Ne rrjet

Deputetët gjermanë: Irani plane për akte terroriste në Shqipëri!

Pas alarmit të ngritur së fundmi nga mediat amerikane mbi aktivitetet e dyshimta e të regjimit iranian në Shqipëri, një delegacioni gjerman në Tiranë ka paralajmëruar se Teherani zyrtar po planifikon akte terroriste kundër muxhahedinëve të strehuar në vendin tonë.

Delegacion i lartë i Parlamentit Federal Gjerman, udhëtoi për në Shqipëri për të vizituar kompleksin e muxhahedinëve iranianë në Manzë të Durrësit, ku bisedoi me anëtarët e MEK-ut rreth kushteve të tyre dhe kërcënimet me të cilat janë përballur kohët e fundit.  Pjesë e këtij delegacioni ishin Prof. Rita Sussmuth, ish Presidente e Parlamentit Federal Gjerman, parlamentarët Otto Bernhardt dhe Martin Patzelt, si dhe Christian Zimmermann, kryeredaktor i buletinit "Spotlight".

Sussmuth, e cila ka luajtur një rol aktiv në transferimin e anëtarëve të MEK nga Iraku në vendet europiane, shprehu shqetësimin për sigurinë e anëtarëve të MEK, gjatë vizitës në vende të ndryshme të kompleksit në Manzë. Vizita e saj erdhi pasi mediat e kontrolluara nga muxhahedinët kanë ngritur alarmin se Irani po përgatitet për një sulm të madh ndaj bazës së tyre në Shqipëri. Grupi opozitar shprehet se falë spiunëve brenda regjimit ka arritur të zbulojë se forcat speciale të regjimit iranian janë duke përgatitur terrenin për akte terrorizmi në Europë, veçanërisht në Shqipëri. Sipas tyre, ambasada iraniane është vënë në lëvizje dhe ka dërguar nëpunës të inteligjencës saj në Tiranë. Opozita ka hartuar së fundmi një raport mbi aktivitetet e spiunazhit të regjimit iranian në vendin tonë dhe në Europë, duke theksuar se sulmet në tokën shqiptare janë e vetmja mënyrë për të sulmuar MEK-un, pa përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë Iranin.

Vizita e delegacionit gjerman në Tiranë erdhi vetëm pak ditë pas publikimit të këtij raporti. Të hënën në mbrëmje, zyrtarët gjermanë, sëbashku me disa parlamentarë shqiptarë, morën pjesë në një konferencë mbi kërcënimet e regjimit iranian në Europë dhe Ballkan.

Ata ngritën alarmin për rrezikun që i kanoset vendit tonë, duke përmendur veprimtaritë terroriste të regjimit iranian, përfshirë komplotet kundër MEK në Tiranë në mars 2018, dhe në Paris më 30 qershor 2018, si edhe arrestimin e agjentëve të regjimit në Gjermani, Belgjikë dhe Francë. Sipas delegacionit gjerman, regjimi iranian i ka shkelur të gjithë kufijtë. Sipas tyre, një diplomat iranian ia ka dorëzuar personalisht eksplozivët agjentëve të tjerë. Policia gjermane e arrestoi këtë diplomat më 1 korrik dhe e ekstradoi më 2 tetor tek autoritetet belge. Më 2 tetor, zyrtarët francezë shpallën se komploti për të sulmuar tubimin e Parisit ishte organizuar nga shërbimet e inteligjencës së Teheranit. Franca ka ngrirë asetet që i përkasin Ministrisë iraniane të Inteligjencës.

Zyrtarët që morën pjesë në konferencë thanë gjithashtu se kjo valë e re terrorizmi pasqyron paaftësinë e regjimit për t’u përballur me një kryengritje mbarëkombëtare që ka filluar në fund të 2017-ës dhe vazhdon edhe sot.

Disa prej anëtarëve të MEK në Tiranë


“Regjimin e ka xhindosur zhvendosja e sigurtë e të gjithë anëtarëve të opozitës në Shqipëri, pasi ka dështuar në përpjekjen për t’i asgjësuar ata në Irak apo për t’i detyruar të dorëzohen e të kthehen në Iran. Duke sajuar gënjeshtra absurde si pretendimi se PMOI ka krijuar një qeveri brenda një qeverie apo se po i mban anëtarët e saj kundër vullnetit të tyre, është e qartë se Teherani po krijon terrenin për veprime të mëtejshme terroriste kundër tyre”, thuhej në njoftimin zyrtar të delegacionit gjerman.  “Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për pavërtetësinë e këtyre pretendimeve; përvoja jonë prej dy dekadash me këtë opozitë e bën të qartë se ajo është një lëvizje vërtet demokratike, e përgjegjshme dhe e besueshme, qëllimi i vetëm i së cilës është të themelojë demokracinë dhe të drejtat njerëzore në Iran. Ajo respekton thellësisht popullin dhe ligjet e Shqipërisë dhe ka krijuar marrëdhënie miqësore me kombin që e ka mirëpritur.”

Zyrtarët gjermanë deklaruan gjithashtu se duke i pranuar këta refugjatë, Shqipëria e ka ngritur pozitën e saj brenda Bashkimit Europian si dhe në mbarë botën.

Lajmi se vendi ynë kishte arrestuar dy terroristë iranianë në mars të këtij viti bëri bujë të jashtëzakonshme në mediat botërore, duke ngritur alarmin se regjimi iranian po përgatitej për të sulmuar grupin opozitar të strehuar në vendin tonë. Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj dhe polemikat rreth kësaj çështjeje nuk janë shuar. Përkundrazi regjimi iranian dhe muxhahedinët që jetojnë  në Shqipëri duket se janë angazhuar në një luftë të vërtetë verbale kundër njëri-tjetrit.


Vizita e delegacionit gjerman në Tiranë 

Muxhahedinët në pushtet?

Pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore me Iranin, Presidenti Donald Trump i ka çuar marrëdhëniet mes dy vendeve në pikën më të ulët në dekada. Por aanksionet e ekonomike për të gozhduar Iranin duket se kanë e vendosur sërish Amerikën në një “luftë” të hapur me Bashkimin Europian, i cili këmbëngul se ndryshe nga Trump, nuk ka asnjë arsye për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me regjimin islamik.

Irani është padyshim një nga armiqtë më të vjetër të Uashingtonit dhe jo më kot Shtëpia e Bardhë ka marrë në mbrojte opozitën iraniane, më shpresën së një ditë MEK do ngjitet në pushtet. Udhëheqësit e regjimit druhen se për shkak të lidhjeve të forta të organizatës me ligjvënësit amerikanë, Presidentit Donald Trump mund të jetë duke planifikuar të vendosë sa më parë muxhahedinët në krye të Iranit.

Këshilltari i Trump, John Bolton ka qenë prej kohësh një mbështetësi i madh i grupit. E njohur për strukturën e fshehtë udhëheqëse si dhe qëndrimin e ashpër ndaj regjimit iranian, muxhahedinët kanë histori të shkëlqyer të marrëdhënieve me ligjvënësit perëndimorë në veçanti amerikanët.

MEK-u ishte një temë që ishte shmangur gjerësisht nga zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit, por tani që Bolton kryeson Këshillin e Sigurisë Kombëtare, MEK ka një shans të rrallë për t’u vetëvendosur si një lojtar serioz në politikëbërjen e SHBA-së. Tani që  janë shumë larg shtëpisë dhe të sigurt në strehën e tyre të re, MEK është shpresa e vetme për përmbysjen e regjimit në Iran dhe SHBA-ja duket është e gatshme të bëjë gjithçka për ta arritur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë