Sport

Djali i Shumaker e nis mbarë me Ferrarin, elozhe nga Vetel

Pasi firmosi kontratën me akademinë e Ferrarit, duket se një e ardhme e ndritur e pret Mik Shumakerin në skuderinë italiane. Djali i pilotit rekordmen gjerman, Majkëll Shumaker ka debutuar ditën e diel për herë të parë me makinën Ferrari në eventin, “Race Of Champions”. Me pilotin e parë të Ferrarit, Sebastian Vetel si partnet, Shumaker xhunior nuk ka zhgënjyer dhe ka treguar një nivel që mund të jetë shumë shpejt gati edhe për Formula 1.

Mik Shumaker ia doli që të lërë pas vetes në garën e ditës së diele, Vetelin, për të cilin ishte hera e parë që nuk e fitonte këtë garë. Mik Shumaker u rendit në vendin e dytë të shtunën, ndërsa të dielën mori revanshin ndaj patriotit të tij në garën individuale. Ndërsa si ekip, Ferrari u mposht nga skuadra “Nordic”.

Pas kësaj eksperience të parë si pilot i akademisë së Ferrarit, Mik Shumaker u shpreh shumë i lumtur. “Ishte një eksperiencë unike dhe një gjë e veçantë që ta ndaja me Sebastianin,” tha Shumaker. “Ai bëri një punë shumë të mirë dhe falë tij ne si ekip ia dolëm që të vijmë deri në finale. Jam shumë i lumtur me rezultatin që arritëm në këtë event edhe pse nuk ishte e mjaftueshme për të marrë vendin e parë, por gjithsesi edhe vendi i dytë nuk ishte keq.”

Ndërsa piloti kryesor i Ferrarit, Sebastian Vetel nuk i ka kursyer elozhet për pilotin 19-vjeçar. “Jam krenar për atë që mundëm të bëjmë bashkë me Mik,” shtoi Vetel. “Do kishte qenë super nëse do të shkonim në shtëpi bashkë me trofeun, por unë jam krenar, pasi të dy bëmë një performancë shumë pozitive. Për mua ishte një ndjesi shumë speciale që të kisha në krahë Mik. E mbaj mend shumë mirë kur partner në Garën e Kampionëve kisha babain e tij, Majkëllin. Të gjithë mezi po e presim momentin kur Majkëll të jetë në tribunë për të brohoritur për triumfet Mik, por jam i sigurt që edhe në gjendjen aktuale ai është shumë krenar për djalin e tij.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë