Futboll

Dëmtimi i Ronaldos, Zidane qetëson tifozët: Rikthehet për finalen e Champions

Kur nisi pjesa e dytë e takimit, të gjithë tifozët e Realit panë të shqetësuar se Cristiano Ronaldo ishte ulur në stol, për t’i lënë vendin Asensios në fushë.

Asi portugez u zëvendësuar nga trajneri Zidane pas një dëmtimi që mori në momentin e shënimit të golit të parë për “Los Blancos” në atë barazim të kontestuar 2-2 ndaj Katalanasve.

Ankthi pasoi më vonë për shkallën e dëmtimit të 33-vjeçarit, pasi shumë i druheshin faktit se ai mund të humbasë finalen e madhe të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpulit.

Ai që qetëson tifozët, është vetë Zinedine Zidane.

“Nuk jemi të shqetësuar për të! Ai do të jetë në finale. Është një dëmtim i vogël dhe nuk e di sa kohë do të qëndrojë larg fushës, por do të jetë në finale”, deklaroi i qetë tekniku francez.

Ronaldo shënoi ndaj Barcelonës golin e 25-të në këtë sezon të La Ligas, ndërkohë që Reali do të luajë edhe tri ndeshje në kampionat para se të përballet me Liverpulin, një ripërsëritje e finales së vitit 1981.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë