Biznes

“Deklarata vjetore e Tatimfitimit dhe pagesat tatimore nuk do të shtyhen”

“Ne bizneset paguajmë tatimfitimin në avancë nisur nga precedencat e bilanceve të mëparshëm. Në këtë kohë krize globale shëndetësore dhe ekonomike, në një kohë që fluturimet janë bllokuar dhe ne kemi zero punë, si mund të paguajmë sërish tatimfitimin në avancë kur nuk kemi asnjë xhiro? Teksa shtetet fqinje, jo më larg se Maqedonia kanë një paketë shumë të favorshme ndihmëse për bizneset dhe qytetarët”- shprehet Besnik Vathi i Agjencisë ATHS.

Por i njëjti problem qëndron për të gjithë bizneset që paguajnë tatimfitimin, madje kjo ishte një nga kërkesat që bashkonte të gjithë shoqatat e biznesit në vend tek iu drejtuan qeverisë që ti merrte parasysh gjatë hartimit të paketave të shpëtimit kundër Covid-19.

Por një kërkesë e tillë nuk është marrë parasysh.

 Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) ka sqaruar sot (e mërkurë) se nuk ka shtyrje për deklaratën e tatim fitimit. “Nga komunikimet e fundit me organet shtetërore, ju informojme se nuk ka ndryshim për datën e dorëzimit të Deklarates vjetore të Tatim Fitimit (mbetet ende data 31 Mars 2020), po kështu nuk ka ndryshim në datat e parapagimeve si dhe pagesave të detyrimeve të tjera tatimore. Pasqyrat Financiare do të dorëzohen në organet tatimore sipas afatit të përcaktuar në Aktin Normativ të Keshillit të Ministrave. Në rast se do të ketë ndryshime ose zhvillime të reja do të njoftoheni nëpermjet një emaili tjetër”, citohet në një email që u është dërguar subjekteve.

Gjatë prezantimit të paketës së shpëtimit ekonomik për situatën e emergjencës, kryeministri Rama do të citonte se, se shtyhet data e dorëzimit të bilancit nga 31 marsi në 1 qershor.

Procedura ligjore mbi dorëzimin e deklaratës së pagesës së tatimit fitimit dhe pasqyrave financiare për vitin fiskal 2019 parashikon që tatimpaguesi duhet të dorëzojë, formularin e Deklarimit të Tatimit mbi Fitimin sipas modelit të miratuar me Udhëzim. Ky formular plotësohet në përputhje me shënimet sqaruese. Njëkohësisht, ai dorëzon vetëm elektronikisht në administratën tatimore, bilancin kontabël së bashku me pasqyrat financiare dhe anekset e tij.

Dhe këtë bizneset e dinin fare mirë, prandaj në kërkesat e tyre drejtuar qeverisë kanë kërkuar shtyrjen e pagesës së Tatimfitimit, sepse për ta, shtyrja e afatit të dorëzimit të bilanceve, ndërkohë që duhet të dorëzojnë deklaratën e tatimfitimit nuk përbën asnjë lehtësi duke qenë se janë të lidhura bashkë ngushtësisht sepse që të dorëzohet deklarata, duhet mbyllur bilanci.

Përpos kësaj, deklarimi i formularit për tatimfitimin e ngarkon biznesin me pagesë shtesë, nëse ai ka dalë me fitim më të lartë në 2019-ën. Kjo sepse tatimfitimi është parapaguar me shifrat e bilancit të vitit të shkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë