Futboll

Derbi i Milanos, ose dueli i superfuqive botërore Kinë-SHBA

Inter-Milan, “derbi i Madoninës”, është një nga ndeshjet më të ndjekura të futbollit botëror. Mbetet e tillë, edhe pse futbolli italian ka humbur terren vitet e fundit dhe Seria A nuk është në nivelet e mëparshme. Derbi që do të luhet ditën e diel është ndryshe nga të tjerët, më shumë jashtë fushe. Është “Suning” kundër “Elliott”, dy kolosët ekonomikë që drejtojnë zikaltërit dhe kuqezinjtë dhe përfaqësues të dy kombeve dhe komuniteteve që kanë një influencë jo të vogël në Milano. Shtypi italian i ka kushtuar më shumë vëmendje kësaj pjese, duke sjellë detaje interesante.

Kina dhe Amerika përplasen të dielën në Milano, në derbin që është një përballje e dy superfuqive. Nuk është më Morati me shallin zikaltër, nuk është më Berluskoni që tregon barsoletën e zakonshme me qenin dhe Interin. Nuk do të shohim më kravatën e verdhë të Galianit, nuk do të shohim më Priskon që tregon lindjen e Interit nga eshtrat e Milanit.

Nga një derbi Inter-Milan i sezonit të kaluar

Tani derbi i Milanos është “Suning” kundër “Elliott”. Është kolosi industrial kinez që faturon 63 miliardë euro kundër fondit spekulativ të Nju Jorkut, që administron një pasuri prej 34 miliardë dollarësh. Është Zhang Jingdong, i cili sipas “Hurun”, është personi i 85-të më i pasur në botë, me një pasuri prej 16 miliardë dollarësh, kundër Pol Singer, i cili sipas “Forbes”, është personi i 822-të më i pasur në botë, me një pasuri prej 2.8 miliardë dollarësh.

Nuk ka më “Forza, Inter!" dhe "Alé, Milan!", por "Fozza, Inda!" dhe "Come on, Milan!". Inter-Milan është një duel Kinë-USA. Një duel, që del nga fusha e gjelbër. Nuk ndeshje që mbërthen botën, pa diplomaci. Është Xheki Çen kundër Rambos dhe të dielën do të qëndrojë në këmbë vetëm njëri prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë