Ne rrjet

Diplomatët e BE: Shqipëria ‘delja e zezë’ që ka bërë hapa të mëdhenj!

Shtetet anëtare të BE-së nuk kanë arritur ende marrëveshje për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Këto janë rezultatet e një takimi jozyrtar midis Komisionerit të BE-së Johannes Hahn dhe ambasadorëve të 28 shteteve anëtare, që u mbajt të enjten në Bruksel.

Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve “Beta”, gjatë takimit u ngrit ideja për të filluar negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe shtyrjen e datës për Shqipërinë, por duket se disa vende, përfshirë edhe Gjermaninë, janë kundër saj.

Ambasadorët e vendeve anëtarë do të takohen zyrtarisht më 12 qershor dhe do të hartojnë përfundimet mbi progres-raportet për vendin e Ballkanin Perëndimor, të cilat do të diskutohen nga Ministrat e Punëve të Jashtme më 18 qershor dhe më vonë konfirmohen nga krerët e BE-së.

Konkluzionet do të jenë vendimtarë për hapjen e negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe dialogun Beograd-Prishtinë.

Johannes Hahn takon ambasadoret

Të njëjtën ditë, kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se mos marrja e një date për hapjen e negociatave mund të çonte në rënien e qeverisë së tij dhe zgjedhje të parakohshme.

"Dëshiroj që partnerët tanë të dinë se ne dhe Shqipëria kemi pritur vite të tëra dhe se gjithçka është e mundur", tha Zaev gjatë aktivitetit të organizuar nga BERZH.

Por zgjerimi i BE-së është bërë një 'patate e nxehtë' për Brukselin dhe për shtetet anëtare. Media e njohur e Parlamentit Europian “EURACTIV” organizoi një debat më 5 qershor, ku diplomatët dhe gazetarët folën lirshëm për ngurrimin e disa shteteve anëtare për pranimin e Tiranës dhe Shkupit në union.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të dy morën dritën jeshile nga ekzekutivi i BE-së për të hapur bisedimet e pranimit. Megjithatë, Shqipëria duket të jetë delja e zezë e këtij dueti”, shkruan gazeta.

Diplomatët e BE-së i kanë thënë “Euractiv” se ditët e ardhshme pritet të ketë shumë presion mbi Komisionin Europian për ta bindur për “mbylljen e dyerve” edhe këtë vit.

“Disa thonë nuk mendojmë se Shqipëria është gati të hapë negociatat në këtë fazë, edhe pse e pranojnë nevojën për të shpërblyer hapat e mëdhenj që Tirana ka bërë”, shkruan kjo media.

“Holanda, në veçanti, pritet të vështirësojë rrugën e Shqipërisë dhe po kërkon tashmë të rikthejë regjimin e vizave, mbi frikën e mafias shqiptare, që sipas saj, lëviz lirshëm në të gjithë BE-në”, thekson “Euroactiv”

https://twitter.com/eaPolitics/status/1135872268159070208?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1135872268159070208&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.euractiv.com%2Fsection%2Fenlargement%2Fnews%2Fenlargement-debate-western-balkans-torn-between-hope-and-outrage%2F

“Shqipëria gjithashtu është torturuar për muaj me radhë nga protestat në rrugë dhe një opozitë parlamentare që është ngritur kundër qeverisë socialiste, duke e akuzuar për korrupsion. Kriza politike mund të ketë një efekt mbytës mni vendimin e Këshillit që pritet në fund të qershorit”, shton media europiane.

"E di që situata politike nuk është e mirë, por ka shumë të rinj në Shqipëri që ëndërrojnë të studiojnë dhe punojnë në BE. Shpresoj që Këshilli do të japë një opinion pozitiv për ne dhe Maqedoninë e Veriuy. Përndryshe, njerëzit do të humbin shpresën dhe ëndrrën e BE-së ", tha Uarda Celami, këshilltare në Misionin e Shqipërisë në BE. Ajo ka shpjeguar se Shqipëria po ecën ngadalë por me vendosmëri.

Cakaj lobon në Bruksel

Ndërkohë që Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitriov, ndodhet në Paris ku po lobon për hapjen e negociatave, Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka shkuar në Bruksel, për të bindur disa nga përfaqësuesit e vendeve anëtare për hapjen e bisedimeve.

Cakaj ka zhvilluar një takim me Komisionerin e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mohgerini, të cilët duket se kanë qenë në një mendje se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave.

Në një postim në “Twitter”, Cakaj tha se diskutoi me Hahn mbi përgatitjet për hapjen e bisedimeve, duke theksoi se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave me BE.

“Kisha një takim të rëndësishëm me Hahn në Bruksel sot. Diskutuam përparimin e konsiderueshëm të Shqipërisë në prioritetet kryesore, situatat e brendshme, si dhe përgatitjet për hapjen e bisedimeve”, shkruan Cakaj.

Më pas, Cakaj u takua edhe me Mogherinin për të diskutuar mbi avancimin e procesit të integrimit të vendit tonë pas rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Sipas njoftimit të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, Mogherini përgëzoi Ministrin Cakaj për përsëritjen e rekomandimit të qartë të Komisionit, duke theksuar se ky është një vlerësim i merituar dhe rezultat i reformave të ndërmarra nga vendi ynë.

Mohgerini ka veçuar arritjet e prekshme në reformën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke thekuar se ‘Shqipëria” i ka bërë të gjitha detyrat e kërkuara për të hapur negociatat me BE-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë