Ne rrjet

Deklarata skandaloze për Reçakun, Kosova kallëzon penalisht Aleksandër Vuçiç

Deklarata skandaloze e presidentit serb Aleksander Vuçiç në lidhje me masakrën e Reçakut gjatë luftës së Kosovës, ka sjellë jo vetëm reagime nga BE-ja, por edhe kallëzimin nga autoritetet në Kosovë.

Avokati shqiptar nga Kosova Tomë Gashi, në cilësinë e përfaqësuesit juridik të viktimave të Masakrës së Reçakut ka folur rreth kallëzimit penal ndaj Vuçiç, pasi presidenti e ka quajtur këtë masakër, trillim.

Duke folur për mediat, Gashi ka thënë se kallëzim penal ndaj presidentit serb është drejtuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe është vënë në dijeni dhe Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi.

“Kemi një aktgjykim të plotëfuqishëm të vitit 2001, ku së paku një polic serb është shpallur fajtor për vrasje dhe për tentim vrasje të Masakrës së Reçakut”, ka thënë avokati Gashi.
Më tej, avokati theksoi se është e palejueshme që të ofendohen viktimat shqiptare, apo të quhen terroristë.

“Kemi një aktgjykim të plotëfuqishëm që është në Kombe të Bashkuara dhe mohimi i Masakrës së Reçakut është çështje e vogël mund ta bëjë dikush për çështje politike por në asnjë mënyrë nuk lejohet që t’i quajnë viktimat shqiptare, terroristë shqiptarë”, ka shtuar ai.

Edhe BE e ka quajtur të papranueshme deklaratën e Vuçiç, duke shtuar se nuk mund të mohohet ajo që ka ndodhur në Kosovë.

Nga zyra për media e BE-së në një prononcim për një media kosovare, kanë deklaruar se qëndrime të tilla janë në kundërshtim me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Sipas Brukselit zyrtar nuk ka vend për mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Reçak përgjatë janarit të vitit 1999.

‘Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Një gjë është e qartë, nuk ka vend për të mohuar ose relativizuar ngjarjet që kanë ndodhur në Reçak në Kosovë gjatë janarit 1999’, ka shkruar BE.

Sipas tyre rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për pajtim, dhe për punë të ndershme në respekt të viktimave.

‘Autoritete duhet të punojnë që e kaluara të vlerësohet në mënyrë të ndershme dhe ashtu siç është në respekt të viktimave. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të raporteve. U përket Gjykatave që të përcaktojnë nëse deklarata të caktuara përbëjnë vepra penale. Dënimi duhet të jetë proporcional duke marrë parasysh të gjitha elementet e çështjes’, ka shtuar zyra për media të Bashkimit Europian.

Deklaratat e Aleksandër Vuçiçit në mbështetje të Ivan Teodosijeviçit i kanë dënuar edhe liderët politik më të lartë të Republikës së Kosovës si dhe ambasadorja kosovare në Washington, Vlora Çitaku.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë