Keshilla

Disa mënyra si mund të pastroni dhëmbët e foshnjës

Edhe pse të gjithë dhëmbët e parë bien, është e rëndësishme të kujdeseni për ta. Humbja ose prishja e këtyre dhëmbëve mund të deformojë gojën, duke shkaktuar probleme kur dhëmbët e përhershëm zënë vendin e tyre. Për më tepër, fëmija juaj do të varet nga dhëmbët e tij kryesorë për përtypjen dhe ushqimin e duhur, si dhe të folurit dhe pamjen, për shumë vite. Fillimi i zakoneve të rregullta të larjes herët do të bëjë që fëmija juaj të mbajë një higjienë të mirë dentare në të ardhmen. Këto këshilla mund t'ju ndihmojnë të pastroni siç duhet dhëmbët e qumështit.

Mësoni fazat e dhëmbëve të qumështit

Grupi i parë i dhëmbëve del kur fëmija juaj është rreth 6 muajsh; ata janë zakonisht dy të mesit në pjesën e poshtme. Rreth 8 muajsh, fillojnë të dalin dhëmbët e parë në pjesën sipër. Dy dhëmbë në secilën anë të tyre shfaqen rreth 9 deri në 10 muajsh. Më pas dalin katër dhëmbë çdo katër muaj, derisa të 20-të të kenë dalë në moshën 3-vjeçare. Gjithsesi kjo nuk ndodh njësoj tek të gjithë fëmijët.

Pastroni gojën e foshnjës para se të fillojnë të dalin dhëmbët

Para se të fillojnë të dalin dhëmbët e fëmijës, fshini mishrat e gojës me një leckë të ngrohtë e të lagur ose me një copë garzë të lagur të mbështjellë rreth gishtit tuaj. Ju gjithashtu mund të blini pajisje të buta gome të ngjashme me gishtat për t'i përdorur për të larguar ushqimin e tepërt.

Përvetësoni procesin e pastrimit të dhëmbëve

Pasi të dalin dhëmbët, Akademia Amerikane e Stomatologjisë Pediatrike (AAPD) rekomandon që të vendoset një pikë pastë dhëmbësh me fluor në madhësinë e një kokrre orizi në një furçë dhëmbësh të butë. Përdoreni për të pastruar dhëmbët e foshnjës tuaj dy herë në ditë, duke e rritur gradualisht sasinë e pastës. Larja e dhëmbëve në darkë është më e rëndësishme. Për të parandaluar që fëmija juaj të gëlltisë shumë fluor, që çon në një gjendje të quajtur fluorozë, fshini çdo mbetje gjatë larjes. Kur dhëmbët e foshnjës tuaj prekin njëri-tjetrin, është koha që të filloni t'i pastroni ato.

Planifikoni vizitën e parë tek dentisti

AAPD rekomandon caktimin e një takimi kur të shfaqet dhëmbi i parë ose jo më vonë se ditëlindja e parë e fëmijës suaj. Dentistët pediatër mund të zbulojnë prishjen e hershme të dhëmbëve dhe të japin informacion mbi zhvillimin e duhur të gojës dhe fytyrës. Programoni takime gjatë kohës së ditës kur fëmija juaj është më i qetë.

Vini re kur ka një problem.

Prishja e dhëmbëve mund të ndodhë si rezultat i ekspozimit të vazhdueshëm ndaj sheqerit natyral në qumështin e gjirit ose formulë. Shenjat e para janë zakonisht njolla të bardha në vijën e mishrave të dhëmbëve të sipërm të përparmë. Përfundimisht, do të formohet një zgavër, e karakterizuar nga njollë dhe gropa të vogla. Nëse vëreni ndonjë nga këto simptoma, sigurohuni që menjëherë të konsultoheni me dentistin e fëmijës suaj.

Shmangni Kariesin e fëmijërisë së hershme

Një pjesë tjetër e rëndësishme e higjienës së mirë dentare është parandalimi i një sëmundjeje të quajtur zakonisht kariesi i fëmijërisë së hershme, e cila mund të çojë në humbjen e dhëmbëve primar. Zakonisht zhvillohet tek foshnjat që vihen në shtrat në mënyrë rutinore me shishe qumështi dhe është i njohur për shkaktimin e kariesit. Mos e lini kurrë foshnjën tuaj me një shishe për periudha të gjata kohore, veçanërisht nëse vini re se ai nuk po ushqehet më dhe po e përdor shishen vetëm për rehati.

Burimi: Parenting. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë