Ne rrjet

Deputeti shqiptar fiton betejën, mesazh për ata që nuk besojnë se virusi ekziston…

Deputeti shqiptar i LSDM-së, Muhamed Zekiri ka fituar sot betejën me Covid-19, së bashku me bashkëshorten dhe vajzën tre muajshe. Lajmin për shërimin e tij e ka bërë të ditur vetë Zekiri në rrjetin social Facebook, duke falënderuar mjekët që u kujdesën për të dhe familjen e tij.

Zekiri shkruan se familja e tij kaloi një sprovë të madhe të cilën nuk do t’ia kishte uruar as armikut të tij më të madh.

“Dua të bëj një falënderim të veçantë për mjekët dhe personelin e klinikës së infektivit. Për ata që kanë sakrifikuar dhe vazhdojnë të sakrifikojnë gjithçka për ne: dr.Ilirin, dr.Milena ,dr.Fadilin dr.Ana stafin tjetër mjekësor të palodhurat Rejhani, Vesna, Elana, Kiki, Suhejla, Fisniku, Nuredini, Velimiri e shumë të tjerë të cilët 24 orë vazhdojnë të jenë në shërbim të pacientëve në repartin e infektivit”, shkruan ai.

Zëvendëskryetari i LSDM-së u ka dërguar një mesazh të fortë edhe atyre që nuk besojnë se koronavirusi ekziston, duke u kërkuar të ndërgjegjësohen dhe të kujdesën për veten dhe për njerëzit e tyre të dashur.

“Ju që vazhdoni të mos besoni se virusi ekziston dhe ende keni qasje joserioze ndaj COVID19 është koha e fundit të vetëdijesoheni dhe të shpëtoni veten dhe të afërmit tuaj duke marrë një qasje serioze ndaj situatës alarmante në të cilën po kalojmë si shoqëri. Dëshiroj asnjë nga Ju asnjëherë të mos përballeni me atë me të cilën u sprovova unë dhe familja ime. Këtë gjithsesi nuk do t’ia kisha uruar as armikut më të madhe. Ndërsa atyre shpirtligëve të cilët më uronin mua dhe familjes time përfundim fatal, do t’ju uroj që Zoti të paktën një herë në jetë tua mundësojë ndjenjën e të qënurit njeri”, përfundon ai.

Prej infektimit të tij 16 ditë më parë, një numër i madh i zyrtarëve të LSDM-së janë në vetizolim për shkak të kontakteve që kanë pasur me Zekirin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë