Ka ndodhur

Dështon plani, dy të dënuar ‘Vip’ tentojnë arratisjen nga burgu 313 në Tiranë

Dy të dënuar “Vip”, që vuajnë dënimin në burgun “313” në Tiranë kanë tentuar të arratisen. Bëhet fjalë për personazhe të njohur të drejtësisë. Njëri është Arbër Çekaj dhe tjetri Fatmir Pjetri.

Gjatë kohës së ajrimit, ata kanë tentuar të largohen nga ana e zyrave të administrates me anë të një litari, por plani i tyre ka dështuar.

Pak kohë më parë, Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit, ka lënë në fuqi dënimin me 14 vite burg për Arbër Çekajn, pronari i kontejnerit me banane të kapur me 613 kg kokainë në Portin e Durrësit.

Çekaj u dënua me 21 vite burg, por përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar, ku do të vuaj 14 vite burg.

Çekaj është dënuar si pjesë e grupit kriminal të trafikut të kokainës, pasi iu kap sasia prej 613 kg kokainë më 27 shkurt 2018 që e kishte fshehur në dyshemenë e kontejnerit me banane.

Ndërsa Pjetri është arrestuar për grabitjen spektakolare, si pjesë e bandës së “Babagjyshëve”. Ai u ekstradua në shtator të vitit 2019 nga Holanda drejt vendit tonë.

Pjetri ka qenë pjesë e grupit kriminal (Babagjyshët), ku gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytete Tiranë, Laç, Fushë-Krujë, Kuçovë dhe Durrës kanë grabitur me armë disa argjendari.

Rasti do të referohet në prokurori nga Drejtoria e Burgjeve, ndërsa ata do të përballen me akuzën akuzën e tentativës së largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë