Politike

‘Dhuratë’ Ramës për ditëlindje, me 1 votë nga opozita në 4 korrik PS nis hetimin e Metës

Socialistët janë të vendosur që përveç zhvillimit të zgjedhjeve të realizojnë edhe një objektiv tjetër atë të shkarkimit sa më parë të presidentit Ilir Meta, i cili zhdekretoi datën 30 qershor. Për këtë qëllim brenda korrikut, Shqipëria pritet t’i futet një tjetër krize, ku mund të kemi një president të shkarkuar, por që nuk ka Gjykatë Kushtetuese që të japë verdiktin nëse do të jetë i ligjshëm rrëzimi i Metës nga “froni” më i lartë i piramidës shtetërore.

Me 13 vota pro, 1 kundër dhe abstenim Komisioni i Ligjeve ka miratuar raportin që do t’i kërkojë Kuvendit ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Katër ditë para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit mazhoranca ka kaluar edhe një fazë të procesit të shkarkimit të presidentit, pas firmosje së 55 firmave, atë të hartimit të raportit dhe për t’ia lënë seancës së Kuvendit ta miratuar me 93 vota

Vota kundër në këtë komision erdhi nga Adriatik Alimadhi, kreu i PBK-së, ndërsa dy deputetët e opozitës së re, Alban Zeneli dhe Korab Lita edhe pse prezent nuk preferuan që të votonin. Aurora Mara ishte e vetmja deputete e opozitës, e dalë nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në mbledhjen e sotme ka munguar deputeti Ralf Gjoni dhe Andi Përmeti i Bindjes Demokratike.

Momenti i votimit në komisionin e Ligjeve të raportit për shkarkimin e presidentit


Raporti i u paraqit nga relatori Adnor Shameti i cili gjatë fjalës së tij deklaroi se presidenti Ilir Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën. “Presidenti nuk kishte interes për tu dëgjuar në këtë komision. Kur kishte nisur fushata zgjedhore presidenti nxori dekretin e shfuqizimit të datës së zgjedhjeve. Kërkesa e 55 deputetëve e bazuar, Presidenca me një gjuhë jo etike profesionale dëshmoi se nuk kishte interes të dëgjohej. KQZ nuk e mori në konsideratë anulimin e zgjedhjeve. Akti që del në mungesë të kompetencës është nul. Kuvendit do t’i dërgohet edhe letra përgjigje e presidencës bashkë me propozimin e ngritjes së një komisioni hetimor”, deklaroi Shameti.

Më tej ai theksoi se “Kuvendi miratoi rezolutën ku nuk njohu vlefshmërinë e aktit të Presidentit dhe kërkoi vijimin e punës nga institucionet për organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Deputët mendojnë se presidenti ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve, parimin e ligjshmërisë, ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur e për t’i zgjedhur, ka marrë kompetencat e Parlamentit”.
Deputeti i PS-së, Spartak Braho deklaroi se “jemi në dijeni të një vendimi të Kolegjit Zgjedhor. Ka cenuar sovranitetin e zgjedhësve. Presidenti nuk e ka shtyrë datën e zgjedhjeve, nuk ka caktuar asnjë datë. Do preferoja të ishte dhe dispozita përkatëse se çfarë është shkelur nga Kushtetuta”.

Kryekomisioneri Ulsi Manja


Pas këtyre diskutimeve kryekomisioneri UlsiManja ka kërkuar që të përfshihet në raportin për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar edhe vendimin e dhënë nga Kolegji Zgjedhor i cili rrëzoi kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar. “Nëse Kuvendi do të operojë me komision hetimor ta ketë pjesë të hetimit edhe vendimin e kolegjit zgjedhor që hedh poshtë edhe datën e zgjedhjeve, pse jo duhet të jetë pjesë e tij. Raportin me disa sugjerime e përmirësime lidhur me ato çështje që kanë të bëjnë më gjuhen e teknikën legjislative. Me propozimin që Kuvendi të ngre një komisonin hetimor parlamentar për shkeljen e rëndë të Kushtetutës nenin 90, pika 2.
Pas këtij votimi Komisioni i Ligjeve i ka rrëzuar presidentit Meta edhe dekretin për kthimin e ligjit “Për shërbimin përmbarimor privat gjyqësor”. Rrëzimi ishte në bllok dhe ishte si një kundërpërgjigje nga ndaj aktit të presidentit.
Sipas nenit 112 të Rregullores, pas kalimit të këtyre etapave të procedurave për shkarkimin e Presidentit, Kuvendi zhvillon debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe në përputhje me kohën e përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje.


“Në rast se Kuvendi rrëzon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e paraqitur, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës ndërpritet. Kuvendi për të njëjtin motiv nuk mund të vendosë përsëri edhe nëse kërkesa paraqitet nga një grup tjetër deputetësh. Në rast se Kuvendi pranon nëpërmjet votimit raportin dhe propozimin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ngre brenda 2 ditëve një komision hetimor për këtë çështje. Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur. Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës”, thuhet në nenin 118 të Rregullores.
Mbi bazën e kësaj procedure rezulton se koha për debatin parlamentar për ngritjen e komisionit hetimor të realizohet me 4 korrik, si afat fundor ligjor. Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, për të cilën mazhoranca është e vendosur të zhvillojë procesin, socialistët pritet t’i bëjnë një "dhuratë" shefit të tyre, Edi Ramës në ditën lindjes së tij më 4 korrik.
Ndërsa brenda muajit korrik, ku është parashikuar edhe mbyllja e këtij sesoni duhet të miratohet raporti i komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit. “Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Konferenca e Kryetarëve përcakton datën e votimit në Kuvend të kërkesës për shkarkim të Presidentit të Republikës dhe kohën e debatit, sipas nenit 48 të kësaj Rregulloreje. Në rast se kërkohet nga Presidenti i Republikës për t’u dëgjuar në seancë plenare, Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë. Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë.
Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, sipas Rregullores i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij. Ky institucion është në mungesë të funksionimit, pasi ka vetëm 1 anëtar nga 9 nëntë që do të jetë gjithsej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë