Para

Denaj: Qeveria nuk do të paguajë Beccheti-n deri në një vendim të formës së prerë

Ministrja e Financave Anila Denaj ka deklaruar mbrëmë në emisionin Open në Top Channel se qeveria nuk do të paguajë asgjë për gjyqin e Francesco Becchetit deri në një vendim të formës së prerë.

“Në momentin që të gjitha gjykatat do të vendosin, kur të vendoset që do të paguhen, do të paguhen. Gjoba nuk është fjala e duhur, ato janë detyrime. Buxheti i shtetit i paguan. Ne tani jemi në proces apelimi” – është shprehur ministrja Denaj.

Shteti shqiptar duhet t’i paguajë nga arka e vetë 111 milionë euro biznesmenit italian Francesco Becchetti dhe ortakëve të tij për shpronësim të padrejtë të investimeve të tyre në televizion privat Agon Channel.

Vendimi është marrë më 24 prill 2019 nga Gjykata e Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) pranë Bankës Botërore.

Sipas vendimit të ICSID, qeveria shqiptare, me vendimet e saj, ka shkatërruar investimet e bëra nga Becchetti dhe ortakët e tij në shoqërinë mediatike Agon Set, pjesë e të cilit ishte dhe televizioni Agon Channel.

Vendimet e ICSID-së, gjykatës së Arbitrazhit që i dha të drejtë Francesco Becchetti-t, duke ndëshkuar Shqipërinë dhe duke e dëmshpërblyer investitorin italian me rreth 110 mln euro janë të formës së prerë dhe ato nuk mund të apelohen.

Këtë e parashikon Konventa mbi bazën e të cilës është ngritur ajo që njihet si Qendra për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID – International Center For Settlement of Investment Disputes), me seli në Uashington dhe që është pjesë e Bankës Botërore.

Sipas neneve, 50, 51, 52 dhe 53 të Konventës, që Shqipëria e ka nënshkruar dhe ratifikuar që në vitin 1991 vendimet e kësaj trupe nuk mund të apelohen në një gjykatë, apo trupë gjyqësore tjetër, por vetëm mund të rishikohen nga e njëjta Qendër, nëse për një çështje të caktuar, pala pretenduese paraqet prova të reja, që mund të vlerësohen se mund të ndryshojnë vendimin e marrë.

Becchetti ka kërkuar konfiskimin e pasurive të Shqipërisë në Austri, deri në likujdimin e detyrimit nga shteti shqiptar.

Këtë të fundit do ta bënte me dije gazeta e madhe autriskae Der Standart.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë