Lajme

Dimri i egër mbërthen Europën

Dimri i egër ka pushtuar prej ditësh Europën, duke bllokuar dhjetëra pushues në rajonet alpine, duke anuluar qindra fluturime për shkak të erërave të forta dhe duke shkaktuar mbylljen e qindra shkollave kudo.

Të paktën 13 persona kanë humbur jetën për shkak të motit të keq në Europë gjatë javës së fundit, shumica prej tyre nga ortekët.

Në Norvegji, përpjekjet për të gjetur trupat e katër skiatorëve në Alpe rezultuan të pasuksesshme. Një 29 vjeçare suedeze dhe tre finlandezë u shpallën të vdekur pasi një ortek me një gjerësi prej 300 metrash “gllabëroi” një luginë pranë qytetit verior të Tromsës.

Policia rumune gjeti të martën trupin e ngrirë të një 67-vjeçari në një parking në qytetin jugor të Slatinës, pasi gruaja e tij raportoi se nuk ishte kthyer nga puna një ditë më parë. Temperaturat atje ranë në minus 24 Celsius .

Shkollat në Athinë dhe shumë zona përreth janë mbyllur prej ditësh pasi një shtresë e trashë dëbore mbuloi kryeqytetin grek dhe temperaturat në vendin fqinj arritën deri në minus 20 gradë.

Dhjetëra refugjatë të strehuar në çadra në një kamp në Greqinë e Veriut kanë protestuar për kushtet e jetesës, ndërkohë që në shumë nga ishujt e Greqisë ka rënë borë. Shumë prej refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme kanë parë për herë të parë dëborë në jetën e tyre.

Në Austri, qindra banorë u mbërthyen në shtëpitë e tyre për shkak të rrugëve të bllokuara dhe disa rajone u përballen me ndërprerje të energjisë pasi pemët e ngarkuara nga dëbora shembën linjat energjetike.

Shkollat në disa rajone austriake mbetën të mbyllura për me shumë se tre ditë rresht, ndërkohë që banorët janë këshilluar të heqin borën nga çatitë e tyre pasi disa ndërtesa u rrëzuan. Ndërkohë në Zvicër, Austri dhe Gjermani dhe autoritetet paralajmëruan se rëniet e vazhdueshme të borës po rrisin rrezikun e ortekëve dhe këshilluan banorët të kufizon lëvizjet dhe të qëndronin në shtëpitë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë