Futboll

KAS lë në fuqi dënimin e Skënderbeut: 10 vite jashtë Kupave të Europës

Nuk ka asnjë ndryshim sa i takon dënimit të Skënderbeut me 10 vite jashtë Kupave të Europës nga UEFA. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë e ka hedhur poshtë apelimin e Skënderbeut, që pretendonte pafajësinë, madje kohët e fundit kishte shumë besim se do të fitonte të drejtën nga kjo gjykatë. Por e ka humbur tashmë betejë ligjore me organizmin që drejton futbollin europian.

KAS-i ka shpallur sot vendimin zyrtar, sipas të cilit konstatohet se dënimi i UEFA-s për Skënderbeun është i drejtë dhe plotësisht i justifikuar juridikisht. Pra, rezulton se ky ekip ka manipuluar ndeshjet. Klubi korçar është dënuar në vitin 2018 me 10 vite jashtë Kupave të Europës, pasi është përfshirë në trukim ndeshjesh në kompeticionet europiane, duke ndikuar në rezultat. Më parë Skënderbeu ishte përjashtuar një sezon nga Kupat e Europës, pasi konsiderohej një ekipi i papërshtatshëm nga UEFA për garat që ajo organizon.

Atë vit, vendin e Skënderbeut në Ligën e Kampionëve e mori Partizani i vendit të dytë. Korçarët u kthyen pastaj në Europë, në Ligën e Europës, duke shkruar deri në fazën me grupe. Në vitin 2018 u dha vendimi për dënimin me 10 vite jashtë Europës dhe që atëherë vazhdonte beteja ligjore me UEFA-n, me shpresat te KAS-i, por më kot.

Faksimile e vendimit të KAS-it

“Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka hedhur poshtë ankesën e paraqitur nga klubi shqiptar i futbollit, “Skënderbeu”, kundër vendimit të Apelit të UEFA-s. Më 26 prill 2018, trupi gjykues konfirmoi vendimin e 29 marsit 2018 nga Bordi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës (CEDB) në UEFA, i cili e gjeti KS Skënderbeun përgjegjës për fiksimin e ndeshjeve dhe e përjashtoi nga kompeticionet europiane për 10 vite, si dhe e gjobiti me 1 milionë euro. Në maj 2018, KS Skënderbeu paraqiti një ankesë në KAS, duke kërkuar anulimin e vendimit dhe sfidoi sanksionin disiplinor. Gjykata e KAS-it zhvilloi një seancë dëgjimore me palët më 16 prill 2019. Në bazë të dëshmive që ishin në dispozicion, KAS-i e ka gjetur KS Skënderbeun përgjegjës për aktivitetet e fiksimit të ndeshjeve dhe arriti në përfundimin se sanksionet e UEFA-s ishin të justifikuara. Rrjedhimisht, ajo hodhi poshtë ankesën e Skënderbeut dhe konfirmoi vendimin e UEFAS-s”, - shkruhet në vendimin e KAS-it.

Një goditje shumë e rëndë kjo për futbollin shqiptar, që merr një dënim rekord. Dënim shembullor për klubin që ka dominuar gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Përveç dënimit me 10 vite jashtë Europës, klubi Skënderbeu është i detyruar të paguajë edhe një gjobë prej 1 milion eurosh. Tani e ardhmja e këtij ekipi është në rrezik shumë serioz. Mbetet për t’u parë pozicioni i presidentit Ardjan Takaj, i cili vështirë se do të vazhdojë të investojë për Skënderbeun. Po ashtu, duhet pritur për të mësuar çfarë lëvizje do të bëjë klubi korçar, pasi shansi i fundit është për ta çuar çështjen në Gjykatën Federale të Zvicrës. Ka edhe një variant për ndryshimin e emrit të ekipit, por në këtë rast duhet nisur gjithçka nga zero, nga kategoria më e ulët.


Ndikim të drejtpërdrejtë ka ky dënim edhe në garën e Superiores për sezonin e ardhshëm. Skënderbeu nuk ka më për çfarë objektivi të luajë, përderisa në Europë nuk mund të marrë pjesë. Gjasat janë që futbollistët më të mirë të këtij ekipi të largohen menjëherë për ta vazhduar karrierën diku tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë