Futboll

Dikur futbollistë, sot kërkojnë suksesin si pronarë

Është shumë e zakontë dhe mëse normale që futbollistët pasi largohen nga futbolli i luajtur të qëndrojnë në këtë fushë, si trajnerë apo menaxherë lojtarësh të rinj. Por në vitet e fundit është vënë re një tjetër fenomen, që disa prej futbollistëve më të njohur të dekadave të fundit të bëhen pronarë klubesh. Në fakt historia ka nisur që me Uli Hones, ish-sulmues që prej vitesh tashmë është drejtues i Bayern Munich. Por në dy vitet e fundit ky fenomen i futbollistëve president klubesh, sa vjen dhe bëhet akoma dhe më masiv.

Ai që duket sikur e nisi “lojën”, është Paolo Maldini. Ish-kapiteni legjendar i Milan ka marrë një post drejtues në klubin kuqezi, por më herët ai kishte hyrë në botën e biznesit, duke marrë në zotërim klubin amerikan të Miami FC. Maldini është ortak në këtë klub, ku bashkë aksioner është edhe biznesmeni italian, Riccardo Silva.

Rrugën e Maldinit e ka ndjekur edhe ish-futbollisti i Chelsea, Demba Ba. 33-vjeçari i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist dhe tashmë është futur në botën e biznesit, duke u bërë president i klubit, San Diego 1904. Edhe Demba Ba është bashkë aksioner në këtë klub, me disa biznesmenë të tjerë.

Gary Neville, Paul Scholes, dhe Ryan Giggs dikur ishin figurat emblematike të Manchester United. Por të tre këta ish-futbollistë janë bashkë janë bërë bashkë edhe njëherë në futboll, por këtë herë si pronarë të klubit, Salford City. Ish-yjet e Man.United i janë bashkuar miliarderit Peter Lim në pronësinë e këtij klubi dhe synojnë ta ngrenë atë në një tjetër nivel.  

Ashtu siç tërhiqte vëmendjen kur ishte në fushën e lojës, David Beckham di të bëjë për vete mediet edhe kur merr iniciativa në fushën e biznesit. Ish-mesfushori anglez ka krijuar në ShBA klubin Internazionale Miami. Klubi është 100% i zotëruar nga britaniku që tenton ta bëjë atë klubin elitar në futbollin amerikan, që prej vitesh po tenton të ngrihet në nivelin europian.

Rasti më i fundit i një ish-futbollisti që bëhet president klubi është i fenomenit, Ronlado. Braziliani vetëm pak ditë më parë ka zyrtarizuar blerjen e klubit spanjoll, Valladolid. Ronaldo nuk do të jetë pronari i vetëm i këtij klubi, por zotëron pjesën më të madhe të aksioneve dhe për këtë shkak ka të drejtën të jetë dhe presidenti.

Por përtej të gjitha rasteve, Didier Drogba ka shkuar në një tjetër nivel. Futbollisti ka Bregu i Fildishtë ka blerë klubin, Phoenix Rising, ku njëkohësisht ai luan. Pra Drogba është në të njëjtën kohë edhe president edhe lojtarë i këtij klubi.

Mbetet për t’u parë nëse këta ish-futbollistë do të jenë po aq të suksesshëm në menaxhimin e futbollit, saç ishin kur luanin vetë në fushën e blertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë