Interviste

Dhuna në familje, Iris Luarasi: Ndryshimi i ligjit, pozitiv për viktimat dhe rehabilitimin e dhunuesve

Kush dhunon, del jashtë shtëpisë, ishin titujt e lajmeve që shoqëruan ndryshimet e fundit të Ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Me rritjen e rasteve të denoncuara të dhunës gjatë 2020-s, të theksuara edhe nga izolimi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ndryshimet ligjore që hynë në fuqi pak ditë më parë erdhën si një frymëmarrje çliruese për viktimat e dhunës në familje.

Por çfarë ndryshimesh pozitive do të sjellë tek viktimat ky ligj i rishikuar edhe i përmirësuar , për t’iu përafruar legjislacioneve në vendet e zhvilluara perëndimore dhe ç’do të ndodhë me dhunuesit, sapo policia e shtetit t’i largojë nga banesat?

Iris Luarasi, si pjesë aktive e shoqërisë civile dhe drejtuese e organizatës “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, themeluar më 1996-n, rrëfen për Gazeta Si, rrugëtimin e këtyre ndryshimeve ligjore, që kanë nisur edhe si efekt i presionit të organizatave vendase, por edhe organizmave ndërkombëtarë.

Iris Luarasi, pedagoge në Universitetin e Tiranes dhe aktiviste e shoqërisë civile

Një nga ndryshimet e para që sjell ligji, nënvizon pedagogia Luarasi, është edhe tek qëllimi i tij. “Garanton mbrojtje me masa ligjore duke i kushtuar vëmendje të veçantë grave, vajzave, fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar. Më parë ka qenë me fokus vetëm tek fëmijët”, shprehet ajo, duke shtuar se ndryshim pozitiv është edhe heqja e gjinisë së dhunuesit, sepse i tillë mund të jetë si burri, ashtu edhe gruaja.

Luarasi thotë se edhe në ligjin e mëparshëm, i cili u hartua nga shoqëria civile më 2005-n dhe u miratua në Kuvend në dhjetor të 2006-s, parashikohej që dhunuesi të linte banesën, “por rastet kur Gjykata jepte këtë vendim”, thotë ajo, “ishin tejet të rrallë”.

Shpesh në vendimet e gjykatave jepej urdhër mbrojtje për viktimat e dhunës familjare e megjithatë bashkëshortët ktheheshin sërish nën të njëjtën çati, “duke e bërë shtëpinë bashkëshortore si ato tenxheret me presion”, thotë Luarasi, ndërsa në raste të tilla, dhuna përshkallëzohej.

Në urdhrin për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme, sipas ndryshimeve të reja ligjore, derisa gjykata të nxjerrë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrin e mbrojtjes, urdhërohet largimi i menjëhershëm i dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Përjashtim ka vetëm në rastet kur dhunuesi është i mitur, i moshuar apo me aftësi të kufizuar.

“Tani, në një farë mënyre i ka dhënë gjithë këtë përgjegjësi policisë dhe krijon elementin e menjëhershëm”, shprehet Luarasi, duke e parë këtë si një hallkë të rëndësishme për parandalimin e akteve tragjike.

Elementi tjetër, që edhe pse jo i ri por i mirëpërkufizuar kësaj here, është edhe rehabilitimi i dhunuesit.Për këtë të fundit, organizata që drejton Iris Luarasi, prej vitit 2012 ka çelur edhe Linjën e Këshillimit për Burra dhe Djem, dhunues, ku ofrohen rehabilitim dhe terapi psiko-sociale.

“ Ne punojmë në mënyrë të jashtëzakonshme me shërbimin e burgjeve dhe merremi shumë me terapinë e dhunuesve, që janë brenda sistemit penitenciar për histori të dhunës në familje, ose në Shërbimin e Provës dhe kemi shumë pak raste me urdhra gjykate”, zbulon Luarasi.

Ndryshimet e reja ligjore, bëjnë që gjykata ta urdhërojë dhunuesin të marrë pjesë në programe rehabilitimi psiko-sociale, ndërsa më herët kjo pjesë ishte fakultative.

Në Nenin 10/1 mbi Rehabilitimin e dhunuesit thuhet qartë se, në urdhrin e mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, urdhërohet dhunuesi të marrë pjesë në programe rehabilitimi psiko-sociale dhe/ose në programe të aftësimit prindëror, të organizuara nga subjekte publike ose private.

“Një tjetër gjë që kërkuam me ndryshimet e reja ligjore, është mënyra se kujt do t’ia japim një raport, kur dhunuesi në një shërbim vjen rehabilitimi”, thotë Luarasi, ndërsa kjo u pasqyrua në ligj.

Përgjegjësit e programit të rehabilitimit raportojnë përpara koordinatorit vendor- ku çdo bashki e ka një të tillë- për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, pjesëmarrjen e të paditurit në program dhe ecurinë e tij në mënyrë periodike dhe rezultatet e rehabilitimit të dhunuesit. Nëse dhunuesi nuk merr pjesë në program, me përjashtim të rasteve objektive, me masat e reja ligjore parashikohet që Mekanizmi i Koordinuar i Referimit të rasteve zbaton dispozitat e Kodit Penal për veprime që kryhen në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Shkalla e individëve që do të përfshihen në programet e rehabilitimit vjen e zgjeruar, ku futen edhe ata që kanë probleme me alkoolin apo me drogat.Në urdhrin e mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, urdhërohet i padituri ose dhunuesi, nëse është rasti, të marrë pjesë në programe rehabilitimi pranë qendrave spitalore, qendrave ambulatore ose qendrave komunitare, që japin shërbime të shëndetit mendor, shërbime të alkoologjisë ose shërbime të toksikologjisë. “Element tjetër pozitiv është që në një mënyrë, do t’i jepet një lloj shpërblimi atij që merr pjesë në terapi dhe që ka shfaqur përpjekje për të ndryshuar sjellje”, thotë Luarasi.

Pjesëmarrja dhe bashkëpunimi në program mbahet parasysh në vlerësimin e rrezikut të të dënuarit në rastet e lirimit me kusht, lejeve shpërblyese ose të veçanta, të vizitave. “E gjithë psikologjia e shërbimit që ofrojmë tek Linja e Këshillimit për Burra dhe Djem është se secili prej nesh ka nevojë për një shans të dytë”, thotë Luarasi, ndërsa qendra të tilla, por edhe ligji tanimë, i jep individëve dhunues një shans për të ndryshuar, për veten dhe familjen.

“E rëndësishme është që njerëzit të hyjnë njëherë në këtë proces. Kur hyjnë, ngecin dhe kuptojnë se është e rëndësishme të flasësh me dikë që është i jashtëm dhe nuk është aty për të të bërë mora apo për të të gjykuar, por për të kërkuar mënyrat më të mira për të ndryshuar sjelljen”, vijon më tej aktivistja për Gazeta Si.

Luarasi sheh si efektiv edhe hapin e larg. imit të menjëhershëm nga shtëpitë, që ndoshta do t’i bëjë të reflektojnë dhunuesit para se të ngrenë dorë mbi gratë apo fëmijët.

Disa organizata, zbulon ajo, kërkuan që bashkitë në çdo qytet të ndërtojnë streha sociale për të strehuar burrat dhunues “...është çmenduri, sepse këto nuk i ke as në vendet skandinave. Një detyrim i pushtetit vendor është të japë bonus qiraje për viktimat, sepse shumica e tyre ngelen pa shtëpi, kur ikin nga banesat e dhunuesit”, thotë ajo.Iris Luarasi i sheh ndryshimet në ligjin mbi masat mbrojtëse të dhunës në marrëdhëniet familjare, si ndër më të mirat, që janë jo vetëm pozitive për viktimat, por e bëjnë vetë ligjin avanguard.

Ishte GREVIO, një grupim ekspertësh nga Këshilli i Europës, që në një raport të 2017-s renditi një sërë rekomandimesh mbi mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe sesi institucionet bashkë me organizatat jofitimprurëse mund të bëheshin bashkë për ofrimin e shërbimeve për fuqizimin e viktimave të dhunës. Dhe më pas dy deputetet e Parlamentit, Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni, ndërmorën nismën për ndryshime ligjore, të relatuara nga deputetja Vasilika Hysi, që sollën ndryshimet ligjore të ligjit, të miratuar më 2006-n.

Sipas raportit të GREVIO-s, publikuar më 2017-n, Shqipëria ka miratuar një kuadër të fortë legjislativ për të trajtuar dhunën në familje në fushën e të drejtës civile dhe atë penale, por megjithatë theksonte se kishte ende boshllëqe. Rishikimi i Dispozitave ligjore që vlejnë për urdhrat e përjashtimit emergjent, të cilat sipas ligjit shqiptar njihen si urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje, për të garantuar që në situatat e rrezikut të menjëhershëm, urdhra të tillë të mund të lëshohen pa vonesa të panevojshme me qëllim garantimin e sigurisë së viktimës;”, shkruhej në rekomandimet e GREVIO, që punon si monitorues i zbatimit të Konventës së Stambollit, tek të gjithë shtetet që e kanë ratifikuar atë.

Shqipëria e nënshkroi Konventën e Stambollit më 19 dhjetor 2011, vendi i dytë anëtar i Këshillit të Europës që e ratifikoi më 4 shkurt 2013. Ajo hyri në fuqi në Shqipëri më 1 gusht 2014.Konventa e Stambollit është traktati me shtrirje më të gjerë ndërkombëtare që trajton dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje. Luarasi si zv/presidente e GREVIO-s, thotë se ky organizëm ka qenë një nga shtysat që të kryheshin këto ndryshime ligjore.

Një anketim i realizuar nga OSBE, në mars të 2019-s, si pjesë e një projekti të zbatuar në Europën Juglindore dhe Lindore, nxori në pah të dhëna shqetësuese për dhunën ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri, ku ndër më kryesoret ishin sesi normat kulturore në vend mbështesin bindjen e grave ndaj burrave dhe pranojnë gjerësisht dhunën seksuale në marrëdhëniet intime.

“Këto besime kontribuojnë në një mjedis ku dhuna ndaj grave tolerohet”, theksonte anketimi i OSBE, ndërsa e vinte theksin edhe tek raportimi i ulët i rasteve të dhunës ndaj grave, mungesa në qasjen e shërbimeve apo mbrojtje. Një tjetër problematikë e vëzhguar ishin boshllëqet në legjislacion, në zbatimin e tij dhe në mbledhjen e të dhënave.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, ka një rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të regjistruara te dhunës në familje nga 1.998 raste ne vitin 2010 deri në 4.951 raste në vitin 2018. Gjate tre viteve të fundit (2016- 2018), ka pasur një rritje te vazhdueshme me 9 përqind çdo vit të numrit të rasteve të regjistruara të dhunës në familje.

Sipas një Vrojtimi Kombëtar të kryer nga INSTAT, më 2018-n, një në dy gra, ose 52,9% e moshës 18-74 vjeç kanë përjetuar “ndonjëherë” një apo më shumë nga pesë llojet e ndryshme të dhunës gjatë jetës së tyre, ku përshihen dhunë nga partneri intim, dhunë gjatë marrëdhënies dashurore, dhunë nga jopartneri, ngacmim seksual dhe/ose përndjekje, gjatë jetës së tyre.

Një në tre gra, ose 36,7% e atyre që ishin ose kishin qenë të martuara dhe/ ose që jetonin me një partner mashkull përjetonin “aktualisht” dhunë në familje nga partneri intim, 61,8% e grave, që nuk ishin martuar kurrë dhe nuk kishin jetuar kurrë me një partner mashkull, por që kishin qenë në një marrëdhënie me një mashkull, përjetonin “aktualisht” dhunë gjatë marrëdhënies dashurore.

Analiza tregoi se 3 në 4 ose 75,8% e grave që kishin përjetuar dhunë nga jopartneri që në moshën 15 vjeç, kishin përjetuar gjithashtu dhunë në familje nga partneri intim; gratë që kishin përjetuar dhunë nga jopartneri që në moshën 15 vjeç, kishin dy herë më tepër gjasa të përjetonin dhunë në familje nga partneri intim (75,8%), krahasuar me gratë që nuk kishin përjetuar dhunë nga jopartneri që në moshën 15 vjeç (32,1%).

Të dhënat e mbledhura nga vrojtimi treguan se një në katër gra raportonte se dhuna në familje kish nisur brenda vitit të parë të martesës. Gratë që përjetonin “aktualisht” dhunë në familje kishin dy herë më gjasa që ta shihnin bashkëshortin/partnerin të dehur në shumicën e ditëve gjatë 12 muajve të kaluar, krahasuar me gratë që nuk përjetonin “aktualisht” dhunë në familje.

Gratë që e shihnin bashkëshortin/ partnerin të dehur shumicën e ditëve dhe çdo javë kishin më gjasa të përjetonin frikë, ankth, depresion, ndjenjë izolimi, pagjumësi dhe nervozizëm. Gratë që e shihnin bashkëshortin/ partnerin të dehur shumicën e ditëve kishin gjithashtu më shumë gjasa të pësonin të çara, të gërvishtura, dhimbje, etj.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, mbi Dhunën në Familje, në prill një muaj pas izolimit prej koronavirusit, u vu re rritje me 6.7 përqind. Muaji maj shënoi nivelin më të lartë të dhunës në katër vitet e fundit, me 32.3 përqind krahasuar me muajin pararendës dhe shifrat ishin edhe më alarmante në qershor, ku raportohej një rritje me 25.2 përqind krahasuar me majin.

Ndërsa shpesh priret të gjendet fajtori tek kushtet e këqija ekonomike apo mos arsimimi, sipas të dhënave të INSTAT një në dy autorë të dhunës në familje kishin arsim të mesëm dhe të ulet, ndërsa 30 përqind e tyre kishin arsim të mesëm të lartë. Me arsim fillor ishin një numër i vogël, ndërsa 2.3 përqind ishin me arsim universitar apo më të lartë.

Ajo që u vu re ishte se më shumë se 68 përqind e dhunuesve ishin në marrëdhënie pune dhe vetëm 12.6 përqind ishin të papunë. Numri i dhunuesve me aftësi të kufizuara ishte i vogël, me 2.5 përqind dhe afro 12 përqind i atyre që ishin në pension.

Ndonëse ekzistojnë një sërë organizatash kundër dhunës ndaj grave dhe fuqizimin e tyre, të cilat herë pas here organizojnë fushata njoftuese dhe ndërgjegjësimi apo edhe ofrojnë këshillim dhe strehim për viktimat e dhunës në familje, shumë pak janë ato që gjejnë guximin t’u drejtohen.

Po sipas të dhënave të INSTAT për 2018-n, Vetëm 16,9% e grave që aktualisht përjetonin dhunë në familje i kishin treguar dikujt për dhunën. Kryesisht ndihma kërkohet tek familjarët, ndërsa më pak te fqinjët, miqtë apo udhëheqësit fetarë.

Shumë më pak gra kanë kërkuar ndihmë nga rrjetet zyrtare të tilla si, policia me 4,4%, avokatët (3,4%), mjekët/punonjësit e shëndetësisë (3,1%), gjyqtarët (2,8%), ndonjë agjenci e shërbimeve sociale (1,6%), dhe nga ndonjë strehë grash dhe vajzash (0,4%). Sipas këtij vrojtimi,  nuk kishte asnjë grua që të kish kërkuar ndihmë nga linja telefonike 24 orëshe pa pagesë apo nga koordinatori lokal i dhunës në familje. Shumica e grave të dhunuara në Shqipëri vazhdojnë të vuajnë në heshtje...

Shpesh ato heqin dorë nga raportimi i dhunës apo denoncimet. “Tek ndryshimet ligjore, dhuna në familje konsiderohet si vepër penale. Edhe nëse gruaja tërhiqet, Prokuroria do ta vazhdojë çështjen”, thotë Iris Luarasi, duke shtuar se ishte shoqëria civile që kërkoi edhe këto ndryshime, duke marrë shkas nga kërcënimet që u bëheshin grave dhe familjarëve të tyre, që ato të hiqnin dorë. Dhuna në familje, sipas ndryshimeve të miratuara në Kodin Penal është e dënueshme me burg nga tre deri në pesë vjet, kur kryhen në mënyrë të përsëritur dhe në prani të fëmijëve.

Megjithëse i cilëson ndryshimet shumë të mira, Luarasi përfundon duke thënë se,  jo çdo gjë varet nga ligjet e mira, nëse nuk ka zbatim. Megjithatë këtë herë sytë janë edhe tek rehabilitimi i dhunuesve, si një hallkë për t’i çuar ata drejt ndryshimit, ndonëse shifrat e dhunës ndaj grave këto vite kanë parë vetëm rritje dhe fate tragjike për shumë që nuk guxuan të denoncojnë apo zëri i tyre nuk u dëgjua në kohë... S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë