Futboll

Dita e Europa League, koha që pretendentët të fitojnë

Pas ndeshjeve të Champions League, këtë të enjte është radha e skuadrave të Europa League që të zbresin në fushë. Kompeticioni i dytë më i rëndësishëm për klube në Europë luan ndeshjet e raundit të tretë të fazës së grupeve. Janë disa, ekipet e mëdha europiane që luajnë këtë të enjte, duke filluar nga Milan, Arsenal, Çelsi, Sevilja apo edhe Lacio dhe të gjitha do të kërkojnë tre pikët. Ndeshjet e këtij raundi do të jenë vendimtare për të përcaktuar skuadrat që do të kalojnë grupin dhe pretendenteve nuk i’u tolerohen më gabimet.

Ndeshjet janë të grupuara në dy orare, të pasdites në ora 18:55 dhe në mbrëmje 21:00. Si në pasdite ashtu edhe në mbrëmje ka plot ndeshje interesante që nuk duhen humbur.

Pasdite, ndeshja që mund të veçohet dhe të konsiderohet si më e forta është ajo që luhet në “San Siro”. Milan pret në shtëpi spanjollët e Real Betis. “Kuqezinjtë” e Gatuzos pas humbjes në derbi, kërkojnë të rikthehen me çdo kusht te fitorja. Me dy fitore në ndeshjet e para, Milan është komod në grup, por gjithsesi duhet fitore në këtë sfidë të tretë për të siguruar kalimin në raundin tjetër.

Shumë e fortë pritet të jetë edhe sfida që luhet në Lisbonë mes vendasve të Sportingut dhe Arsenal. Të dyja ekipet janë me nga 6 pikë pas dy ndeshjeve të para dhe kjo sfidë pritet të jetë vendimtare për të përcaktuar kreun e grupit. Ndeshje të luftuara, në orarin e pasdites pritet të jenë edhe përballjet mes Zurich e Leverkusen dhe ajo mes Zenit Petersburg e Bordeaux. Për të mos humbur do jetë edhe ndeshja e Celtic me Leipzig, ku gjermanët do kërkojnë tre pikët, pas humbjes në raundin e dytë.

Tabela e ndeshjeve që do të luhen në orarin e pasdites:

Përballjet e forta nuk do të mungojnë as në mbrëmje. Do të jenë disa, ndeshjet ku spektakli dhe golat janë të garantuara, por ajo që mund të veçohet si më e forta është Marsejë – Lacio. Francezët janë në shtëpinë e tyre dhe përballë skuadrës më të fortë të grupit do të kërkojnë të marrin tre pikët. Sfida do të jetë përcaktuese për kreun e grupit, me të dyja skuadrat që kuotohen në mesin e pretendenteve për të shkuar deri në finale. Çelsi i Sarrit do të presë në shtëpi Bate Borisov për të mbyllur një herë e mirë çështjen e kualifikimit në raundin tjetër. Pas dy fitoreve në ndeshjet e para, kjo e tretë shikohet si një formalitet për londinezët, por gjithsesi Bate duhet pasur frikë pasi është një ekip me eksperiencë në arenën ndërkombëtare.

Villarreal - Rapid Vienna pritet të jetë një ndeshje e luftuar, ku sigurisht spanjollët janë pretendentë për të marrë tre pikët. Ndërsa për Seviljan sfida me Akhisar pritet si një formalitet. Rangers i Eros Grezda ka një ndeshje shumë të vështirë me rusët e Spartak Moscow edhe pse fitorja mbetet objektivi primar.

Tabela e ndeshjeve që do të luhen në orarin e darkës:


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë