Ne rrjet

“Der Standart”: Situata në Shqipëri e rrezikshme, mund të shpërthejë dhuna!

Gazeta austriake “Der Standart” i ka kushtuar një shkrim të gjatë krizës politike në Shqipëri, duke paralajmëruar se situata në vendin tonë është tanimë tejet e rrezikshme. Sipas gazetës më të madhe austriake, “lufta politike mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta nga njëra anë dhe përplasjet qeveri-opozitë, nga ana tjetër, si dhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese rrezikojnë ta çojnë vendin drejt trazirave civile".

“Kur socialistët të mbajnë zgjedhjet lokale më 30 qershor, rrezikon të shpërtheje dhuna në rrugë. Disa policë dhe protestues janë plagosur tashmë”, shkruan “Der Standart”.

Ajo e kthen vëmendjen edhe tek lidhjet e Partisë Demokratike dhe CDU-së dhe Partive Popullore Europiane, PPE-së, për të cilën thotë se mban një armë të fuqishme në duar: bllokimin e negociatave.

Artikulli i gazetes "Der Standart"

“Një rol të çuditshëm në këtë krizë luan CDU-ja dhe gazeta gjermane Bild, që mbështesin interesat e opozitës dhe po përfshihen në debatet politikës së brendshme shqiptare. Demokratët në Shqipëri, ashtu si CDU-ja, janë pjesë e Partisë Popullore Europiane (PPE). Është e rëndësishme të theksojmë se pa pëlqimin e CDU-së Shqipëria nuk mund të fillojë negociatat e pranimit. Pra PPE-ja mban një mjet të fuqishëm në duart e saj”, shkruan “Der Standart” .

Sipas gazetës austriake, viktima më e madhe e ‘këtyre intrigave politike të PPE-së’ është Maqedonia e Veriut. “Për shkak të Shqipërisë, CDU-ja ka refuzuar, fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut”, thekson gazeta.

“Der Standart" bën një pasqyrim të gjatë të krizës politike në Shqipëri duke shkruar se protestat e opozitës po përshkallëzohen qëllimisht me afrimin e datës së zgjedhjeve lokale.

Edi Rama dhe Jean-Claude Juncker

“Demokratët e opozitës duan të bojkotojnë zgjedhjet lokale më 30 qershor, ndërkohë Presidenti Meta dëshiron t’i shtyjë. Protestuesit hedhin koktej Molotov, sulmojnë policinë dhe i vënë zjarrin gomave dhe koshave në rrugë. Kohët e fundit, ata madje u përpoqën të hynin me forcë në Kryeministri. Mbështetësit e opozitës në Shqipëri kanë dalë në rrugë çdo javë që nga shkurti dhe po përdorin gjithnjë e më shumë dhunë në përpjekje për të përshkallëzuar situatën me afrimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Por Partia Demokratike dëshironin t'i bojkotojë ato, pasi ka bojkotuar punën parlamentare që nga shkurti. PD ngre alarmin për lidhjet mes Partisë Socialiste dhe atyre që dyshohet se manipuluan në zgjedhjet e fundit parlamentare. Megjithatë, këto zgjedhje dhe rezultatet janë njohur ndërkombëtarisht”, shkruan “Der Standart”

Më tej, gazeta austriake thekon se bojkoti zgjedhor nuk është asgjë e re në Shqipëri, por se këtë herë situata duket edhe më e komplikuar. “Që në fillim të vitit 2017, Partia Demokratike nuk donte të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare, veçanërisht për shkak të frikës së humbjes elektorale. Në momentin e fundit, ajo ndryshoi qëndrim. Por tani opozita është edhe më kokëfortë. Ajo dëshiron që zgjedhjet lokale të zhvillohen vetëm me pas krijimit t qeverisë së përkohshme, dhe që PD-ja të ndihmojë që mund të ndihmojë në formimin e saj. Ajo gjithashtu kërkon që disa politikanë socialistë të lidhur me veprat penale të sillen para drejtësisë”, shkruan “Der Standart”.

Sipas gazetës, presidenti Meta i ka hedhur “benzinë” kaosit politik në Shqipëri me shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Media e njohur thekson se tanimë Rama, Meta dhe Basha ndodhen në luftë politike me njëri-tjetrin.

Presidenti Ilir Meta

“PS-ja nuk e pranon vendimin e Presidentit. Komisioni zgjedhor gjithashtu ka hedhur poshtë vendimin e Metës. Dhe kryeministri Rama udhëtoi në Bruksel për t’u takuar me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker për të marrë mbështetjen e tij për zgjedhjet e 30 qershorit. Përveç kësaj, Rama dëshiron të shkarkojë këtë javë në parlament presidentin. Duket se Rama, Meta dhe udhëheqësi i opozitës, Basha janë në lufte politike. Sepse Meta nuk e ka falur Ramën për moslejimin e partisë së tij, LSI-së, të bashkë-qeveriste, ndërkohë që PS dhe PD po luftojnë njëra-tjetrën që nga vitet 1990”, shkruan gazeta.

Ajo ngre shqetësimin se problemi më i madh në Tiranë është tanimë mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese. “Tani do të ishte urgjente dhe e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të qartësonte çështjet ligjore që lidhen me zgjedhjet lokale. Duke qenë se kjo nuk është e mundur, Shqipëria është tanimë në një krizë kushtetuese. Në këtë situatë, demokratët mund të detyrojnë Ramën të japë dorëheqjen”, përfundon gazeta austriake “Der Standart” analizën e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë