Futboll

Dëshpërimi i Lionel Mesit, lamtumirë Argjentinë?

Lionel Mesi nuk do të jetë pjesë e kombëtares argjentinase, të paktën për momentin. Lajmi është përhapur me shpejtësi në Argjentinë, ku po flitet për një lamtumirë të “pleshtit”. E përditshmja “Clarin” shpjegon se ylli i Barcelonës i ka kërkuar stafit të përkohshëm teknik të Argjentinës që të mos grumbullohet për dy ndeshjet miqësore që janë programuara të luhen në USA kundër Guatemalës dhe Kolumbisë, më 7 dhe 11 shtator. Mesi, i cili sapo ka thyer çdo rekord me Barcelonën, duke u bërë lojtari më i titullar në historinë e saj, me 33 trofe, ka kontaktuar direkt trajnerin e përkohshëm, Lionel Skalonin, dhe i ka bërë të ditur vendimin e tij.

Në Argjentinë në fakt po aludohet shumë për një tërheqje përfundimtare të Mesit nga ekipi kombëtar. Bëhet fjalë për "pauzën e dytë të reflektimit” prej tij, pasi një vendim të tillë ai e kishte marrë edhe pas dështimit në finalen e Kupës së Amerikës. Edhe në atë kohë u fol për një largim përfundimtar nga Argjentina, por këtë herë frika është edhe më e madhe. Eliminimi në Botërorin e Rusisë nga Franca ishte një tjetër goditje e fortë për ambiciet e yllit argjentinas, për më tepër që Federata e Futbollit të Argjentinës është në një amulli totale. Kjo situatë ka bërë që Mesi të humbë besimin. Heshtja e kapitenit, që nuk ka folur asnjëherë pas eliminimit në Botëror, është një shenjë negative.

Lionel Mesi

Shtypi sportiv argjentinas ka lëshuar alarmin, duke analizuar faktet, që çojnë në konkluzionin se Mesi kurrë nuk është ndjerë si tani, jashtë kombëtares. Me siguri ai nuk ka në plan të kthehet para se të jetë qartësuar gjithçka tek Argjentina, duke nisur nga emërimi i trajnerit të ri, por kjo gjë pritet të ndodhë në fund të vitit. Vetëm atëherë Mesi do të marrë vendimin përfundimtar, nëse do të thotë “Mjaft”, apo do të vazhdojë të luajë me Argjentinën, me Kupën e Amerikës në vitin 2019 dhe Botërorin e 2022-shit si shanset e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë