Mendim

Ditmiri që nuk pati “fatin” e Majlindës

Janë me gishta njohësit më të mirë të MSA-së. Një prej tyre edhe Ditmir Bushati. Një teknicien që dallonte në Ministrinë e Integrimit dhe që në një kohë tjetër drejtueses së saj, Majlinda Bregut, jo pak herë i sillte një gërditje revoltuese sa herë “përlesheshin” për integrimin nëpër studio televizive.

Ditmir Bushati pushohet nga puna në Ministrinë  e Integrimit, ndërsa Bregu shënonte ngjitje gjatë qeverisjes së PD-së.

Me rotacionin e vitit 2013 ndryshuan edhe pozicionet. Majlinda Bregu lë Ministrinë e Integrimit dhe merr drejtimin e komisionit parlamentar për të njëjtën çështje. Ditmir Bushati në anën tjetër merr detyrën e ministrit të jashtëm në qeverinë “Rama 1”.

Përplasjet mes tyre nuk mbarojnë. Bregu e thërret disa herë Bushatin në komisionin e Integrimit për raportim. Nuk mungojnë as batutat apo “ngacmimet” politike mes tyre. Mbahet mend përshembull në një ditë vjeshte kur Bregu e krahasonte praninë e Bushatit në komision me atë të këngëtares së famshme Rihana nisur nga vëmendja e madhe mediatike që merrte prania e tij, sa herë do të vendoseshin përballë njëri tjetrit.

Ata të dy janë edhe “të përkëdhelurit” e ndërkombëtarëve, njohës të mirë të integrimit, dhe paralel në një luftë të heshtur në karrierë profesionale...

...Gjithçka ndryshoi me spostimin e Bregut nga Lulzim Basha, këtu e tre vjet më parë. Bushati nuk kursen lavdet për Bregun, e fton në aktivitete të rëndësishme për vendin  si politikane dhe përplasjet e tyre vaniten. Majlinda Bregu garon për një post jashtë Shqipërie në një garë të fortë për detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Ajo merr pëlqimin e ministrave të Jashtëm të Europës Juglindore në prill të vitit 2018 dhe merr zyrtarisht detyrën në muajin janar të një viti më vonë.

Majlinda Bregu merr mbështetjen në këtë garë edhe të qeverisë shqiptare dhe vetë ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati me të cilin dikur kishin pasur jo pak “fërkime”, por që shkallët e tyre në diplomaci ishin thuajse të njëjta.

Dhe ja ku vjen radha e Bushatit. I shkarkuar nga detyra e ministrit të Jashtëm dhe me shumë qejfmbetje ndaj Ramës, i spostuar jo pak nga strukturat zyrtare të partisë, Bushati propozohet për një detyre jashtë funksioneve partiake të PS-së, në atë të  Sekretarit për Lirinë e Medias në OSBE. Bushati, (ashtu si edhe Bregu dikur) lobon fuqishëm qysh prej muajit shtator kur Edi Rama e propozoi zyrtarisht.

Në fund të kësaj gare, Bushati nuk mori mbështetjen e nevojshme nga 57 vendet anëtare.

Ditmir Bushati i propozuar nga Rama nuk u votua nga ky i fundit kur përballë tij garoi dhe më pas triumfoi  portugezja Teresa Ribeiro.

Ditmir Bushati e humbi këtë betejë në karrierën e tij profesionale, por edhe përballë një tjetër figure që mbështetjen ndërkombëtare e kanë të ngritur thuajse njësoj, Majlinda Bregut, e cila vijon të jetë aktive në detyrën si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Të shohim në “tokatën” e dytë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë