Politike

Foto-Video/ Diplomatët iranianë lënë Shqipërinë, nuk pranojnë dorëzimin normal të ambasadës. RENEA e policia marrin nën kontroll godinën

Gazeta Si - Edhe pse ambasada e Iranit kishte nisur përgatitjet për t’u larguar përfundimisht nga Shqipëria që të mërkurën, pak pas afatit prej 24 orësh të vendosur nga kryeministri Edi Rama, dyshohet se stafi ka refuzuar që të dorëzojë në mënyrë diplomatike godinën ku qëndronin. Stafi iranian nuk ka dorëzuar çelësat e godinës dhe nuk ka hequr flamurin, për ta dorëzuar në mënyrë normale godinën.

Gjendur në këtë situatë, Antiterrori, RENEA dhe Njësia Antieksploziv kanë nisur gjatë paradites së kësaj të enjteje, kontrollin e godinës, ku ishte ambasada e Iranit.

Forcat e policisë kanë hyrë në ambientet e brendshme të ambasadës iraniane në Tiranë, kur diplomatëve u kishte mbetur dhe pak orë kohë për të liruar godinën, pak pas mesditës.

LEXO EDHE:
- A humbet tregtia nga shkëputja e marrëdhënieve me Iranin? Çfarë sugjerojnë shifrat
- Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike, Irani: Shqipëria iu bashkua komplotit të SHBA-ve dhe Izraelit
- SHBA dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë: Do mbajë përgjegjësi
- Sulmi kibernetik nga Irani, Britania e Madhe rreshtohet pro Shqipërisë
- ‘Nuk është aspak befasi’, ekspertët amerikanë: Pse Irani sulmoi Shqipërinë

Në ambientet e selisë diplomatike në rrugën “Mustafa Matohiti”, ka pasur ende lëvizje punonjësish mëngjesin e kësaj të enjteje, të cilët me sa duket nxitonin të mbyllin punët e fundit. Por deri në mesditë, autoritetet shqiptare konfirmuan se tashmë nuk ka mbetur asnjë diplomat iranian në Shqipëri. Shumica e tyre janë larguar në rrugë tokësore nga Maqedonia e Veriut

Në orët e vona të mbrëmjes të së mërkurës, brenda selisë së ambasadës së Iranit, pati flakë, tym dhe prani të punonjësve të policisë. Policia e Shtetit tha se “nuk kishte asnjë problem, pasi personeli i Ambasadës së Iranit po digjte materialet shkresore".

Afati i diplomatëve iranianë së bashku me stafin për të boshatisur ndërtesën ishte ora 12:30 e mesditës së sotme. Selia diplomatike ka qenë me qira, ndërkohë që në godinë është parë edhe pronari i saj.

Sipas informacioneve paraprake, ka pasur një letër këmbim mes ambasadës të Iranit dhe Ministrisë të Punëve të Jashtëm shqiptare. Prej tyre është kërkuar më shumë kohë për t'u larguar, por kërkesa nuk është pranuar.

Largimi i ambasadës iraniane u bë për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me të nga vendi ynë pasi u zbulua se sulmi kibernetik i pak javëve më parë, ishte një lëvizje e orkestruar nga shteti i Iranit.

Kryeministri Rama u shpreh se gjatë hetimit janë gjetur “prova të pakundërshtueshme” se Irani “kishte aktivizuar 4 grupe” në sulmin kibernetik të 15 Korrikut.

Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se sulmi ka ardhur nga Irani, tashmë vend jo mik me Shqipërinë.

Vendimi i Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me regjimin e ajatollahëve, është mbështetur nga SHBA-të dhe Britania e Madhe.

Irani ka vënë në shënjestër Shqipërinë që kur SHBA vendosi të zhvendoste mbi 3 mijë muxhahedinë nga një kamp në Irak në Durrës. Pikërisht që atëherë filluan problemet me Teheranin për Tiranën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë