Futboll

Dëmtim i rëndë për Odise Roshin, 6 muaj jashtë fushave

Një tjetër humbje e madhe për Kombëtaren në prag të ndeshjeve me Izraelin dhe Skocinë në Ligën e Kombeve. Pas Armando Sadikut, një tjetër titullar është dëmtuar rëndë dhe do të mungojë për një kohë të gjatë. Ai është Odise Roshi, mesfushori fierak i cili ka këputur ligamentet e gjurit në ndeshjen e fundit të kampionatit rus, ku skuadra e tij, Akhmat Grozni, luajti ndaj Rubin Kazanit.

Ky ishte konkluzioni pas analizave specifike të bëra së fundi nga Roshi, që me siguri do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe koha e rikuperimit në të tilla raste, pra për dëmtimet në gju, shkon të paktën në 6 muaj. 27-vjeçari u fut në fushë në fillim të pjesë së dytë të ndeshjes me Rubinin dhe u dëmtua në minutën e 77-të, për t’u zëvendësuar nga Bekim Balaj.

Odise Roshi (majtas) me fanellën e Akhmat Groznit në kampionatin rus

Dhimbje koke për trajneri Kristian Panuçi, pasi humbet një lojtar mjaft të rëndësishëm para ndeshjeve të para të Ligës së Kombeve. Roshi ka qenë gjithmonë titullar në Kombëtare kohët e fundit, madje në një ndeshje trajneri Panuçi i ka besuar edhe shiritin e kapitenit. Duke shtuar dëmtimin po serioz të Sadikut, si dhe gjendjen e disa lojtarëve të tjerë, që nuk luajnë prej kohësh, situata bëhet edhe më e vështirë për trajnerin e kuqezinjve.

Burim Kukeli mbetet sërish jashtë, pasi nuk është ende gati nga dëmtimi që ka pasur. Nga dëmtimet vijnë edhe mesfushorët Amir Abrashi, Taulant Xhaka dhe Eros Grezda, të cilët nuk kanë nisur ende të luajnë me klubet e tyre. Shpresohet që deri më 7 shtator, kur luhet ndeshja me Izraelin, ndonjëri prej tyre të jetë gati për trajnerin italian të kuqezinjve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë