Futboll

Dënimi i Skënderbeut jehonë në mediet botërore, FSHF hesht

Dënimi i paprecedentë ndaj Skënderbeut për të mos marrë pjesë për 10 vite në kompeticionet europiane ka shkaktuar një tronditje të madhe në futbollin shqiptar. Klubi korçar që ka dominuar në futbollin tonë në 10 vitet e fundit e shikon veten të dënuar në mënyrë definitive nga shkalla më e lartë e gjyqësorit sportiv, CAS. Ky dënim kaq i rëndë që u konfirmua nga gjykata e arbitrazhit sportiv është më i rëndi në historinë e futbollit europian. Jehona e këtij vendimi i kalur edhe kufijtë e Europës, duke u shpërndarë nga disa prej medieve më të mëdha në botë. The Washington Post, Associated Press, Daily Gazette Holzminden, Daily Mail, kanë qenë vetëm disa nga gazetat më të mëdha botërore që kanë shkruar për këtë vendim kundër klubit shqiptar.

Gazeta amerikane “The Washington Post” shkruan se “UEFA ngriti shqetësime në lidhje me bastet që viheshin për humbjen apo fitoren e Skënderbeut dhe ndikimin e madh si të përfshirë në këtë aferë ish-ministrin e Financave, Ridvan Bode, ish-presidentin Agim Zeqo dhe presidentin aktual të klubit Ardjan Takaj.”. Të njëjtën gjë ka shkruar edhe agjencia botërore e lajmeve, “Associated Press”, ndërsa sipas Daily Mail dënimi për klubin korçar është marrë pas një hetimi që është shtrirë gjatë në kohë.

Por edhe pse ky dënim i konfirmuar për Skënderbeun ka bërë një jehonë të madhe dhe shkakton një tërmet shumë të fortë për futbollin tonë, nga Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk ka asnjë reagim. Pas më shumë se 2 orë nga publikimi i këtij vendimi, FSHF ende nuk ka bërë asnjë deklaratë për mediet. Përveç qëndrimit, nga FSHF pritet edhe një qëndrim zyrtar nëse ky dënim do të reflektohet në kampionatin tonë, pasi për Skënderbeun mund të ketë edhe zbritje pikësh ose edhe rrëzim nga kategoria për shkak të akuzave të rënda ndaj të cilave nuk shpëtoi dot as në CAS.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë