Politike

Devijon marrëveshja Rama-Meloni? Zv.ministri italian: Nga 28 ditë, emigrantët në Shqipëri mund të qëndrojnë deri në 18 muaj

Gazeta Si - Emigrantët e ardhur nga vendet e Afrikës Veriore, të cilët do ta zbarkojnë në Shqipëri, mund të qëndrojnë deri në 18 muaj dhe jo 28 ditë, siç është parashikuar në marrëveshjen zyrtare me Italinë.

Zv.ministri i Shtetit të Italisë, për zbatimin e programit të qeverisë, Giovanbattista Fazzolari, i ftuar nga gazetari Bruno Vespa në kanalin “RaiUno”, njoftoi të enjten në mbrëmje se edhe në Shqipëri, ashtu si në Itali, emigrantët do të mund të "mbahen për më shumë se 28 ditë" në dy qendrat e parashikuara nga marrëveshja Meloni-Rama, duke qenë se “maksimumi i lejuar nga ligji italian është 18 muaj”.

LEXO EDHE:
- Parabola e Shqipërisë/ Nga bazë për skafistët që dërgonin njerëz me gomone, te një aleat strategjik i Italisë
- Zbardhet dokumenti i plotë zyrtar / Marrëveshja Shqipëri-Itali për refugjatët zgjat 5 vjet. Fondi i garancisë 100 mln euro

Kështu, për 3 mijë emigrantët që do të mbërrijnë nga Lampeduza në vitin 2024 në anën tjetër të Adriatikut, do të parashikohen “procedura të përshpejtuara” në mënyrë që “në 28 ditë, - tha Fazzolari, - të mund t’i përgjigjemi kërkesës (për azil)".

Më pas, megjithatë, atyre që nuk do t’u jepet e drejta, "mund të mbahen në paraburgim deri në 18 muaj në pritje të riatdhesimit".

Ndryshe nga sa njoftoi vetë kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili kishte thënë se “nëse Italia nuk arrin dot të kryejë riatdhesimet, do të duhet t'i marrë mbrapsht”, por me sa duket refugjatët do të duhet të presin një vit e gjysmë për t'i kthyer në Romë.

Funksionari i lartë italian, megjithatë, dje u hap me opozitën: “Debat parlamentar për marrëveshjen? Pse jo, ne jemi të gatshëm të mendojmë së bashku me të gjithë për ta bërë atë edhe më efektive”, edhe pse “nuk kërkon ratifikim parlamentar, sepse nuk është një traktat i ri ndërkombëtar ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë”.

Më pas ai shtoi: “Polemikat kundër marrëveshje erdhën vetëm nga e majta. Por juristë të rëndësishëm kanë thënë se ajo respekton plotësisht legjitimitetin dhe asnjë koment i veçantë nuk ka ardhur nga BE-ja”.

Në dokumentin e publikuar në faqen e Kryeministrisë, detajohet juridikisht dhe përgjegjësia që do të ketë shteti shqiptar dhe ai italian për emigrantët e vendeve të treta dhe ata që nuk kanë deklaruar shtetësi që në pritje të një përgjigje për kërkesën e tyre për azil në Itali, të sistemohen në territorin e vendit tonë.

Protokolli parashikon se nuk do të hyjnë më shumë se 3 mijë migrantë në muaj në territorin e vendit tonë dhe po ashtu në këtë kamp nuk mund të strehohen më shumë se 3 mijë persona njëkohësisht.

Ky dokument do të jetë në fuqi mes dy vendeve për plot 5 vite, dhe në rast se palët 6 muaj përpara skadimit të këtij afati nuk njoftojnë për të mos e rinovuar, atëherë në formë të heshtur protokolli zgjatet automatikisht dhe për 5 vite të tjera.

Qeveria italiane do të paguajë çdo shpenzim që lidhet me transportin e migrantëve, qëndrimin e tyre, kujdesin shëndetësor, ushqimin si dhe sigurinë brenda kampit ku autoritetet që do të drejtojnë do të jetë italianë.

Siguria jashtë kampit do të jetë e autoriteteve policisë dhe Forcave të Armatosura Shqiptare që do t’ju njihet dhe paguhet çdo kosto shtesë gjatë shërbimit.

Palët kanë rënë dakord që për vitin e parë qeveria italiane në një llogari të posaçme të hapur për zbatimin e kësaj marrëveshje të disbursojë brenda 3 muajve pas nënshkrimit të saj 16.5 milionë Euro. Ndërkohë që për çdo shpenzim të paparashikuar mbulohen po nga qeveria e shtetit fqinj.

Është parashikuar dhe një fond garancie prej 100 milionë eurosh për këto shpenzime ekstra që do të vendoset në një llogari të posaçme në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë