Pas denoncimit të Qerim Ismailajt të Bashkisë së Mallakastrës, Partia Demokratike është duke verifikuar të shkuarën e dy kryebashkiakëve socialistë të Qarkut të Dibrës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit të vitit të kaluar.
Kjo u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
“Kemi në proces verifikimi dy prej tyre mbi të shkuarën kriminale dhe sapo të kemi informacionin e plotë, nëse na rezulton e provuar e shkuara e tyre kriminale do ta ndajmë atë me opinionin publik”, deklaroi Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve e bëri këtë deklaratë teksa ndodhej në qytetin e Peshkopisë në kuadër të takimeve me bazën e partisë.
Por cilat janë emrat që po verifikojnë demokratët? Gazment Bardhi nuk dha asnjë indicie tjetër. Qarku i Dibrës përmbledh katër bashki. Ato janë Bashkia e Peshkopisë, Bashkia e Bulqizës, Bashkia e Klosit dhe Bashkia e Matit.
Kryetar i Bashkisë së Peshkopisë është Dionis Imeraj, Bashkia e Bulqizës drejtohet nga Lefter Alla, Bashkia e Klosit nga Ilmi Hoxha dhe Bashkia e Matit nga Agron Malaj. Sipas deklaratës së Bardhit, dy nga këta katër emra po verifikohen nga demokratët pasi dyshohet se kanë fshehur të shkuarën kriminale në formularët e dekriminalizimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.