Shumë njerëz e lidhin depresionin me moshën e rritur, por ka shumë fëmijë që vuajnë nga depresioni.
"Ne mendojmë se është e lehtë të jesh fëmijë, por jeta për një fëmijë mund të jetë sfiduese dhe e dhimbshme", thotë Rachelle Theise, një asistent klinik dhe psikolog i fëmijëve në Qendrën e Studimit të Fëmijëve, Nju Jork.
Pra, si ta dini nëse fëmija juaj është në depresion apo thjesht pak i shqetësuar?
Faktorët e rrezikut për depresionin e fëmijërisë
Çdo fëmijë mund të përjetojë depresion, por disa fëmijë mund të jenë më të rrezikuar. Për shembull, gjendja tenton të shfaqet më shumë tek ata që ndihen "të ndryshëm" për shkak të pamjes ose interesave të tyre, si dhe atyre që vuajnë nga një çrregullim i të nxënit. Depresioni i fëmijërisë është gjithashtu më i përhapur tek fëmijët që përjetojnë probleme serioze shëndetësore, probleme familjare si divorci, dhuna në familje ose jetojnë me persona që abuzojnë me substancat narkotike. Gjenetika gjithashtu luan një rol të madh.
"Fëmijët që kanë të afërm biologjikë me depresion janë dy deri në katër herë më shumë të rrezikuar nga depresioni sesa fëmijët pa të afërm biologjikë që vuajnë nga kjo gjëndje," thotë Jephtha Tausig-Edwards, një psikolog klinik dhe instruktor klinik në Qendrën Mjekësore Sinai në Nju Jork.
Depresioni zakonisht nuk ka një shkak të drejtpërdrejtë; përkundrazi, rezulton nga një kombinim i faktorëve të ndryshëm.
"Kërkimi i një fajtori nuk është e dobishme dhe mund të mos jetë produktive në procesin e trajtimit. Shumë shpesh, fëmijët bien në depresion për shkak të ngjarjeve stresuese që mund të kalojnë në jetë,” thotë Tausig-Edwards. Fëmijët gjithashtu mund të përjetojnë depresion nëse nuk ndihen të suksesshëm.
Shenjat e depresionit tek fëmijët
"Është e rëndësishme të dini shenjat e depresionit tek fëmijët në mënyrë që prindërit të kuptojnë me saktësi shqetësimin e fëmijës së tyre", thotë Theise.
Për shkak se nuk ka asnjë provë të vërtetë depresioni për fëmijët, prindërit thjesht duhet të përqendrohen tek instinktet e tyre.
"Nëse fëmija juaj po shpreh ndjenjat e saj, kjo është një mënyrë terapie dhe duhet që ju ta inkurajoni. Por nëse prindi është i shqetësuar për atë që fëmijët shkruajnë apo vizatojnë duhet të kërkojnë këshilla profesionale,” thotë Stacey Brown, një këshilltar i licencuar i shëndetit mendor në Fort Myers, Florida.
Prindërit gjithashtu duhet të kenë kujdes për këto simptoma të depresionit tek fëmijët, të hartuar nga Shoqata e Ankthit dhe Depresionit të Amerikës. Ekspertët shpjegojnë se duhet të bisedoni më tepër me fëmijët tuaj, por pa u shpërqendruar nga telefoni apo nga motrat ose vëllezërit e tjerë. Ndër të tjera ata shpjegojnë se duhet t’i drejtoheni fëmijëve me pyetje që janë në interesin e tyre.
Kështu, "nëse sjellja ose gjendjet shpirtërore të fëmijës kufizojnë jetën ose ndikojnë në aktivitetet familjare, është koha për të kërkuar ndihmë. Nëse shqetësoheni për depresionin e fëmijërisë, kërkoni ndihmë nga pediatri juaj, një psikiatër ose një psikolog i specializuar në shëndetin mendor të fëmijëve. Ekzistojnë dy forma kryesore të trajtimit për depresionin tek fëmijët: psikoterapia dhe farmakologjia. Disa ekspertë mund të rekomandojnë një kombinim të të dy metodave të trajtimit.
Psikoterapia: E njohur gjithashtu si terapi bisede, psikoterapia mbështetet tek një psikolog (ose psikiatër ose punonjës social) për të ndihmuar fëmijën tuaj të punojë me ndjenjat negative. Një shembull i zakonshëm është terapia njohëse e sjelljes (CBT).
Farmakologjia: Mjekët do të trajtojnë simptomat e fëmijëve tuaj me ilaçe kundër depresionit. Ashtu si të gjitha medikamentet, ilaçet kundër depresionit mund të kenë efekte anësore, kështu që prindërit duhet të jenë vigjilentë kur bëjnë pyetje në lidhje me përfitimet dhe rreziqet e mundshme nëse kjo metodë rekomandohet nga mjeku i fëmijës suaj.
Burimi: Parents/ Përktheu: Gazeta "Si"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.