diferenca prej 12 mijë banorës mund të konsiderohet fitim demografik dhe veç kësaj, nëse Presheva i kalon Kosovës dhe katër komunat Serbisë, Serbia do të shtonte në sipërfaqen e saj 1 mijë kilometra/katrorë më shumë”, thuhet aty.

Kjo është pjesa e përgjithshme, por sipas gazetës Zëri, raporti përllogarit edhe përfitimet ekonomike që do të mbërrinin për Serbinë, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për pasuritë sipërfaqësore, por edhe çfarë përmban nëntoka në këtë pjesë të Kosovës.

Raporti i serbëve thotë se minierat e Trepçes do t’i siguronin Serbisë të ardhura vjetore deri në 90 milionë euro. Pra, në vetëm dy dekada Serbia do të përfitonte nga kjo marrëveshje plot 1.8 miliardë euro.

Propozimi i 6 ekspertëve serbë mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Serbinë, Soros

Ky është draft-propozimi i dytë që shfaqet në Serbi për këtë temë në harkun kohor të pak ditëve. Më herët, në një raport prej 40 faqesh të publikuar online, Qendra për Studime Euro-Atlantike në Beograd propozon rishikim të kufirit të vendosur në fund të luftës, pas zbarkimit në terren të trupave të NATO-s në Kosovë, por diametralisht kundër kendvështrimit të Presidentit Hashim Thaçi.

“Hapi i parë është që të merret si e mirëqënë mundësia e korrektimit të vijës administrative mes Serbisë dhe Kosovës, sidomos në veri të Kosovës, përfshirë Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi. Janë katër komuna me popullsi serbe. Në këmbim, Serbia mund të ofrojë krijimin e një bashkësie të komunave shqiptare në jug”, thotë kjo Qendër.

Në raportin e saj, kjo qendër deklaron se jo domosdoshmërisht kalimi i këtyre katër komunave si pjesë e territorit serb do të thotë shkëmbim me komuniat që janë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, duke iu referuar këtu Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

“Propozimi për të korrektuar vijën administrative nuk ka të bëjë me idenë e delimitimit sipas përbërjes etnike, por mbërrin si ide, sepse as Perëndimi dhe as Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk e ka të qartë se sa duhet të ndëshkohet ende Serbia për krimet e kryera nga regjimi i Millosheviçit në Kosovë”, thuhet në raport.

Kjo qendër kërkon që Serbia të investojë për mirëqënien dhe zhvillimin e shqiptarëve në jug të Serbisë dhe si shembull sjell rastin e Kryeministrit Zoran Gjingjiç në vitin 2001.

“Zoran Gjingjiç arriti që të zgjidhë në kohë rekord konfliktin që shpërtheu në 2001 në Luginën e Preshevës. E bëri këtë duke dialoguar, duke njohur të drejta dhe në bashkëpunim me NATO-n”, kujton CEAS.

Sa u takon çështjeve që mund të pengojnë realizimin e këtij skenari, Qendra për Studime Euro-Atlantike në Beograd propozon mbajtjen e një konference ndërkombëtare nën patronazhin e NATO-s.

“Për çështjet të diskutueshme, si në rastin e ujëmbledhësit të Gazivodës, që kontribuon masivisht në furnizimin me ujë të Kosovës dhe që në rast të korrektimit të vijës administrative, pjesa më e madhe e tij do të kalonte nën juridiksionin e Serbisë dhe vetëm një pjesë e vogël do të mbetej si pjesë e Kosovës, por edhe për çështje të tjera, me rëndësi të për Perëndimi dhe për NATO-n mund të diskutohej dhe gjehej zgjidhja përmes një konference ndërkombëtare”, propozon CEAS.

Raporti shtjellon më tej idenë e zhvillimit të një konference ndërkombëtare. Thotë se palë në këtë konferencë duhet të jetë Shqipëria dhe jo Kosova.

“Menjëherë sapo vija administrative të jetë korrigjuar me marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të ftohen në konferencën ndërkombëtare Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Kroacia. Në këtë konferencë mund të gjenden kompromise për të mbyllur njëherë e përgjithmonë konfliktet dhe mëritë për vijën kufitare”, thuhët në raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë