Art dhe Kulture

“Doktor Shuster” do flasë shqip në Beograd

“Doktor Shuster”, shfaqja e suksesshme e Teatrit të Korçës do të ngjitet më 23 nëntor në skenën e Teatrit “Zvezdara” në Beograd. Është pikërisht faqja zyrtare e këtij teatri, që lajmëron ardhjen e trupës shqiptare në Beograd, duke vlerësuar interpretimin e aktorëve shqiptarë. E quajtur një komedi e zezë, shkruar nga dramaturgu serb Dushan Kovaçeviç, kjo vepër u ngjit në skenën shqiptare nga regjisori i ri Qëndrim Rijani. Vetë regjisori e cilëson udhëtimin drejt Beogradit si një lloj dialogu, por në shqip. Vepra përmban mesazhe bashkëkohore për shoqërinë ku spikasin metaforat mbi raportet baba-fëmijë, burrë-grua, motër-vëlla, vëlla-vëlla. Por pyetja thelbësore që mbart kjo vepër ka të bëjë me moralin njerëzor. Duket sikur komedia përmban brenda saj gjithë problematikën e rajonit të Ballkanit. Ndërsa elementi “karrocë” vjen si përkrahje ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, dhe keqardhja është ajo gjë për të cilën ata kanë sa më pak nevojë. Vetë regjisori Rijani u shpreh se vepra përfaqësonte shqetësimin e tij personal. “Vepra përfaqëson dhe shqetësimin tim personal përmes fjalëve të autorit. Fakti që zgjodha këtë vepër teatrore për ta sjellë në skenën e teatrit është problematika e saj, që është koherente me problematikat e shoqërisë që jetojmë në kohë tranzicioni”, është shprehur Rijani. Në skenën e Teatrit të Korçës ajo u interpretua nga aktorët Sotiraq Bratko, ‎Zamira Kita, ‎Dritëro Ame, Blerta Belliu dhe ‎Shkëlqim Jaupi.

Pas Teatrit të Korçës kjo vepër u ngjit dhe në skenën e Teatrit Kombëtar. Më parë, kjo vepër është ngjitur në skenën e Teatrit nën regjinë e Spiro Dunit dhe në rolin e Doktor Shuster ka interpretuar Robert Ndrenika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë