Lajme

Deklaratat e Dvoranit, Presidenca: Alibi për t’i shpëtuar drejtësisë

Zëdhënësi i presidentit Meta, Tedi Blushi, i pyetur nga gazetarët në lidhje me pretendimin e Ardian Dvoranit se, nëse ai do të merrej i pandehur nga Prokuroria, atëherë kjo do të sillte bllokimin e funksionimit të KED-së, shprehet se kjo është një alibi e neveritshme për t’i shpëtuar drejtësisë për veprat penale që Dvorani ka konsumuar dhe për të cilat është kallëzuar penalisht në Prokurori.
Në rast të tillë, Blushi citon ligjin, ku thuhet që në vend se mungon kryetari, atëherë të gjitha kompetencat i kalojnë zëvendëskryetarit të këtij institucioni.
“Ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se ‘Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit’”, shprehet Blushi.
Zëdhënësi i Presidentit thotë se KED është bllokuar qëllimisht që në krye të saj të ishte Ardian Dvorani.
"Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore.
Më tej, ai thotë se “edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy Rende Dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjeshmërisë së këtij individi, përkundrejt zbatimit të transparencës së ushtrimit të detyrës, ashtu siç kushtetuta dhe ligji ia kërkon”, shton ai.
Ditën e djeshme, kreu i KED ishte në Prokurori ku është pyetur se si ka ndodhur procesi i emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë