Politike

Dëbimi i turqve Simsek dhe Çelik, OKB nis hetim për qeverinë shqiptare

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar sot se ka nisur një hetim për qeverinë shqiptare për procedurat e ekstradimit të dy shtetasve turq, Selami Simsek dhe Harun Çelik.

Në një deklaratë, OKB ka reaguar përsëri me forcë kundër shkeljes së rëndë të të drejtave të dy shtetasve turq.

OKB njofton se qeveria shqiptare me datë 20 mars 2020 ka marrë një shkresë nga Grupi i Punës kundër Zhdukjeve me Forcë, Grupi i Punës mbi Ndalimet Arbitrare, Raportuesi i Posaçëm për të Drejtat e Migrantëve, Raportuesi i Posaçëm mbi Nxitjen dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Raportuesi i Posaçëm kundër Torturës. Këto organe të rëndësishme për të drejtat e njeriut të OKB-së kërkojnë urgjentisht informacion mbi dëbimin me forcë dhe dëbimin e Harun Çelik në Turqi më 1 janar 2020 dhe rrezikun që ekziston për zhdukjen e Selami Şimşek dhe dëbimin e tij të paligjshëm drejt Turqisë.

Në kërkesën e saj OKB kërkon nga qeveria shqiptare një informacion të detajuar mbi vendndodhjen aktuale dhe gjendjen shëndetësore të z. Şimşek, si dhe masat e marra nga qeveria për t’i siguruar atij akses të shpejtë dhe sistematik me përfaqësuesin e tij ligjor.

Gjithashtu ajo kërkon dhe një informacion ligjor mbi bazën faktike për dëbimin e Çelik në Turqi, përfshi një sqarim të detajuar sesi kjo masë (dëbimi i z. Çelik) është në pajtueshmëri me detyrimet që rrjedhin nga konventat e ratifikuara nga Shqipëria (Konventa kundër Torturës, Konventa mbi Statusin e Refugjatëve, Konventa mbi Zhdukjet me Forcë).

Selami Simsek u arrestua më 10 mars për falsifikim të dokumenteve dhe kalim të jashtëligjshëm të kufirit, 

Ndërsa mësuesi Harun Çelik u arrestua në Shqipëri në korrik të vitit 2019 kur u përpoq të udhëtonte nga Kazakistani në Kanada përmes Tiranës me dokumente false.

Mediat turke e kanë cilësuar dëbimin e Çelik si një ” operacion të suksesshëm” të kryer nga MIT, një pretendim që ka alarmuar autoritetet shqiptare, të cilat vazhdojnë të mohojnë pretendimet e përfshirjes së huaj.

Turku Harun Çelik, Gazeta Si, 16 janar 2020

Një stacion televiziv pro qeveritar turk, “AHaber TV Channel”, tha se Çelik tani ishte në Stacionin Policor të Stambollit dhe do të transferohej në gjykatë pasi të bëhet marrja në pyetje.

Çelik po përballet me akuza për pjesëmarrjen në një organizate terroriste dhe për spiunazh kundër shtetit turk, akuzat e zakonshme për “gulenistët”.

Shqipëria insiston që gjithçka ishte bërë në përputhje me procedurat normale për dëbimin e një shtetasi të huaj, i cili kishte tentuar të hynte në vend duke përdorur dokumente false.

Tirana zyrtare gjithashtu ka mohuar që kthimi i detyruar i Çelik në Turqi ishte një produkt i marrëdhënies së ngushtë midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.

Sikundër raportohet, Qeveria shqiptare ende nuk është pergjigjur, ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka justifikuar veprimet dhe procedurat e ndjekura nga policia.

Në komunikimin e tyre për qeverinë shqiptare, grupet e punës dhe raportuesit e OKB kërkojnë nga qeveria shqiptare informacion dhe sqarime të detajuara si më poshtë:

  • 1. Informacion shtesë dhe çdo koment mbi akuzat për zhdukjen me forcë dhe shkeljet e rënda të të drejtave të shtetasve turq.
  • 2. Informacion mbi vendndodhjen aktuale dhe gjendjen shëndetësore të z. Şimşek, si dhe masat e marra nga qeveria për t’i siguruar atij akses të shpejtë dhe sistematik me përfaqësuesin e tij ligjor.
  • 3. Informacion mbi statusin aktual të procesit të aplikimit të z. Şimşek për azil politik dhe mbrojtje ndërkombëtare.
  • 4. Informacion mbi bazën faktike dhe ligjore për dëbimin e z. Çelik në Turqi, përfshi një sqarim të detajuar sesi kjo masë (dëbimi i z. Çelik) është në pajtueshmëri me detyrimet që rrjedhin nga konventat e ratifikuara nga Shqipëria (Konventa kundër Torturës, Konventa mbi Statusin e Refugjatëve, Konventa mbi Zhdukjet me Forcë).
  • 5. Informacion mbi bazën faktike dhe ligjore (masat në kuadër të sigurisë kombëtare, apo masa të tjera) që është përdorur për të justifikuar dëbimin në Turqi të personave të akuzuar për simpati ndaj lëvizjes Hizmet/Gulen që kërkojnë azil në Shqipëri.
  • 6. Informacion të detajuar mbi mënyrën e vlerësimit gjithëpërfshirës dhe individual të rrezikut nga autoritetet shqiptare (në kuadër të masave procedural dhe analizës së situatës në vendin e kthimit), për të siguruar që të drejtat themelore të këtyre individëve të mos shkelen, në procesin e kthimit dhe në vendin ku ata kthehen.
  • 7. A i janë kërkuar qeverisë së Turqisë nga qeveria e Shqipërisë, garanci me shkrim që të drejtat e personave e kërkuar nga Turqia në rast kthimi nuk do të shkelen, përfshi të drejtën e lirisë, të sigurisë personale dhe të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor, në rast se akuzohen për kryerjen e ndonjë vepre penale? Dëshmi nga qeveria shqiptare që garanci të tilla janë kërkuar dhe janë marrë.
  • 8. Informacion mbi garancitë që ekzistojnë dhe masat e marra për t’i zbatuar këto garanci, me qëllim shmangjen e deportimeve apo kthimin me forcë nga Shqipëria drejt vendeve ku liria, siguria personale, integriteti apo jeta e çdo individi në një situatë të ngjashme.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë