Politike

Shkarkimi/ Meta, letër Kuvendit: Proces, vërberi politike. Manja: Procedura nuk ndalet

Në kushtet kur mazhoranca ka nisur procedurën e shkarkimit të kreut te shtetit, Ilir Meta i ka dërguar një letër Kuvendit, konkretisht kryetarit të komisionit të Ligjeve, ku i thekson se dekretit për anulimin e zgjedhjeve është nxjerrë sipas Kushtetutës.
"Ky dekret është në fuqi dhe është botuar në Fletoren Zyrtare nr.84, ditë e martë 11 qershor 2019, e për pasojë është i njohur dhe i detyrueshëm për zbatimin nga të gjithë, përfshirë edhe Kuvendin e Shqpërisë. Dekreti është një akt i rëndësishëm me natyrë kushtetuese i marrë në respekt edhe të detyrimeve të Republikës që burojnë nga aderimi i saj në aktet ndërkombëtare dhe angazhimi në procesin e integrimit në BE. Konkretisht ky akt i rëndësishëm i Kreut të Shtetit, i cili ndërpreu një proces zgjedhor fiktiv, të transformuar praktikisht në një proces votimi, pa garë dhe pa alternativa, respekton posaçërisht nenin 3 të Protokollit nr.1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe detyrimet që Shqipëria ka marrë përsipër me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociiimit Shqipëri-BE, me hyrjen në fuqi më 29 gusht 2006", shkruan Meta në letrën drejtuar Manjës.

Letra presidentit drejtuar kryekomisionerit Manja

Presidenti nëpërmjet sekretarës së Përgjithshme, i ka kthyer përgjigje kryekomisionerit Manja, i cili kërkonte po në rrugë shkresore të njihej me arsyet e zhdekretimit të zgjedhjeve. Në të letër presidenti ka dhënë edhe përgjigje sa i përket edhe nismës për shkarkimin e tij nga mazhoranca, një procedurë e firmosur nga 55 deputetët socialistë.

"Referuar këtyre fakteve dhe argumenteve të pakundërshtueshme, Presidenti i Republikës, vlerëson se e gjithë veprimtari aktuale që përpiqet të godasë veprimtarinë e Presidentit të Republikës, po pa mundur të rrëzojë përmbajtjen e dekretit të Tij, është një proces i rremë, i pambështetur në argumente kushtetuese, por vetëm i orientuar verbërisht politikisht.
Ky proces i rremë dhe vërbërisht politik nuk i shërben aspak krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, por përkundrazi e rëndon më tepër atë, si një përpjekje e shfrenuar për të thelluar ndasitë mes palëve dhe për të asgjësuar çdo mundësi për krijimin e klimës së dialogut e të bashkëpunimit që Presidenti, prej kohësh po i kërkon palëve", thuhet më tej në këtë letër.
Gjithashtu theksohet se Presidenti është i bindur se, me dekretin e tij për anulimin e 30 qershorit jo vetëm ka bërë përpjekjen më të mirë për të evituar një konfrontim të mundshëm civil, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetit demokratik, unitetit të popullit dhe rendit kushtetues, por njëkohësisht Presidenti, me aktin e tij, ka mbrojtur parimin kushtetues të pluralizmit politike mbi të cilin ndërtohet funskionimi i shtetit të së drejtës.
Presidenti sipas kësaj letre, garanton Kuvendin se është në detyrë dhe i gatshëm që me përgjegjësi të plotë të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme që do të diktojë situata dhe interesi më i mirë i vendit, në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe betimi i tij solemn për t'i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të të gjithë popullit shqiptar!

Manja: Presidenti u ftua, qëndrimin do ta mbaj me votë

Kryetari i komisonit të Ligjeve, Ulsi Manja në një reagim për Gazeta Si shprehet se letra e tij drejtuar Presidentit ishte në zbatim të obligimit të parashikuar nga Rregullorja, nëse mund të kishte argumente shtesë për dekretin e nxjerrë ku anulonte datën 30 qershor.

"Ditën e hënë pasi ta marim zyrtarisht përgjigjen e Presidentit, në orën 10:00  kemi mbledhje komisioni dhe do të vazhdojmë me rendin e ditës sipas kalendarit të miratuar për shqyrtimin e kërkesës së 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Komisioni në bazë të nenit 112/2 të Rregullores së Kuvendit e kishte për obligim t'i garantonte Presidentit të drejtën për t'u dëgjuar, nëse kishte diçka tjetër për të shtuar përveç atyre që ka bërë publikë në njoftimin e tij", shprehet Manja për Gazeta Si.

Kryekomisioneri Ulsi Manja

Ndërsa sa thekson se qëndrimin e tij për këtë letër do ta mbajë me votë në komisionin e Ligjeve.

"Paraqitja ose jo para Komisionit të Ligjeve është zgjedhje e lirë e Presidentit, por që nuk e ndërpret shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e tij. Ndërsa qëndrimin tim do ta mbaj me votë në Komisionin që unë drejtoj!", mbyll kryekomisioneri Manja reagimin e tij.


Mazhoranca ka kontestuar ashpër dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke e cilësuar si një shkelje të hapur të Kushtetutës. Për këtë 55 deputetë socialistë kanë mbledhur firmat dhe kanë nisur procedurat për shkarkimin e Metës nga posti i Presidentit.

Letra e presidentit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë