Futboll

Dënimi- Skënderbeu mund të shpëtojë nëse pagëzohet me emër tjetër

Mbajtja në fuqi e dënimit prej 10 vitesh pezullim në kompeticionet e UEFA pa dyshim që është më i rëndi i dhënë ndonjëherë në futbollin europian dhe i dha një goditje shumë  të fortë Skënderbeut. Klubi korçar që në dekadën e fundit ka dominuar dhe ka bërë historinë e futbollit shqiptar gjendet tashmë në pikën ku rrezikon seriozisht të shkrihet ose të rikthehet në nivelet e ulta, ku "vrapoi" për gati një dekadë mes viteve 2000-2010.

CAS është niveli më i lartë i gjyqësorit sportiv europian dhe nuk mund të apelohet në ndonjë gjykatë tjetër sportive. Por ka edhe një shpresë të fundit për Skënderbeun. Është gjykata Federale Gjermane e cila vlerësohet si hallka e fundit, ku mund të ankohen drejtuesit korçar dhe të kërkojnë drejtësinë e pretenduar. Kjo Gjykatë është jashtë sistemit gjyqësor sportiv të UEFA-s, por duke qenë se CAS e ka selinë në Zvicër, do duhet t’i nënshtrohet kësaj Gjykate, e cila shqyrton çdo vendim penal apo administrativ që merret brenda territorit të shtetit zviceran. Shkuarja në këtë gjykatë me dosjen e plotë dhe një fitore e mundshme do të përbënte variantin e parë për klubin korçar. Ky është në fakt edhe varianti më pozitiv në këto momente, pasi një fitore në Gjykatën Federale të Zvicrës do e lironte nga akuzat dhe rikthimi në Europë do të ishte i mundur duke filluar që nga vera e ardhshme.

Varianti i dytë pak më zymtë, por që ka filluar të qarkullojë korridoreve të futbollit në vend, është ai i krijimit të një ekipi nga e para. Nuk është një gjë e re në fakt, pasi në botë janë disa klube me emër që kanë falimentuar dhe pas janë rithemeluar me një ndryshim në akronimet para emrit (Shembull: Nga F.C në C.F ose nga K.F në K.F). Te Skënderbeu emri i ri që diskutohet nën rrogoz është “Akademia Skënderbeu”. Në fakt ky emër aktualisht ekziston në futbollin tonë të të rinjve, pasi është ngritur nga drejtuesit korçar akademia që prej më shumë se 2 vite. Ky projekt do të merrte pak më tepër kohë nga i pari, pasi skuadra do e niste çdo gjë nga kategoria e dytë dhe minimalisht do të duheshin 3 vite për të luajtur në kompeticionet europiane. Por ky variant ka dy mangësi serioze. Përveç faktit që tifozët korçar do e kishin të vështirë ta shikonin ekipin e tyre të qytetit në nivelet inferiore, në mes është historia dhe titujt e fituar nga Skënderbeu në të shkuarën. Me ngritjen e këtij ekipi nga e para titujt e fituar deri më tani, kampionate dhe kupa do të vuloseshin përgjithmonë dhe çdo fillon nga zero.

Varianti i tretë dhe ai më negativi, që në Korçë i tremben më shumë, është ai shuarjes dhe largimit të drejtuesve aktual. Skënderbeu është në pronësi të përbashkët mes Bashkisë Korçë dhe Ardian Takajt e nëse ky i fundit do të hiqte dorë nga klubi bardhekuq, përgjegjëse për ekipin do të mbetej vetëm bashkia. Për momentin Takaj dhe njerëzit pas tij kanë konfirmuar besnikërinë ndaj Skënderbeut, por do të jetë shumë e vështirë mbajtja e një ekipi që nuk mund të luaj në Europë për të paktën 9 kampionatet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë