Sport

Dënim maksimal, peshëngritësja Romela Begaj pezullohet 8 vite

Peshëngritësja Romela Begaj pasi u pezullua sepse kishte përdorur substancën e ndaluar stanozolol, është dënuar me 8 vite pezullim nga të gjithë aktivitetet ndërkombëtare. Peshëngritësja shqiptare nuk ka mundur të mbrohet dhe Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes i ka dhënë dënimin maksimal.

Lajmi për pezullimin e Begajt është bërë publik gjatë ditës së enjte nga Federata Botërore e Peshëngritjes. Dënimi për Romelën është dhënë pasi juristët e FBP-së kanë shqyrtuar dokumentacionin. Avokatët e sportistes shqiptare kishin paraqitur një dosje të detajuar me prova, por që nuk janë marrë parasysh nga gjyqtarët e Apelit të FBP-së, të cilët e lanë në fuqi pezullimin 8-vjecar. Arsyeja e këtij dënimi maksimal dhe të ashpër për Romela Begajn vjen edhe për shkak se kemi të bëjmë me një rast të përsëritur.
Romela Begaj u shpall kampione në kampionatin botëror të zhvilluar në Amerikë në vitin 2017, por që nuk e mori asnjëherë medaljen për shkak te dopingut. Tashmë për peshëngritësen shqiptare i vetmi shans për t’u provuar është CAS, ku mund të provojë apelimin.

Hera e parë që Begaj del pozitive me doping ishte në dhjetor të vitit 2014, ku Begaj ka rezultoi pozitive në testin anti-doping pas botërorit në Kazakistan. Atëherë pezullimi që iu dha ishte vetëm për 2 vite në të gjitha kompeticionet ndërkombëtare. Ky dënim i Romela Begajt është një tjetër goditje e rëndë për sportin e peshëngritjes në vendin tonë edhe pse në vitin e fundit masat anti-doping janë ashpërsuar akoma dhe më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë