Njerez

Dietmar Hopp, nga më i urryeri i tifozëve në shpëtimtar i gjermanëve

Nga njeriu më i urryer për tifozët gjermanë, mund të bëhet shpëtimtari i tyre. Po, Dietmar Hopp mund t’i shpëtojë gjermanët dhe jo vetëm me vaksinën e Koronavirusit. Biznesmeni miliarder gjerman i ka thënë “jo” presidentit amerikan, Donald Tramp, për vaksinën anti-Koronavirus. Presidenti i Hofenheimit, i cili ka qenë në qendër të kritikave dhe kontestimeve nga tifozët e shumë skuadrave në Bundesligë, në cilësinë e aksionerit kryesor të kompanisë “CureVac” që po merret me kërkimet për vaksinën e Koronavirusit, iu përgjigj negativisht presidentit Tramp. Ky i fundit i propozoi të kishte ekskluzivisht vaksinën në Amerikë.

Dietmar Hopp, presidenti i Hofenheimit dhe kompanisë "CureVac". Gazeta Si, 16 mars 2020

Pronari i kompanisë farmaceutike iu përgjigj shefit të Shtëpisë së Bardhë në mënyrë institucionale: "Shpresojmë të jemi në gjendje të gjejmë shpejt vaksinën kundër Koronavirusit dhe ajo nuk duhet të jetë për një person të vetëm, por për sa më shumë persona në gjithë botën”, - shkruan Hopp në përgjigjen e tij ndaj presidentit Tramp. Ai ka 80% të aksioneve të “CureVac” nëpërmjet kompanisë “Dievini Hopp BioTech Holding”. Aksioneri i dytë më i madh është “Bill-and-Melinda-Gates Foundation”, që bashkë me “CureVac” krijojnë vaksina kundër sëmundjeve të ndryshme infektive. "Jemi të impenjuar për të mbrojtur sa më shumë njerëz, për t’i kuruar në mënyrën më të mirë pacientët e gjithë botës”, - shkruan gjithashtu Hopp. Kompania “CureVac’ është në kërkim të vaksinës kundër Covid-19 që prej muajit janar.

Dietmar Hopp është edhe presidenti i Hofenheimit dhe deri pak ditë më parë ishte në shënjestër të tifozëve, të cilët në disa ndeshje kanë shpalosur parulla kundër tij. Ndodhi në ndeshjen mes Hofenheimit dhe Bajernit, ku tifozët bavarezë detyruan drejtuesit më të lartë të klubit, Karl Hainc Rumenige dhe Oliver Kahn, të zbrisnin në fushë dhe të largonin parullat nga shkallët e stadiumit, pasi ndeshja ishte ndërprerë. “Nuk e kuptoj çfarë duan nga unë” - shprehej presidenti i Hofenheimit në atë kohë. Dietmar Hopp është një figurë mjaft e urryer nga tifozët gjermanë, sepse sipas tyre ai ka ndryshuar rregullat e futbollit gjerman.

Parullat kundër Hopp nga tifozët e Borusia Dortmund. Gazeta Si, 16 mars 2020

Hopp ka një pasuri prej 14.7 miliardë eurosh. Ai ka investuar te një skuadër e kategorisë së tetë të futbollit gjerman dhe e ka çuar deri në Champions. Një histori e bukur, por jo për gjermanët, fanatikë të futbollit të traditës, prandaj e urrejnë kaq shumë biznesmenin e fuqishëm, një manjat i informatikës. Në Gjermani ka një rregull për funksionimin e klubeve të futbollit, ku 51% e aksioneve nuk mund t’i përkasin një personi ose një kompanie. Duhet të ketë gjithmonë shumë aksionerë, por Hopp nuk i përket këtij rregulli dhe është kthyer në një simbol të futbollit, ku paratë bëjnë ligjin.

Sipas të dhënave të “Forbes”, Hopp mban vendin e 96-të në botë në klasifikimin e miliarderëve për 2019-ën, kurse në 2017-ën renditej i 23-i. Ai hyri në botën e futbollit në vitin 1989, duke e marrë Hefenheimin nga kategoria e tetë për ta çuar në Bundesligë në 2008-ën, më pas në Europa League dhe së fundi në Champions. Jo vetëm kaq, sepse ka investuar shumë edhe për infrastrukturën. Megjithatë, tifozët e kanë urryer gjithmonë, por tani me siguri do të ndryshojnë mendim për atë që mund të jetë shpëtimtari i tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë