Politike

PD kërkon "kokën" e kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj

Partia Demokratike, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka nxjerrë një tjetër emër kryebashkiaku të dënuar më parë dhe që kanë marrë sipas saj mandatin në kundërshtim me ligjin e dekriminalizimit.

Pas denoncimit të Qerim Ismailajt të Bashkisë së Mallakastrës, sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi në një dalje për mediat tha se Partia Demokratike i ka kërkuar sot zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të kaluarës kriminale të kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj.

Sipas Bardhit, Agron Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik pasi sipas tij është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje dhe sipas ligjit për dekriminalizimin i ndalohet kandidimi përjetë në një funksion publik.

“Sot Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të kaluarës kriminale të Edi Ramës së Matit.

Agron Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik.

Ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje, dhe sipas ligjit për dekriminalizimin, i ndalohet kandidimi përjetë në një funksion publik”, u shpreh Bardhi.

Bardhi ndër të tjera tha se “Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të veprojë pa asnjë vonesë me administrimin zyrtar të vendimit të Gjykatës së Matit dhe për heqjen e menjëhershme të mandatit për Kryetarin e Bashkisë së Matit, Agron Malaj”.

Ky është kryebashkiaku i pestë i denoncuar nga PD pas 30 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë