Politike

Denoncimet e PD, a është Dionis Imeraj kryebashkiaku i radhës?

Një javë më parë, Partia Demokratike tha se po verifikonte dy nga katër kryebashkiakët e Qarkut të Dibrës, që mendon se preken nga ligji i dekriminalizimit. Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi e bëri këtë deklaratë pas një takimi me strukturat e partisë në këtë qark.

Njëri prej emrave u bë publik nga ana e Partisë Demokratike ditën e enjte. Demokratët thanës e Agron Malaj, kryebashkiak i Matit duhet të japë dorëheqjen pasi është dënuar nga Gjykata e Burrelit për armëmbajtje pa leje. Vetë Malaj e ka deklaruar këtë dënim në formularin e dekriminalizimit, por PD thotë se dënimi në fjalë ja ndalon që të kandidojë për t’u zgjedhur.

Me emrin e Malajt të zbuluar, tre janë emrat e tjerë nga ku PD me gjasë do të denoncojë të paktën njërin se ndalohet nga ligji i dekriminalizimit. Emrat janë kryebashkiaku i Klosit, Ilmi Hoxha, ai i Bulqizës, Lefter Alla dhe kryebashkiaku i Dibrës, Dionis Imeraj.

Ilmi Hoxha dhe Lefter Alla nuk janë përmendur ndonjëherë nga ana e Partisë Demokratike për lidhje të dyshimta, ndërsa emri i Dionis Imerajt është përfshirë nga Lulzim Basha në një deklaratë të muajit gusht të 2019, ku denonconte sipas tij 9 kryebashkiakë socialistë të lidhur me krimin.

Në fakt, përplasja e Partisë Demokratike me Dionis Imerajn daton që prej 2016-ës, në zgjedhjet e parakohshme vendore për Bashkinë e Dibrës, pas largimit të Shukri Xhelilit. Në atë kohë drejtor i Tatimeve për Dibrën, Dionis Imeraj akuzohej nga Partia Demokratike për shitblerje votash, ndërsa emri i tij përflitet edhe në përgjimet e Prokurorisë për dosjen 184, për zgjedhjet e 2016 në këtë bashki.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë