Politike

Debate PD-PS për 11 majin. Balla: Mbylleni Sali Berishën në shtëpi! Spiropali përjashton Nokën

Nga Gazeta ‘Si’- Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit solli sërish përplasje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, mes demokratëve dhe socialistëve.

Deputeti i PD, Flamur Noka, risolli edhe një herë akuzat për manipulimin e votës së Diasporës, duke thënë se qytetarë të ndryshëm kanë futur sipas tij GPS në zarfet e tyre duke zbuluar se nuk kanë mbërritur kurrë në Shqipëri.

“Janë 500 qytetarë në Selanik që kanë futur GPS në zarfe”, tha Noka. Disa ditë më parë, Noka tha se edhe në Angli, njerëz të njohur të tij kanë bërë të njëjtën gjë dhe kanë zbuluar se votat nuk kanë dalë nga ishulli.

Akuzave të Nokës iu përgjigj nga radhët e socialistëve Taulant Balla, i dërguari i partisë së tij për votat e Diasporës.

“Ju e keni të vështirë të aplikoni ‘nenin Basha’, e kuptoj shumë mirë çfarë po përpiqeni të bëni”, tha Balla.

“Më kishin thënë që e kishte thënë Flamuri në një studio. Se Flamuri paska futur 500 GPS në zarfe dhe këto GPS na paskan mbetur në Londër. O Flamur, kjo që thua ti është vepër penale, sepse identifikimi dhe gjurmimi i votës është vepër penale. Kjo që bën ti është e dënueshme, dhe nëse ke prova, përse nuk shkon t’i dorëzosh në Prokurorinë e Posaçme? Shko atje, sepse juridiksioni i përgjithshëm nuk ka kompetencë për këtë çështje”, shtoi Balla.

Balla ironizoi gjithashtu qëndrimin e Partisë Demokratike në lidhje me zgjedhjet dhe humbjen e saj të thellë në zgjedhjet e 11 Majit.

Ai iu kërkoi opozitarëve që të bojkotojnë Sali Berishën dhe “ta mbyllin” në shtëpi.

“Unë kam respekt për të moshuarit, pak më i moshuar se babai im po merreni edhe mbylleni në shtëpi, se turpëroi shtëpinë dhe vendin e vet me atë fyerje dhe ato palaçllëqe që thotë kundër Shqipërisë dhe vjen këtu pa pikë thonjëze dhe i përmendni ju, karteli, narkoshteti ky apo ai. Pranoni humbjen të kthehemi në shtator me ata që kanë tepruar prej jush se jeni reduktuar shumë, të fillojmë punën me komisionet“, tha Balla.

Ndërkohë, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përjashtoi nga seanca Nokën, pas një përplasjeje verbale gjatë diskutimeve në sallë.

Sipas raportimeve, Noka e ka fyer me një fjalë të rëndë Spiropalin, por kjo pa mikrofon.

“Je i përjashtuar nga seanca, vazhdo ik atje”, i tha Spiropali Nokës. “E dëgjoni gjuhën e tij? Largohu nga foltorja. Nuk duroj as fyerje, as zaptim foltoreje”.

Në zgjedhjet e 11 majit, PS fitoi një mandat të katërt, historik, duke siguruar plot 83 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërsa Partia Demokratike mori 50 vende.

Opozita ka deklaruar nuk do të njohë rezultatin e përgjithshëm në zgjedhje, pasi sipas saj ishin një “farsë elektorale.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë