Futboll

Disiplina kërcënon Tiranën, 30 ditë kohë të shlyejë Muzakën

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka publikuar masat ndëshkimore për ngjarjet që kanë cenuar aktivitetin sportiv në javën e tetë të Superligës Shqiptare. Edhe këtë herë si zakonisht, Disiplina ka dalë me vendime të ashpra për një pjesë të klubeve apo lojtarëve që kanë dështuar në organizimin e ndeshjeve, apo kanë shfaqur sjellje antisportive.

Vendimi që ka tërhequr më shumë vëmendjen në këtë publikim të Komisionit të Disiplinës është paralajmërimi që i jepet Tiranës për çështjen “Muzaka”. Komisioni i kërkon klubit bardheblu që të shlyej pjesën e mbetur të detyrimeve financiare që ka kundrejt mesfushorit, pasi në rast të kundërt do të ndërmarrë penalitetet e parashikuara në rregullore.

“Detyrohet “K.F Tirana” të ekzekutojë pjesës së mbetur të detyrimeve financiare ndaj kërkuesit Gjergji Muzaka sipas vendimit Nr.1 datë 23.01.2017 të DHKZK brenda një afati 30 ditor, duke nisur nga data e shpalljes së këtij vendimi. Paralajmërohet “K.F Tirana”, se me kalimin e afatit 30 ditor, do të merren masat përkatëse në bazë të Kodit të Disiplinës Sportive.”- shkruhet në vendimin e Komisionit të Disiplinës në FShF.

Nga klubet e Superligës, ato që duket e kanë pësuar më keq nga vendimmarrja e Komisionit të Disiplinës janë Kamza dhe Luftëtari. Dy ekipet që janë në garë me njëra-tjetrën në luftën për mbijetesë janë gjobitur për shkak të problemeve që kanë pasur në aspektin organizativ të ndeshjeve. Luftëtari është dënuar me zhvillimin e një ndeshje pa spektatorë në stadiumin e tij, ndërsa Kamza, me gjobë në masën 500 mijë lekë.

Shumë i ashpër ka qenë Komisioni i Disiplinës me klubin e Shënkollit në Kategorinë e Parë. Dy lojtarë të kësaj skuadre janë dënuar me një vit pezullim, një tjetër me katër muaj, ndërsa vetë klubi është dënuar që në katër ndeshjet e ardhshme, mos të ketë tifozë në shkallët e stadiumit. Për sjellje të gabuar të spektatorëve është dënuar edhe skuadra e Ilirisë, që nuk do të ketë tifozë për katër ndeshjet e ardhshme në kampionat. Ndërsa Tomori dhe Lushnja me të njëjtën akuzë, janë dënuar me gjobë në masën 50 mijë lekëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë