Menaxhim

Denaj: Më 27 mars nis aplikimi për bashkimin e fermerëve. Lejet e ndërtimit në fshatra do të lehtësohen

Nga Gazeta 'SI' - Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tregoi se fermerët mund të nisin aplikimet për bashkim nga 27 marsi.

Në një takim me fermerët në Tiranë, Denaj sqaroi se ata mund të bëhen bashkë dhe të firmosin një marrëveshje interesi të panoterizuar dhe të bashkojnë parcelat e tyre më të vogla se 1 hektar, serë apo fushë.

“Kur të fillojnë aplikimet në date 27 mars ku 3-4-5-6-7 blegtorë apo fermerë, të cilët kanë më pak se 1 ha toke, qoftë serra apo produkte në fushë, të bëhen bashkë dhe të firmosin një marrëveshje interesi e panoterizuar siç u tha për të shkruar tek qendrat tona rajonale, tek një agronom apo një veteriner, i cili do t’ju ndjek në protokollet tuaja në hallet, shqetësimet tuaja deri tek kontrata, e cila duhet më në fund të gjithë ne t’a bëjmë detyrim për të arritur atë që është shitja e produktit dhe marrja e parave në kohe reale mbrapsht”, tha ministrja e Bujqësisë e cila theksoi se skema është bashkim interesash e jo pronash.

Ministrja Denaj tha se bashkimi i operatorëve sot është një kërkesë e tregut dhe një kërkesë e skemës, për shkak të problemit të fragmentarizimit të tokës. Por ajo theksoi se fitimi parashikohet të jetë i lartë.

“Për ju do të ishte më shumë lekë. Sepse çdo masë që u tha pak më parë do të merret maksimalisht. Të parët që do të përfitojnë nga Skema, masën e plotë qoftë në skemën e blegtorisë gjithashtu edhe të perimeve luleshtrydheve apo produkteve të tjera, janë ata që janë të bashkuar. Ata do të marrin maksimumin e skemës. Nëse ne kemi 100 apo 1000 operatorë të bashkuar, janë ata që marrin maksimumin dhe pjesa e mbetur e lekëve do të shpërndahet proporcionalisht tek të tjerët. Pra, të gjithë do të marrin, por disa do marrin më shumë dhe disa më pak. Kjo edhe një herë për të siguruar cilësinë e produktit dhe protokollin e ndjekur”, u shpreh Denaj.

Ministrja gjithashtu bëri me dije se po finalizohet nisma edhe për lehtësimin e dhënies së lejeve të ndërtimit në zonat rurale, çka do të ndikojë në zhvillimin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë