Lajme

Miratohet kontrata Milot-Balldren në Kuvend, PD: Rama po merr peng Shqipërinë

Teksa në 1 korrik do të hynte në fuqi ndalimi i ofertave të pakërkuara/PPP për projektet e infrastrukturës rrugore dhe afatet u dogjën, në kuvend ka nisur të diskutohet kontrata me ofertë të pakërkuar/PPP për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren.

Gjatë diskutimeve zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli e konisderoi veprën e rëndësishme pasi sipas tij, shërben si By Pass per qytetin e Lezhës.
“Do të ketë tunele, ura dhe mbikalime. 10 km rrugë dytësore. Rrugë të kategorise A”- tha Shkreli.

Deputeti Anastas Angjeli duke hyrë tek barra e buxhetit kërkoi të dijë se çfare efektesh kanë këto rrugë në buxhet e borxhe?

Sipas Shkrelit, projekti është aprovuar për standartet. “I referohemi manulave në fuqi në vend dhe çmimet janë sipas manualit”- tha ai.

Kostot e shtuara të projektit kanë ngjallur debate në komision.
Arben Ahmetaj: Çmimet janë në bazë të referncës
Artan Shkreli: Ka ngjashmëri, por ka edhe elementë që e përjashtojnë.
Arben Ahmetaj: 4.8 mln euro km jo 14-15mln euro.
Artan Shkreli: Nuk mund të them shumën e një km rruge.
Artur Roshi: Si nuk e krahason, kostot janë rritur ndjeshëm.

Kontrata u votua nga shumica në komision, ndërsa opozita e re votoi kundër.

Projekti i rrugës Milot – Balldren

Vlera totale e projektit e dakordësuar ndërmjet palëve sipas specifikimeve teknike, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës; projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe operimin e tunelit është 213,665,040 (dyqind e trembëdhjetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e dyzet) euro plus TVSH-në, sipas propozimit financiar, pjesë e kontratës së koncesionit/PPP.

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/kontratamilotballdre.pdf

https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20190528122408KONTRATE%20-%20MILOT-BALLDREN.pdf

Struktura e financimit përfshin një hua bankare prej 70,000,000 (shtatëdhjetë milionë) euro, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare.
Huaja do të përdoret tërësisht për të shlyer detyrimet që lidhen me ndërtimin e këtij aksi rrugor. Huaja do të fillojë të disbursohet gjatë vitit të parë dhe të dytë të projektit, në këste të barabarta, periudhë në të cilën do të llogariten interesat, por nuk do të paguhen.
Financimi nga furnitorët do të jetë në vlerën 19,500,000 (nëntëmbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) euro, ndërkohë shoqëria do të investojë nga kapitali i saj shumën prej 52,000,000 (pesëdhjetë e dy milionë) euro. Interesi i llogaritur i kapitalit të investuar nga shoqëria do të përdoren për ndërtimin e tubit të dytë të tunelit, sipas specifikimeve teknike në ofertën e paraqitur. Norma e interesit e llogaritur për gjitha burimet e financimit është 5%.

Projekti përfshin kontratën për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren, me gjatësi 15 km + 570.35 m, si dhe rrugët dytësore e lidhëse për të mundësuar lëvizjen e banorëve dhe akses në rrugën kryesore, me gjatësi 9.5 km. Në këtë projekt përfshihet ndërtimi i dy urave dhe ndërtimi I tunelit me dy tuba:

  1. Ura e Matit 620 m
  2. Ura e Drinit 223.4 m
  3. Tuneli në Malin e Rencit 850 m.

Në këtë projekt përfshihen, gjithashtu:
• Ndërtimin e 5 (pesë) interseksioneve dhe ndërhyrje në interseksionet ekzistuese për të bërë të mundur lidhjen e autostrades me zonat urbane.
• Ndërtimin e disa nënkalimeve dhe tre urave me gjatësi 19 m deri në 30 m.
• Ndërtimin e tombinove (tuba betoni) për të bërë të mundur qarkullimin e ujërave
sipërfaqësore.
• Ndërtimin e mureve mbajtëse.

Referuar dokumentit, në projektin e propozuar janë marrë në konsideratë zonat urbane nga ku kalon rruga duke i trajtuar ato me elementet e nevojshme dhe të domosdoshme urbane. Nisur nga mundësitë për të aksesuar nga rrugët ekzistuese në gjurmën e rrugës së re, objekti është segmentizuar në 8 segmente të tjera të mëdha.

Sipas projektit, në dokumentet standarde të tenderit dhe në studimin e fizibilitetit, ishte përcaktuar detyrimi i koncesionarit që projektimi do të përfshijë hartimin e projektit të plotë (projektide dhe më tej projektzbatimi) për ndërtimin e një aksi rrugor kategoria “A”, sipas standardit shqiptar. Projekti do të përfshijë projektimin e rrugës nga Nyja e Milotit (kryqëzimi me Rrugën e Kombit) dhe deri në Balldren afër kryqëzimit me rrugën e Tororvicës, përfshirë dhe projektimin e tunelit sipas këtij standardi (kategoria “A”) me dy gryka dhe në përputhje të plotë me kërkesat e projektimit sipas standardeve shqiptare dhe normativat evropiane të përditësuara për ndërtimin e tuneleve. Ndërtimi parashikonte vetëm një grykë të tunelit duke lënë të gjitha lidhjet sipas projektit për të lehtësuar në kohë të mëvonshme ndërtimin e grykës së dytë pa ndërprerë qarkullimin apo kryer punime shtesë.

Gjatë negociimit të kontratës nga komisioni i dhënies me koncesion/partneritet publik privat me përfaqësuesin e ofertuesit fitues “ANK”, sh.p.k., në cilësinë e koncesionarit dhe administratorit të shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., në cilësinë e shoqërisë koncesionare u kërkua në mënyrë të përsëritur përmirësimi i ofertës të shoqërisë.
Mandej, u vendos që projekti teknik do të përmbajë përveç një tuneli me dy tuba dhe dy portalet në hyrje dhe dalje për dy tubat si dhe lidhjet e dy tubave, ajo do të marrë përsipër edhe ndërtimin e tunelit sipas standardit (kategoria “A”) me dy tuba, ku përfshihen dhe dy portalet në hyrje dhe dalje për dy tubat si dhe lidhjet ndërmjet tyre, kjo në përputhje të plotë me kërkesat e projektimit sipas standardeve shqiptare dhe normativat evropiane të përditësuara për ndërtimin e tuneleve.

Ofertat e pakërkuar prej shumë kohësh janë kritikuar nga organzimat ndërkombëtare si projekte jo transparente dhe të dyshimta në aspektin e përfitimit real të qytetarëve.
Prandaj qeveria vendosi të hartojë një projektligj që do të ndalonte ofertat e pakërkuara në fushën e infrastrukturës rrugore, projektligj i cili shkoi në kuvend për tu diskutuar, por për të nuk nisën asnjëherë diskutimet.

Projektligji u deklarua në krye të herës se do të hynte në fuqi më 1 korrik. Projektligjit i kaluan afatet që përkthehet “Le të vazhdojnë ofertat e pakërkuara”

Reagimi i opozitës

Menjëherë pas diskutimit në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave të kontratës për rrugën Milot- Balldren vjen reagimi i demokrates Jorida Tabaku.
"Kryeministri ka vendosur ta marrë peng Shqipërinë përmes këtyre kontratave dhe blerjes së votave. Tanimë, skema e tij është e qartë në çdo detaj apo shtresë të blerjes së votave", thotë ajo.

“Vetëm parlamenti ilegjitim mund të votojë një kontratë të tillë! Pasi qytetarët kanë lexuar me sytë e tyre dhe kanë dëgjuar zërin e kryeministrti dhe përfaqësuesve të mazhoranvës duke blerë vota apo intimiduar qytetarët për votën, në Kuvendin e Shqipërisë po përgatiten të kalohen ndër të tjera dy kontrata korruptive.”- shkruan Tabaku duke shtuar: “Në këto momente ka filluar diskutimi ne komisionet parlamentare i dy kontratave korruptive të rrugëve Milot-Balldren dhënë shoqërisë ANK shpk me vlerë 296 mln euro si dhe kontrata për rrugën Orikum-Porti i Jahteve dhënë kompanisë “Gjikuria” shpk me vlerë 70 mln euro. Me gjasë këto dy kontrata do të kalojnë këtë të enjte në parlamentin e dalë si pasojë e krimit të organizuar dhe blerjes së votave.Në mes të zhurmës së përgjimeve nuk ka asnjë akt dhe asnjë veprim që tërheq pas qeverinë për të kaluar këto kontrata korruptive.”

Sipas Tabakut, këto kontrata të dhëna me vlera të fryra, me ofertë të pakërkuar, pa tender dhe pa garë, pa vlerë fikse, pa studim teknik, me kompani që qartësisht nuk i kanë kapacitetet të cilat do paguhen nga buxheti shtetit për 10 deri ne 15 vitet e ardhshme janë denoncuar nga partia demokratike që shtatorin e vitit të kaluar si pjesë e paketes antimafia. Prandaj, shkruan ajo, nuk është habi që ky akt imoral, antikushtetues dhe anti-demokratik të kryhet pasi kryeministrin e kemi dëgjuar të gjithë duke “kërkuar” llogari apo duke përgëzuar njeriun e preferuar që merej me votat në Dibër.

“Fatkeqësisht ajo që ne parashikuam po ndodh. Programi 1 mld i PPP po përdoret për pastrimin e parave, ky program po vjedh dhe zhvat qytetarët, ky program ka nxjerrë kostot më të larta për km të rrugëve, që, në Unazën e re shkonin në 22 mln euro/km dhe këtu deri në 16 mln euro për km. Kjo skemë korruptive gjigande duhet të ndalet menjëherë”- thotë Tabaku.

Edhe Ish deputeti tjetër i Partisë Demokratike Agron Shehaj do të denonconte projektin pak kohë më parë si një aferë korruptive mafioze.

Në kontratën e koncesonit Milot-Balldrem, do të thoshte ai, ANK ka marrë përsipër që 52 milionë euro nga kostoja e projektit do t’i financojë me kapitalin e vet. “Por ANK ka kapital vetëm 4 milionë euro, edhe këtë në mjete dhe ndërtesa dhe dhe jo para. Logjika minimale thotë se këto 52 milionë euro janë kosto e fryrë që ANK do bëjë gjoja sikur do e investojë. Pasi të kompensohet nga qeveria për këto 52 milionë euro plus interesin mbi to prej 21 milionë euro, pra me plot 73 milionë para, ANK do t’i ndajë këto para me qeveritarët që ja dhanë dhe po e mbrojnë koncesionin.”- do të shkruante Z. Shehaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë