Keshilla

Mes kampeve të shtrenjtë verorë dhe gjyshërve, dilemat e prindërve / Sociologia: Fëmijët, nevojë të argëtohen por jo të shkëputen nga mësimet

Nga Gazeta Si - Një nga dilemat e verës për prindërit, kur fëmijët janë pushim, është se si t'i argëtojnë, sidomos tani që temperaturat janë shumë të larta dhe nuk këshillohet që të dalin jashtë. 

Sociologe Marsida Simo thotë për Gazetasi.al se disa prej prindërve zgjedhin që t'i dërgojnë fëmijët e tyre në kampe verore por “çmimet shumë herë janë të papërballueshme”.

Një tjetër alternativë mbeten gjyshërit të cilët luajnë një rol të rëndësishëm. Megjithatë fëmijët kanë nevojë që gjatë pushimeve dhe ditëve të nxehta të argëtohen, luajnë, ndërveprojnë dhe jo thjesht të qëndrojnë pasivë mes katër mureve.

“E rëndësishme është të ruhet një rutinë”, thotë Simo duke shtuar se ashtu siç veprohet në stinën e dimrit, po ashtu edhe në verë duhet të ketë një rutinë, sepse fëmijët duhet të dinë se çfarë i pret në ditën në vijim dhe kjo e bën ditën më të organizuar.

Rutina përfshin një orar kur fëmijët duhet të zgjohen, të ushqehen dhe të kenë aktivitetet vijuese gjatë ditës.

Për fëmijët që qëndrojnë në shtëpi edhe për shkak të temperaturave të larta, sugjerohet që të alternohet koha që fëmijët kalojnë para ekranit me lojëra tavoline, punime dore, piktura dhe aktivitete të tilla që zhvillojnë fëmijët dhe i ndihmojnë që të kalojnë më së miri pushimet e verës.

“Interneti mund të përdoret për të mësuar një gjuhë të huaj, lojëra memorie, muzikë, apo aerobi”, thotë Simo.

Gjithashtu, sociologia thotë se me fëmijët duhet shumë fantazi, përkushtim por edhe konsistencë.

“Nëse këto aktivitete hartohen në formë kalendari dhe si sfida, fëmijët do të jenë më të prirur t'i zbatojnë. Nga ana tjetër nëse këto aktivitete zhvillohen çdo ditë duke qenë të larmishme, kthehet në rutinën e tyre të brendshme. Me rëndësi është që në këtë periudhë pushimesh fëmijët vërtetë të argëtohen, por jo të shkëputen totalisht nga leximi, ushtrimet e matematikës, apo lexime nga enciklopedia”, shpjegon Simo.

Me pak kërkim, çdo prind mund të gjejë në internet platforma (kryesisht në anglisht) të cilat ofrojnë edhe falas fletë pune për fëmijë për mosha të ndryshme të cilat janë për fusha të caktuara si matematikë, gjuhë, shkencë, psikologji etj. Të gjitha këto mund t’i ndihmojnë fëmijët të kalojnë një kohë produktive, mos të mërziten në shtëpi dhe të mësojnë ndërkohë që janë me pushime.

Hulumtimet tregojnë se të luash dhe të argëtohesh në një mënyrë të relaksuar dhe krijuese është në të vërtetë shumë e mirë për trurin e fëmijëve dhe shëndetin e përgjithshëm. Jo vetëm që zvogëlon stresin por dhe krijon një ndjenjë vetëbesimi, diçka që është shumë e nevojshme për fëmijët. Argëtimi në verë, kur truri nuk është i ngarkuar me stres për shkak të mësimeve, përmirëson aftësinë e trurit për të funksionuar siç duhet,

Loja gjatë verës është një rekomandim shkencor! Fëmijët duhet të gjejnë absolutisht kohë për lojën dhe po ashtu duhet të kenë pjesë të lojës prindërit dhe këdo që kujdeset për ta, për një shëndet mendor më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë