Ngjarje

Dëbora zbardh vendin, probleme nga veriu në jug

Pjesa më e madhe e territorit të Shqipërisë u gdhi mëngjesin e së mërkurës e zbardhur nga dëbora. Gjatë natës reshjet zbritën deri në Shkodër, Lezhë e Gjirokastër, ndërkohë që në Tiranë dëbora nisi rreth orës 02:00 të natës, por me një intenistet të ulët dhe që u pasua me reshje të imët.

Në Qarkun e Korçës dëbora nuk është një risi, por reshjet në natën mes së martës dhe të mërkurës kanë rikthyer problemet në qarkullim. Qafa e Thanës kalohet vetëm me zinxhirë. Problematike paraqitet situata në fshatrat e malorë të Pogradecit, ndërkohë që qarkullimi i mjeteve edhe në qytetin e Korçës mëngjesin e së mërkurës është kryer vetëm me zinxhirë si pasojë e ngricave në rrugë. Në disa fshatra të këtij Qarku procesi mësimor është pezulluar.

Problemet e para janë raportuar nga akset rrugore kombëtare. Në rrugën Tepelenë-Gjirokastër dhjetra automjete u bllokuan rreth orës 04:00 si pasojë e dëborës së dendur, ngricës në rrugë dhe shikueshmërisë së kufizuar.

Në këtë rrugë, pastruesja e dëborës është parë vetëm pasi ka zbardhur dita, duke lënë për orë me radhë të ngecur një autokolonë me qindra automjete, nisur nga fakti që kjo rrugë është e rrahur gjatë natës nga mjetet që udhëtojnë drejt doganës së Kakavijës.

Probleme pati edhe në rrugën Gjirokastër-Kakavijë. Dëbora e beftë kapi të papërgatitur drejtuesit e mjeteve dhe autoritetet. Bllokime dhe disa aksidente pa pasoja në njerëz raportohen nga ky aks si pasojë e ngricës në rrugë.

Në Sarandë situata është disi më e normalizuar, megjithëse në orët e mëngjesit qarkullimi i mjeteve ishte thuajse i pamundur për shkak të ngricave. Qafa e Muzinës kalohet vetëm me zinxhirë.

Në Bulqizë situata raportohet më e rënduar. Në qytet trashësia e dëborës ka arritur në 15 centimetra dhe për shkak të ngricave qarkullimi kryhet vetëm me zinxhirë. Disa zona të thella të këtij rrethi kanë mbetur të bllokuara. Po me zinxhirë kalohet edhe Qafë-Thana, rrugët dytësore në Peshkopi, Pukë, Librazhd, Tepelenë dhe pjesa më e madhe e akseve në Qarkun e Kukësit. Në Elbasan me zinxhirë qarkullohet në rrugën për në Labinot Mal dhe në atë të Gjinarit. Disa fshatra të thellë në këto rajone janë izoluar krejtësisht.

Në qytetin e Rrëshenit dëbora shkon më shumë se 5 centimetra, ndërkohë që në zonat e tjera të Mirditës trashësia e saj shkon mbi 10 centimetra. Akset rrugë kalohen me vështirësi, ku kujdes kërkohet sidomos në rrugën e Kurbneshit, ndërkohë që reshjet vijojnë ende.

Dëbora në qytetin e Shkodrës e Lezhës është një fenomen i rrallë, por që këtë herë nuk u kursye. Banorët e këtyre dy qyteteve u zgjuan të zbardhur nga reshjet e saj, por sasia e rënë nuk shkaktoi probleme në qarkullimin rrugor, përveç zonave të thella të Shkodrës, ku qarkullimi në disa akse është i këshillueshëm me zinxhirë.

Procesi mësimor në shumë shkolla 9-vjeçare dhe disa gjimnaze është anuluar, pasi mësuesit nuk kanë mundur do të shkojnë në vendet e tyre të punës. Raportohet se në disa zona të Dibrës, Bulqizës e Kukësit ka probleme me energjinë elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë