Futboll

Del lista e plotë, këta janë 30 kandidatët për “Topin e Artë”

Revista prestigjioze franceze, “France Football” ka publikuar gjatë ditës së hënë listën e plotë të pretendentëve për të fituar “Topin e Artë” për vitin 2018. Janë 30 kandidatë për ta fituar trofeun më të famshëm në nivel individual në futboll. Nuk mungojnë yjet më të mëdhenj të këtij sporti, por ka edhe hyrja të reja, që sezonin e shkuar kanë bërë mjaft mirë në klubet e tyre, apo me kombëtaren në kampionatin botëror. Mungesa më e madhe në këtë listë Gigi Buffon, që do të thotë se Italia nuk është e përfaqësuar në këtë listë me asnjë futbollist. Ky fakt vërteton edhe një herë krizën e futbollit italian, pasi është ndër rastet e rralla që asnjë italian të mos jetë në këtë listë. Por italianët nuk duhet të mërziten, pasi edhe Gjermania nuk ka asnjë futbollist në këtë listë. Dështimi në Kupën e Botës dhe mungesa e rezultateve pozitive në arenën ndërkombëtare të klubeve gjermane ka sjellë këtë rezultat.

https://twitter.com/francefootball/status/1049352343010066432

Në mesin e 30 futbollistëve mbizotërojnë, francezët që fituan Kupën e Botës në korrikun e këtij viti. Janë plot shtatë futbollistë të kombëtares transalpine që konkurrojnë për këtë trofe, Kante, Benzema, Pogba, Mbappe, Lloris, Griezmann dhe Varane.

Mes këtyre shtatë futbollistëve, ata që shikohen si pretendentët kryesorë janë Griezmann dhe Mbappe që mund të shkojnë në mesin e dhjetë më të mirëve, apo edhe mund ta fitojnë trofeun.

Pas Francës, vendin e dytë e zë Brazili, me katër futbollistë të nominuar për të fituar “Topin e Artë”. Neymar, Alison, Marcelo dhe Firmino janë katër futbollistët “selecao” që janë përzgjedhur në këtë listë, por pa dyshim që Neymar është më favoriti për t’u renditur në listën e 10 më të mirëve.

Finalistja e Kupës së Botës, Kroacia përfaqësohet me tre futbollistë, ku përveç Modriç, në listë janë edhe Rakitiç dhe Mandzukiç. Mesfushori i Real Madrid është një nga pretendentët kryesorë për ta fituar “Topin e Artë”, pas triumfit në çmimet Fifa pak ditë më parë.

Me nga dy futbollistë përfaqësohen në këtë listë edhe Argjentina me Spanjën. Dy emrat surprizë në këtë listë janë uruguaiani Diego Godin dhe slloveni Jan Oblak. Të dy futbollistët ishin protagonist të një sezoni shumë të mirë me Atletico Madrid.

Për herë të parë ky edicion i çmimit “Topi i Artë” nuk shikon pretendentë, Lionel Messi-n dhe Cristiano Ronaldo-n. Të dy lojtarët që e kanë ndarë këtë trofe nga viti 2009 janë zgjedhur në listën e 30 kandidatëve, por nuk shikohen si favorit seriozë për ta fituar trofeun. Nëse do ia dilte ndonjëri prej tyre, do shkonin në kuotën e 6 kupave, një numër i paarritur nga asnjë futbollist tjetër dhe që zor se do mund të arrihet në të ardhmen.

Sergio Aguero (ARG / Manchester City) Sulmuesi argjentinas, ishte protagonist me skuadrën e tij Manchester City, si një nga lojtarët kryesorë në fitimin e titullit kampion në Premier League.

Alisson (BRA / Liverpool) Gardiani brazilian cilësohet si më i mirë në botë për momentin. Pas një sezoni fantastik me Romën, ku me pritjet e tij e çoi skuadrën italiane deri në gjysmëfinalet e Champions League, gjatë verës u transferua në Angli te Liverpool.

Gareth Bale (WAL / Real Madrid) Sulmuesi uellsian me largimin e Ronaldo-s ka marrë rolin e liderit te Real Madrid. Vitin e shkuar në finale përballë Liverpool shënoi një gol spektakolar me rroveshatë.

Karim Benzema (FRA / Real Madrid) Sulmuesi francez edhe pse nuk shkoi në kampionatin botëror, është përfshirë në këtë listë pasi bëri në sezon mjaft të mirë me Real Madrid.

Edinson Cavani (URU / PSG) Sulmuesi uruguajan ishte një makineri e vërtetë golash vitin e shkuar te PSG edhe pse në skuadër kishte dy yje të futbollit botëror, si Neymar dhe Mbappe.

Thibaut Courtois (BEL / Chelsea) Me kombëtaren e Belgjikës shkoi deri në gjysmë finale të kampionatit botëror. Falë këtij suksesi, por edhe performancave të mira me Chelsea në Premier League është përfshirë në këtë listë. Gjatë verës ai u transferua te Real Madrid, ku ka vijuar të bëjë mirë.

Cristiano Ronaldo (POR / Juventus) Që nga viti 2009, kur e fitoi për herë të parë “Topin e Artë”, sulmuesi portugez nuk shikohet si favorit për ta fituar këtë trofe. Luzitani kaloi nga Real Madrid te Juventus këtë verë dhe ka vijuar të shënojë gola dhe ka marrë rolin e liderit.

Kevin De Bruyne (BEL / Manchester City) Ai cilësohet si një nga mesfushorët më të mirë në botë. Me plot fantazi në këmbët e tij, De Bruyne ndihmoi vitin e shkuar Manchester City të fitonte kampionatin dhe Belgjikën të shkonte deri në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror, Rusi 2018.

Roberto Firmino (BRA / Liverpool) Ai nuk është sulmuesi tipik brazilian, por në vitet e fundit ka treguar se është shumë punëtor dhe mund të jetë shumë produktiv. Sezonin e shkuar bashkë me Mane dhe Salah ishte pjese e një tresheje të frikshme që e çoi Liverpool deri në finalen e Champions.

Diego Godin (URU / Atlético Madrid) Një mur i vërtete në mbrojtje. Në La Liga, Atletico Madrid nuk shkoi dot me tej se vendi i tretë, por arriti të fitonte Europa League dhe pjesë e këtij suksesi ishte dhe mbrojtësi nga Uruguai, Diego Godin.

Antoine Griezmann (FRA / Atlético Madrid) Është francezi i parë pas Zidane që koutohet si kandidat serioz për të fituar “Topin e Artë”. Griezmann ishte lojtari kryesor i Atletico Madrid në triumfin e Europa League dhe një nga protagonistët e Francës në Kupën e Botës.

Eden Hazard (BEL / Chelsea) Ishte lojtari kryesor të Chelsea, gjithashtu te Belgjika dhe cilësohet si një futbollistët më të mirë në botë dhe kurrsesi nuk mund të mungonte në këtë listë. Gjithsesi nuk shikohet si pretendent për ta fituar këtë trofe.

Isco (SPA / Real Madrid) Një mesfushor me shumë fantazi në këmbët e tij. Vitin e shkuar ndihmoi Real Madrid që të fitonte Champions League për herë të tretë, por nuk mundi të bënte asgjë me Spanjën edhe pse nuk mund të thuhet se ishte faji i tij në atë situatë që u krijua në kombëtaren iberike.

Harry Kane (ENG / Tottenham) Është anglezi i vetëm në këtë listë. Ai konsiderohet si një nga qendërsulmuesit më të mirë në botë dhe në kampionatin botëror, “Rusi 2018” e vërtetoi më së miri vlerat e tij.

N'Golo Kanté (FRA / Chelsea) Shumë punëtor dhe i kudondodhur. Kante është një motor i vërtetë në mesfushë që vrapon njësoj si në minutën e parë dhe në atë të 90-të. Një nga më të mirët e kombëtares transalpinë gjatë kampionatit botëror.

Hugo Lloris (FRA / Tottenham) Është portieri kampion bote dhe nuk mund të mungonte në këtë listë. Gardiani i Totenham edhe pse ka bërë disa hera gafa me ekipin londinez, me kombëtaren në botëror ishte në lartësinë e duhur dhe e ka merituar këtë nominim për “Topin e Artë”.

Mario Mandzukic (CRO / Juventus) Mjaft punëtor dhe një lojtar shumë i vlefshëm në krah si për Kroacinë dhe për Juventus.

Sadio Mané (SEN / Liverpool) Senegalezi nuk mund të mungonte në këtë listë pas atij sezoni shumë të mirë me Liverpool. Ai gjithashtu është kandidat për të fituar çmimin e lojtarit më të mirë afrikan.

Marcelo (BRA / Real Madrid) Edhe pse në moshë të madhe, braziliani nuk mungon edhe këtë vit në listën e 30 më të mirëve. Te Real Madrid është lider, teksa edhe tre kombëtarja e Brazilit është thuajse i pazëvendësueshëm.

Kylian Mbappé (FRA / PSG) Është fenomeni i ri i futbollit botëror dhe kurrsesi nuk mund të mungonte në këtë listë. Me Francën ishte një nga më të mirët në botëror, por edhe me PSG po bën shumë mirë, megjithatë ende i mungon diçka që të jetë favorit për ta fituar “Topin e Artë”.

Lionel Messi (ARG / FC Barcelone) Ylli katalanas nuk është në kulmin e karrierës, por jo vetëm për fajin e tij. Messi udhëhoqi Barcelonën në La Liga, por nuk mundi dot të bënte gjë në Champions dhe na kampionatin botëror me kombëtaren e Argjentinës.

Luka Modric (CRO / Real Madrid) Është ylli që shndrit më shumë për momentin. Protagonist absolut me Real Madrid në Champions League dhe me Krocinë në botëror, Modriç është favoriti kryesor për ta fituar “Topin e Artë”.

Neymar (BRA / PSG) Është shumë i kritikuar për karakterin e tij, por asnjëherë i diskutuar për talentin dhe atë që mund të jap në fushën e lojës. Dështoi më Brazilin dhe PSG nuk shkoi dot shumë larg në Champions League.

Jan Oblak (SLO / Atlético Madrid) Portieri slloven është një nga surprizat e kësaj liste. Portier titullar me Atletico Madrid, duke dhënë kontributin e tij në fitim e Europa League, Oblak nuk mund të mungonte në këtë “Top 30”.

Paul Pogba (FRA / Manchester United) Është nga më të fortët në rolin e tij në mesfushë. Pogba është qendër mesfushori më i shtrenjtë në historinë e futbollit dhe një më të mirët e Francës në kampionatin botëror të Rusisë.

Ivan Rakitic (CRO / Barcelona) Pas Luka Modriç, Rakitiç ishte lojtari tjetër shumë i rëndësishëm në suksesin e Kroacisë, që shkoi deri në finale të botërorit.

Sergio Ramos (SPA / Real Madrid) Është një lider i padiskutueshëm te Real Madrid që ka fituar tre Champions League radhazi. Prej vitesh Ramos është në mesin e mbrojtësve më të mirë në botë edhe pse me Spanjën nuk shkoi larg në kampionatin e Rusisë.

Mohamed Salah ( EGY / Liverpool) Ylli egjiptian përjetoi vitin e shkuar sezonin e tij më të mirë. Pasi kaloi nga Roma te Liverpool, Salah shpërtheu në gola në Premier League dhe Champions. Me Egjiptin në botëror nuk mund të bënte dot më shumë.

Luis Suarez ( URU / Barcelona) Ndoshta në hijen e Messi, por Suarez është gjithmonë prezent me gola dhe asiste për të ndihmuar Barcelonën në fitimin e kampionatit spanjoll.

Raphael Varane ( FRA / Real Madrid) Një nga mbrojtësit më të talentuar, që bashkë me Ramos te Real Madrid krijojnë repartin defensivë më të fortë në botë. Në botërorin e Rusisë, ishte një nga shtyllat e Francës në triumfin në Kupën e Botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë