Pas dhunës në javën e parë të Superligës në një pjesë të madhe të stadiumeve, por më veçanërisht në Korçë në përballjen Partizani-Skënderbeu, ka ardhur reagimi nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Në vendimin e Komisionit të Disiplinës i mbledhur ditën e mërkurë, është vepruar me dorë të ashpër për Skënderbeun dhe Partizanin, por edhe për presidentin e Laçit, Laska.
FShF, njofton se Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse dhe shkaktuar akte dhune klubi korçar është dënuar me gjobë në masën 300.000 lek dhe zhvillimin e pesë ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës.
I ashpër është dënimi edhe për Partizanin. Për sjellje të gabuar të spektatorëve që kanë përdorur mjete ndezëse dhe kanë hedhur gurë brenda rrethimit të fushës duke shkaktuar akte dhune, “klubi i kuq” detyrohet të paguaj një gjobë në masën 200.000 lek dhe zhvillimin e katër ndeshjeve pa spektatorë.
Është dënuar edhe presidenti i Laçi-t, Pashk Laska për protesta ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes me dy ndeshje pezullim nga aktiviteteti.
Ndërkohë Tirana dhe Kukësi kanë shpëtuar vetëm me nga një paralajmërim këtë javë, duke mos u dënuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.