Histori

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, historia e shqipes dhe nga se rrezikohet ajo

“Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”, do të shprehej gjuhëtari dhe albanologu shqiptar, Eqerem Çabej.

Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë Rajonale për Shkencë dhe Kulturë në Europë, sot (21 shkurti) shënohet si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, 21 Shkurti.

Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 1999 në përkujtim të protestave të studentëve të universitetit Dhaka, me origjinë nga Bengali, të cilët u konfrontuan me policinë pakistaneze për të mbrojtur gjuhën e tyre bengaleze si gjuhë zyrtare.

Prej kësaj date, vendet anëtare të OKB-së organizojnë tubime promovuese dhe ndërgjegjësuese të natyrave të ndryshme në mbrojtje të diversitetit gjuhësor e kulturor të gjuhës amtare si dhe të shumëgjuhësisë brenda shteteve.  Edhe në Shqipëri, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar, organizoi konferencën me titull “Shqipja, shoqëria, e ardhmja”, duke bërë bashkë gjuhëtarë, studiues të shqipes. Sipas gjuhëtarëve, një ndër problemet që prek gjuhën shqipe është përdorimi i fjalëve të huaja.

Pjesë e familjes së gjuhëve indoevropiane shqipja do të tërhiqte herët vëmendjen e filologëve të huaj, për mundësitë e pafund të shprehjes, forcën dhe “peizazhin e saj të brendshëm”, siç e përshkruante historiani gjerman Gottfried Schramm.

Historia e Gjuhës shqipe

Gjuha jonë daton që nga viti 1462, kur Imzot Pal Engjëlli, shkroi në shqip Formulën e Pagëzimit. Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indo-iraniane, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave e të tjera, ndërsa Meshari i Gjon Buzukut është libri më i vjetër i botuar dhe përkthimi i parë në gjuhën shqipe. Gjuha jonë është një degë e veçantë e kësaj familje dhe nuk ka asnjë lidhje me gjuhët e sotme indoevropiane. Përcaktimi i gjuhës shqipe si një ndër gjuhët indoevropiane u bë nga dijetari gjerman, Franz Bopp, i cili shkroi edhe librin “Ueber das Albanesische in scinen verëandtschaftlichen Bezichungen”, botuar në vitin 1854.

"Meshari" i Gjon Buzukut

Gjithashtu, faktet historike kanë treguar se gjuha jonë është një ndër më të vjetrat në Ballkan, duke qenë se është vazhdim i ilirishtes. Që prej asaj kohe, fiset ilire nuk lejuan që gjuha e tyre të shuhej nga pushtimi romak, njëjtë siç bënë shqiptarët, në shumë luftëra të mëvonshme, pavarësisht se pushtimi osman ndikoi shumë. Por të parët tanë nuk e harruan gjuhën e tyre dhe në vitin 1879 u formua alfabeti i Shoqërisë së Stambollit (në kohën e pushtimit osman), i cili ishte i përshtatshëm për gjuhën shqipe dhe ku mund të gjejmë vepra të shumta që janë shkruar nga shkrimtarë të ndryshëm shqiptarë.

Më pas, alfabeti u rishikua dhe në vitin 1908 Kongresi i Manastirit miratoi alfabetin me të cilin shkruajmë dhe flasim edhe në ditët e sotme.

Prej kohësh, studiues të mëdhenj kanë hulumtuar mbi gjuhën tonë duke e krahasuar atë me gjuhë të tjera. Për sa u përket dialekteve, gjuha shqipe është një njësi gjuhësore që përputhet me të gjitha njësitë etnike. Ajo është e përbërë nga dy dialektet kryesore, Toskërishtja në Jug dhe Gegërishtja në Veri.

Në gegërishten e veriut përcaktohen edhe tre nënndarje. E para që përfshin të folurën e zonës së Shkodrës dhe Malësisë së Madhe dhe e dyta që përfshin të folurën e qyteteve si Durrësi, Tirana, Elbasani dhe rrethinat dhe e treta përfshin të folurën e krahinave të Kosovës dhe Dibrës.

E njëjta ndarje është edhe në dialektin e Toskëve, e para përkon me të folurën në zonën e Labërisë dhe të Çamërisë. Gjithashtu, gjenden larmi dialektore të toskëve tek shqiptaret e Italisë dhe Greqisë.

Nga se rrezikohet shqipja?

Gjuha shqipe u rezistoi dekadave të shumta, ndërkohë që gjuhëtarët kohët e fundit janë të shqetësuar, pasi shqipja është e rrezikuar nga trysnia e shumtë e fjalëve të huaja. Gjuhëtarë të ndryshëm herë pas here kanë theksuar se ndërveprimet ekonomike dhe kulturore me vende të tjera të botës, kanë bërë që gjuha shqipe të rrezikohet, duke u pasuruar me fjalë të huaja të panevojshme.

Gjuha shqipe, që prej periudhës së dokumentimit të saj në formën e shkruar, i është nënshtruar një evolucioni të vazhdueshëm. Që në veprat e autorëve të hershëm ruajtja, pasurimi dhe zhvillimi i gjuhës ka qenë një shqetësim kryesor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë